Trajneri mbyll aventurën me klubin e Kategorisë së Dytë, gati për një eksperiencë jashtë Shqipërisë
Trajneri Anxhelo Suta ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të KF Tërbunit, duke i dhënë fund aventurës së tij në stolin e skuadrës pukjane pas një periudhe pune dhe përkushtimi me klubin.

Përmes një statusi publik, Suta ka bërë të ditur vendimin e tij, ndërsa ka falënderuar futbollistët, stafin teknik dhe administrativ, si dhe drejtuesit e klubit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Në reagimin e tij, ai shkruan:
“Pas një periudhe pune dhe përkushtimi në drejtimin e KF Tërbunit, kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti i trajnerit të ekipit.
Kjo ka qenë një përvojë e rëndësishme profesionale dhe personale për mua, ndaj dëshiroj të falënderoj të gjithë futbollistët, stafin teknik dhe administrativ për bashkëpunimin, respektin dhe angazhimin e treguar gjatë kësaj kohe.
Një falënderim të veçantë dua t’ia shpreh Kryetarit të Bashkisë, z. Rrok Doda, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj klubit dhe futbollit në qytetin e Pukës. Gjithashtu, falënderoj Drejtorin e Klubit, z. Alfred Pjetri, për bashkëpunimin korrekt, besimin dhe mbështetjen që më ka dhënë gjatë ushtrimit të detyrës sime.
I uroj KF Tërbunit suksese në vazhdim dhe besoj se klubi do të arrijë objektivat e tij në të ardhmen.”
Ndërkohë, pas largimit nga Tërbuni, e ardhmja e trajnerit Anxhelo Suta pritet të jetë jashtë Shqipërisë. Sipas informacioneve të fundit, tekniku shqiptar po shqyrton mundësi konkrete në futbollin kosovar, por edhe në kampionatin kroat, ku ka pasur kontakte dhe interesim për angazhimin e tij në një projekt të ri sportiv.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













