Vetëm 6 fitore në 17 vite! Dështimet e Kombëtares U19 janë “normaliteti”, ata që kaluan turin herën e fundit kanë lënë futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2025 | 18:55

Vetëm 6 fitore në 17 vite! Dështimet e Kombëtares U19 janë “normaliteti”, ata që kaluan turin herën e fundit kanë lënë futbollin

Kombëtarja U19 për të disatën pjesëmarrje radhazi, është eliminuar që në turin e parë të kualifikueseve të Europianit të kësaj grupmoshe. Dhe kjo në fakt nuk përbën çudi, por është thjesht “normaliteti” i një ekip i cili rezultatet i ka me pikatore, edhe pse ndër vite pa pasur emra shumë cilësorë në radhët e tij dhe në pankinë emra të njohur në drejtim.

kombetarja u19

Për ata që nuk e dinë, Shqipëria U19 është eliminuar në turin e parë të eliminatoreve të Europianit të kësaj grupmoshe në të 17 edicionet e fundit në të cilat ka marrë pjesë. Po, e keni lexuar mirë, janë 17 edicione radhazi në të cilat Shqipëria U19, pavarësisht brezave të tërë me lojtarë cilësorë që ka nxjerrë, nuk ia ka dalë që të kalojë turin. Kjo, edhe pavarësisht morisë së emrave të njohur të rritur këtu apo jashtë të cilët kanë qenë apo janë aktualisht pjesë e Kombëtares A, duke luajtur me të edhe në Kampionatin Europian.

Për herë të fundit, Shqipëria kaloi turin e parë në vitin 2007, kur pasi mundi Serbinë e barazoi me Lihtenshtejnin, u kualifikua mes të tretave më të mira, ndonëse humbi me Spanjën. Ajo luajti në marsin e një viti më vonë në turin Elitë, duke u mundur nga Gjermania e Kroacia, teksa barazoi me Sllovakinë. Disa prej protagonistëve janë emra të njohur në futbollin shqiptar, si Bicaj, Malota, Hyshmeri, Hysa, Mustafaj apo Metani. E kuptohet qartësisht që shumë prej tyre i kanë dhënë lamtumirën futbollit të luajtur apo janë pranë varjes së këpucëve në gozhdë.

Që nga atëherë, janë regjistruar vetëm dështime, vit pas viti, ndonëse drejtimin e skuadrës e kanë marrë me radhë Skënder Gega, Foto Strakosha, Altin Lala, Arjan Bellaj, Erjon Bogdani, Nevil Dede, Armando Cungu, Ervin Bulku e së fundmi Julian Ahmataj.

Përfundimi? 0 kualifikime, 6 fitore, 6 barazime dhe 38 humbje! Ndaj nuk është rastësi që në çdo short të UEFA-s për këtë grupmoshë, Shqipëria renditet te ekipet më të dobëta në Europë.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL