Transferta në Ballsh, 3 pikë ndajnë objektivat për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2026 | 8:34

Transferta në Ballsh, 3 pikë ndajnë objektivat për Partizanin

Partizani udhëton ditën e sotme drejt Ballshit për llogari të javës së 23-të në Kategorinë Superiore, ku do të gjejë përballë vendasit e Bylisit. Të kuqtë synojnë të rikthehen sërish në rrugën e fitoreve dhe tre pikëve në kampionat pas barazimit dramatik 2-2 ndaj Elbasanit, një ndeshje që u karakterizua nga emocione dhe kthesa të shumta.bylis-partizaniLLOGARITË E RENDITJES – Sfida e kësaj jave ndaj Bylisit konsiderohet si shumë e rëndësishme për ecurinë e skuadrës, pasi ndikon drejtpërdrejtë në tabelën e klasifikimit. Një trepikësh do ta mbante Partizanin ende në garën për një vend në zonën e “Final Four”, ndërsa një humbje mund ta përfshinte skuadrën edhe në “vallen” e mbijetesës me ballshiotët e vendit të tetë që do të afroheshin në katër pikë diferencë.

NDRYSHIMET NË FORMACION – Në këtë sfidë, kryeqytetasit do të vuajnë mungesën e Xhuljano Skukës. Sulmuesi u ndëshkua me kartonë të verdhë në takimin ndaj Elbasanit dhe ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë, duke mos qenë në dispozicion të trajnerit Oltijon Kërnaja. Mungesa e tij pritet të sjellë ndryshime në repartin ofensiv, duke detyruar stafin teknik të gjejë alternativa të tjera për fazën sulmuese, ku Rrok Toma duket në “Pole Position” për të startuar si titullar. Nga ana tjetër, lajmi i mirë është rikthimi nga pezullimi i Andi Janjevës, me këtë të fundit që do të jetë një alternativë më shumë për repartin difensiv. Prania e tij në mbrojtje i jep më shumë siguri prapavijës, duke marrë parasysh edhe gjendjen e Saliu Sembene pas kolapsit në ndeshjen me Elbasanin, me stafin që mund të vendosë t’i japë ndoshta më shumë hapësirë rikuperimi.

BILANCI – Sa i takon përballjeve të këtij sezoni mes dy skuadrave, bilanci është në baraspeshë. Në fazën e parë, ballshiotët fituan në fushën e tyre me rezultatin 3-1, ndërsa kryeqytetasit i kthyen “reston” në fazën e dytë duke triumfuar në “Arenën e Demave” me rezultatin 2-1. Bylisi, nga ana e tij, vjen në këtë takim me objektivin për të shfrytëzuar faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve, duke synuar të marrë pikë të vlefshme për pozitat në renditje. Skuadra ballshiote ka treguar stabilitet në ndeshjet shtëpiake ndërsa Partizani nuk fiton në këtë transfertë prej tre vitesh (tre ndeshje në total), duke marrë parasysh ndeshjen e fazës së parë, por edhe dy sfidat e fundit të sezonit të shkuar. Triumfi i fundit i kryeqytetasve në Ballsh daton më 13 shkurt të vitit 2023, ku të kuqtë fitonin me shifrat 0-1.

KLASIFIKIMI – Aktualisht, Partizani renditet në vendin e pestë me 27 pikë, ndërsa Bylis mban vendin e tetë të klasifikimit me 20 pikë. Kujtojmë se sfida e kësaj të premte në stadiumin “Adush Muça” do të nisë prej orës 13:30.

PANORAMASPORT.AL