VËZHGIM I “PANORAMA SPORT”/ Në fushë dhe në arka, Egnatia dyfish kampione

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2025 | 10:23

VËZHGIM I “PANORAMA SPORT”/ Në fushë dhe në arka, Egnatia dyfish kampione

Egnatia prej disa javësh ka rimarrë vendin e parë dhe nuk ka më ndërmend ta lëshojë atë.

EGNATIA

Fitoret e njëpasnjëshme, duke mos njohur rivalë, kanë bërë që ekip i trajnerit Edlir Tetova të shtrijë dorën drejt titullit kampion për të dytin vit radhazi. Duket se rrogozhinasit po funksionojnë si një makineri perfekte. Hapat e rëndësishëm janë hedhur disa sezone më parë dhe tani klubi po merr të gjitha frytet që ka pritur.

Rezultate të larta në fushë, investime në infrastrukturë dhe mbi të gjitha përfitime edhe nga tregu i transferimeve. Të gjitha këto bëjnë që rrogozhinasit të jenë të përfshirë “kokë e këmbë” në industrinë e futbollit. “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim për blerjet dhe shitjet e Egnatias këto vitet e fundit, duke iu referuar faqes ndërkombëtare të transferimeve “Transfermarkt”, me bilancin që në fund del pozitiv për Egnatian, në shumën 1 milion e 215 mijë eurove.

BLERJET – Për një ekip të ndërtuar i gjithi nga e para në sajë të investimeve të presi3 ndeshje dentit Agim Demrozi, fillimisht duhet të shpenzosh për të pretenduar që më pas të fitosh. Ashtu bënë drejtuesit rrogozhinas, të cilët tri vitet e para bënë blerje kartoni lojtarësh. E nisën me Endrien Magani nga Lushnja dhe Franc Ymeraliaj nga Bylisi, duke shpenzuar 50 mijë euro për kartonin e të dyve. Vitin e tretë afruan edhe Redi Kasën, të cilin e blenë për 50 mijë euro. Kultura e shpenzimeve për të afruar lojtarë vijoi më pas me Montenegron, për të cilin paguan 70 mijë euro, që rezulton edhe blerja më e shtrenjtë e Egnatias. Këtë sezon Egnatia mori Serxho Ujkën nga Laçi për 50 mijë euro, Muhamed Jahajën për 60 mijë euro dhe së fundi portierin Mario Dajsinani, po nga Laçi, për 100 mijë euro. Në total, për blerjen e këtyre lojtarëve, Egnatia ka shpenzuar 380 mijë euro.

SHITJET – Gjatë tri viteve të para në Superiore, Egnatia nuk shiti dot asnjë lojtar, edhe për faktin se ishte ende në fazën e tranzicionit dhe elementët e saj nuk ishin në kulmin e tyre. Transferimet e para nisën në sezonin 2023- 2024, ku plot 5 futbollistë sollën të ardhura të majme në arkat e klubit rrogozhinas. Transferimi më i shtrenjtë ishte ai i Xheksonit tek Istanbulspori, për shumën e 400 mijë eurove. Vitin që lamë pas, nga Egnatia u largua me shumë bujë edhe portieri Alen Sherri, i cili kaloi te Kaljari në Serinë A për shifrën e 300 mijë eurove, dhe Melih Ibrahimoglu për te Koniaspor për 350 mijë euro. Në total, vetëm nga shitjet, rrogozhinasit arkëtuan plot 1 milion e 595 mijë eurove. Një shumë e konsiderueshme, po të mendosh se bëhet fjalë vetëm për dy vite dhe që u jep mundësinë drejtuesve të investojnë sërish dhe të synojnë fitimin e trofeve të tjerë.

STRATEGJIA – Duke qenë se në Rrogozhinë po përfitojnë të ardhura të konsiderueshme nga shitja e lojtarëve, sërish në klub shpresojnë të bëjnë të tjera lëvizje. Nuk do të kursehen të blejnë me çmime të favorshme dhe të shesin më pas aty ku përfitimi është më i madh. Në skuadrën aktuale të Egnatias ka shumë lojtarë që janë nën fokusin e ekipeve të huaja, një pjesë në moshë shumë të re. Në verë mbetet për t’u parë se cilat do të jenë lëvizjet që do të bëhen.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL