Toli paralajmëron Egnatian: Eliminimi nga Kupa na dhemb, futemi për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2026 | 23:56

Toli paralajmëron Egnatian: Eliminimi nga Kupa na dhemb, futemi për fitore

Pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, Teuta duhet të kthejë menjëherë fokusin te kampionati, ku të hënën e pret një tjetër përballje e vështirë ndaj Egnatias.

toli

Mbrojtësi i Teutës, Ardit Toli, flet për “Panorama Sport” mbi zhgënjimin e Kupës, gjendjen e ekipit dhe objektivin për ndeshjen e radhës.

Ardit, si e përjetoi skuadra eliminimin nga Kupa?

Sigurisht që ishte një zhgënjim për të gjithë ne. Kupa ishte një nga objektivat dhe donim të shkonim sa më larg. Megjithatë, futbolli i ka këto momente dhe duhet ta pranojmë rezultatin. Tani duhet të nxjerrim mësime nga kjo ndeshje dhe të përqendrohemi te kampionati.

Çfarë mendoni se nuk funksionoi në atë përballje?

Ndoshta në disa momente nuk ishim aq të përqendruar sa duhet dhe në ndeshje të tilla detajet bëjnë diferencën. Krijuam edhe raste, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Këto janë gjëra që duhet t’i përmirësojmë menjëherë.

A ka ndikuar psikologjikisht kjo humbje te skuadra?

Normalisht që kur eliminohesh ndihesh i zhgënjyer, por skuadra është e bashkuar dhe po punon për të reaguar sa më shpejt. Kampionati vazhdon dhe kemi ende shumë ndeshje përpara për të treguar vlerat tona.

Të hënën përballeni sërish me Egnatian në kampionat. Sa e vështirë pritet të jetë kjo ndeshje?

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, sepse Egnatia është një ekip i mirë dhe e ka treguar këtë gjatë sezonit. Por edhe ne kemi cilësitë tona dhe do të futemi në fushë për të marrë maksimumin.

A e shihni këtë ndeshje si një mundësi për reagim?

Patjetër. Pas një eliminimi si ai në Kupë, mënyra më e mirë për t’u rikthyer është të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim rezultat pozitiv në kampionat.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL