VIDEO/ “Sherr kalamajsh” për një penallti te Shqipëria U19! Njëri gjuan dhe e gabon, tjetri kërkon zëvendësim nga mërzia e pastaj bëhet golashënues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2026 | 22:01

VIDEO/ “Sherr kalamajsh” për një penallti te Shqipëria U19! Njëri gjuan dhe e gabon, tjetri kërkon zëvendësim nga mërzia e pastaj bëhet golashënues

Ndeshja e Shqipërisë U19 ndaj Norvegjisë sot ka shfaqur një episod që normalisht duhet të jetë i papranueshëm në radhët e një ekipi kombëtar. Mes lojtarëve kishte përplasje dhe pakënaqësi për një penallti të akorduar në favor të kuqezinjve në startin pjesës së dytë të takimit, kur rezultati ishte 2-0 për Norvegjinë.

bandicam 2026-03-31 18-55-18-070

Kulla gjuajti nga distanca, portieri grushtoi dhe Blini tentoi përsëri portën, por një mbrojtës norvegjez devijoi me dore sferën jashtë dhe gjyqtari nuk hezitoi të bënte shenjë nga pika e bardhe e penalltisë.

Blini mori topin dhe ia la në duar Durmishit i cili po shkonte drejt tij, i gatshëm të gjuante penalltinë. Ndërkohë, Kulla shkoi në drejtim të sulmuesit dhe kërkoi të ishte ai gjuajtësi, por duke mos marrë asnjë reagim nga shoku i skuadrës, ndërsa të tjerë e shtynin të largohej.

Kjo bëri që lojtari të dilte i inatosur nga zona, duke bërë shenjë edhe nga pankina që ta zëvendësonin, ndërsa disa futbollistë u munduan ta qetësonin. Nga ana tjetër, Durmishi nuk reagoi dhe u përqendrua që të gjuante penalltinë, të cilën për fat të keq e gaboi.

SHIH VIDEON

Si për ironi të fatit, Durmishi u zëvendësua pak minuta më vonë, ndërsa Kulla i cili kishte kërkuar të largohej, u mbajt në fushë dhe u bë protagonist pasi shënoi dy golat që e mbyllën ndeshjen me barazimin 2-2.

PANORAMASPORT.AL