Verdheblutë para testit të madh, Elbasani dhe problemi i menaxhimit të avantazhit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2026 | 20:28

Verdheblutë para testit të madh, Elbasani dhe problemi i menaxhimit të avantazhit

Elbasani po mundohet të lërë pas një nga humb jet më të rënda të sezonit, atë ndaj Dinamos, një disfatë që nuk ndikoi vetëm në moralin e skuadrës, por edhe në renditje. Verdheblutë humbën kreun dhe tashmë e shohin veten tre pikë larg Vllaznisë dhe dy pikë pas Egnatias, duke e bërë garën për vendet e para edhe më të fortë dhe më të komplikuar.

ELBASANII

Në kampin elbasanas ka pasur shumë diskutime edhe për episodet e ndeshjes, veçanërisht për penalltinë e akorduar në fundin e pjesës së parë në favor të kundërshtarit, një vendim i konsideruar i dyshimtë dhe që ndikoi në rrjedhën e takimit. Megjithatë, pavarësisht polemikave, skuadra është e vetëdijshme se duhet të kthejë faqen dhe të mos mbetet peng i asaj që ndodhi. Tashmë fokusi është zhvendosur te sfida e radhës, një përballje shumë e rëndësishme në Kupë. Elbasani do të luajë ndeshjen e parë gjysmëfinale në transfertë ndaj Egnatias, një duel që vjen në një moment delikat, por që njëkohësisht përfaqëson mundësinë ideale për reagim dhe për të rikthyer besimin brenda skuadrës.

MENAXHIMI I AVANTAZHIT – Elbasani po vuan ndjeshëm këtë sezon në një aspekt shumë specifik të lojës: menaxhimin e avantazhit. Verdheblutë kanë treguar se dinë të hyjnë mirë në ndeshje dhe të gjejnë golin e parë, por problemi nis pikërisht pas këtij momenti. Në shtatë raste të ndryshme, skuadra ka kaluar në avantazh dhe nuk ka arritur ta mbrojë rezultatin deri në fund, duke lënë pas vetes një seri ndeshjesh që tregojnë një tendencë shqetësuese. Seria nis nga përballja me Egnatian, ku Elbasani arriti të shënojë i pari, por nuk mundi ta ruajë epërsinë dhe ndeshja u mbyll 1-1 ndaj Egnatias.

 

Një skenar i ngjashëm u përsërit edhe pak më vonë, sërish ndaj të njëjtit kundërshtar, ku verdheblutë kaluan në avantazh, por përfunduan në një tjetër barazim 2-2. Më pas vjen ndeshja ndaj Vorës, një nga dy rastet më penalizuese. Edhe këtu Elbasani shënoi i pari, por këtë herë jo vetëm që nuk e mbajti dot rezultatin, por u përmbys dhe doli pa asnjë pikë, duke humbur 1-2. Një tjetër mundësi e shpërdoruar për të marrë maksimumin. Në vijim, përballja me Flamurtarin ndjek të njëjtin model: gol i parë për Elbasanin, por pa aftësinë për ta administruar ndeshjen deri në fund, duke u ndalur në barazim 1-1.

Një pikë që, në rrethana të tjera, mund të ishin tre. E njëjta histori përsëritet edhe ndaj Partizanit. Avantazh fillestar, por pa stabilitet në vazhdim, duke bërë që ndeshja të mbyllet në shifrat 2-2. Seria vazhdon me një tjetër duel ndaj Dinamos, ku Elbasani edhe një herë kalon në avantazh, por përfundon duke u ndalur në barazim 1- 1. Dhe në fund, sërish ndaj Dinamos, që përmbledh më qartë se çdo tjetër këtë problem. Elbasani shënon i pari dhe duket në rrugë të mbarë, por më pas pëson një kolaps të plotë, duke u mundur thellë 4-1.

TOTALI – Në total, nga këto shtatë ndeshje ku Elbasani ka kaluar në avantazh, bilanci është domethënës: dy humbje dhe pesë barazime. Kjo tregon se problemi nuk është te krijimi i avantazhit, por te ruajtja e tij. Nëse verdheblutë do të kishin arritur të menaxhonin më mirë këto situata, sot do të flitej për një skuadër në një pozicion shumë më të favorshëm në renditje. Në vend të kësaj, këto ndeshje janë kthyer në një model të përsëritur, që tregon se skuadra ka nevojë urgjente për më shumë qetësi, organizim dhe pjekuri në momentet kyçe të lojës.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL