Verilindorët të pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit! Kukësi në “ashensor” për lart, Kadiu: Falenderoj çunat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2026 | 12:48

Verilindorët të pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit! Kukësi në “ashensor” për lart, Kadiu: Falenderoj çunat

Pas shumë muajsh në vendet e fundit, Kukësi ka marrë një fitore të madhe ndaj Kastriotit në transfertë, duke u ngjitur në vendin e 10-të të klasifikimit në Kategorinë e Parë. Verilindorët tashmë kanë 2 pikë më shumë se Luftëtari dhe Lushnja, të cilat kanë zënë vendet e fundit dhe rrezikojnë seriozisht rënien nga kategoria. 

KUKESI

Merkatoja e janarit dhe afrimi i trajnerit Bledi Kadiu kanë dhënë frytet e saj në kampin verilindor. Në 5 ndeshjet e fundit, të besuarit e Kadiut nuk janë mundur asnjëherë dhe për herë të parë këtë sezon, kanë marrë dy fitore radhazi. Veç Kastriotit, Kukësi fitoi pak ditë më parë në “Kukës Arena” ndaj Lushnjës, një rival direkt. Në sfidat e tjera, blutë kanë barazuar me Ilirinë dhe Burrelin në transfertë, si edhe me Luftëtarin në shtëpi, megjithëse verilindorët kanë bërë paraqitje pozitive duke bindur dhe duke treguar se nuk janë dorëzuar edhe pse dukeshin si favoritët kryesorë për të rënë. Pas pushimit të Kombëtareve, Kukësi do të presë në shtëpi Apoloninë dhe një rezultat pozitiv, do ta ngjiste skuadrën edhe një vend më shumë në klasifikim pasi aktualisht, e sheh veten me vetëm 2 pikë më pak se fierakët.

TRAJNERI- Pas ndeshjes me Kastriotin, trajneri Blediu Kadiu u përzgjodh nga FSHF si trajneri më i mirë i javës dhe për të, ky ishte çmimi i dytë radhazi në dy ndeshjet e fundit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, trajneri Kadiu u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij dhe shtoi se shumë lojtarë janë detyruar që të luajnë edhe të dëmtuar për shkak të ngjeshjes së kalendarit. “Jam shumë i kënaqur me pikët dhe me paraqitjen e lojtarëve. Jemi në një rrugë të mbarë dhe nëse vazhdojmë kështu, qëndrimi ynë është i sigurt.

BLEDI KADIU

Nuk kemi frikë nga asnjë ekip, sepse hyjmë në çdo ndeshje me zemër dhe luftojmë për 3 pikët. Dua të theksoj edhe sakrificën e çunave, të cilët kanë përballuar një ngarkesë shumë të madhe me tre ndeshje në javë. Megjithatë, e kemi menaxhuar shumë mirë gjendjen e skuadrës bashkë me lojtarët. Madje, disa prej tyre kanë luajtur edhe të dëmtuar, ndaj i falënderoj shumë për përkushtimin e tyre”, u shpreh trajneri i Kukësit në intervistën për gazetën.

Bëjmë me dije që Kukësi ka planifikuar një miqësore me Ballkanin të shtunën, ora 14:00 në “Kukës Arena”.

PANORAMASPORT.AL