Tirana, merkato ku dominon sulmi/ Bardheblutë kërkojnë të ndryshojnë faqe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2025 | 21:44

Tirana, merkato ku dominon sulmi/ Bardheblutë kërkojnë të ndryshojnë faqe

Tirana zyrtarizoi dje dy largimet, ato të Eman uel Ernest dhe Ualid Zharmunit si dhe afrimin e Alfred Mensah. Nga ana tjetër merkatoja e verës ka sjellë plot lëvizje për Tiranën, me disa emra të spikatur ndërkombëtarë dhe disa rikthime vendase.

MENSAH

Drejtuesit bardheblu kanë tentuar të kombinojnë eksperiencën me energjinë e re, por mbetet për t’u parë nëse këto afrime do ta rikthejnë klubin në garë për titull.

KRAHU I SULMIT

Në repartin ofensiv, Tirana ka investuar më së shumti. Tsotne Patsatsia (25 vjeç, Gjeorgji) dhe Víctor Fernández (27 vjeç, Spanjë) janë sjellë për të rritur konkurrencën në krahun e djathtë. I pari vjen nga Torpedo Kutaisi, me një profil shpejtësie dhe driblimi, ndërsa spanjolli ka eksperiencë europiane nga Nea Salamina.

Në krahun tjetër, Serge Tabekou (28 vjeç, Belgjikë) shihet si lojtari më i shtrenjtë i merkatos (325 mijë €), me pritshmëri të larta për të qenë titullar absolut në krahun e majtë. Megjithatë, suksesi i këtyre afrimeve do të varet nga përshtatja e shpejtë me Superioren shqiptare, ku dinamika dhe fizikaliteti shpesh bëhen pengesë për lojtarët e ardhur nga jashtë.

SULMI QENDROR

Në qendër të ofensivës, Tirana ka marrë disa emra, por ende mungon një “bomber” i mirëfilltë. Alfred Mensah (26 vjeç, Ganë) erdhi nga Vllaznia, ndërsa kanadezi Oluabori Falaje (26 vjeç) iu bashkua si lojtar i lirë. Shtojmë këtu edhe Etienne Taren (21 vjeç) që erdhi nga Dukagjini. Në letër, këto janë alternativa, por asnjëri nuk ka statura e golashënuesit kryesor që Tirana ka kërkuar prej kohësh.

MESFUSHA

Në mesfushë spikat rikthimi i Erando Karabecit (36 vjeç), një emër i madh për historinë e klubit, por tashmë në fazën e fundit të karrierës.

Roli i tij pritet të jetë më tepër si lider në dhomat e zhveshjes dhe lojtar për eksperiencë, sesa si titullar konstant. Nga Brazili, Eliton Zhunior (27 vjeç) sjell fantazinë e një “trekuartist”, një profil që Tirana nuk e ka pasur vitet e fundit, dhe që mund të bëjë diferencën në ndeshjet e mbyllura. Goli i fundit me Vorën tregoi plus për të.

MBROJTJA

Kleandro Lleshi (25 vjeç) vjen nga Laçi dhe shihet si përforcim i rëndësishëm për qendrën e mbrojtjes. Në krahun e majtë, është afruar greku me përvojë Georgios Valerianos (33 vjeç), një lojtar me bagazh të madh që pritet të sjellë stabilitet. Në portë, është afruar Angelo Tafas (25 vjeç) nga Teuta, një alternativë e besueshme për konkurrencë me titullarin aktual.

BILANCI I MERKATOS

Në total, Tirana ka bërë një merkato të bollshme numerikisht, duke afruar lojtarë nga  8 shtete të ndryshme. Megjithatë, dilema kryesore mbetet. A janë këta emra zgjidhje reale për problemet e skuadrës, sidomos në sulm, apo thjesht rotacion pa cilësi të nivelit të lartë?

Për momentin, vetëm Serge Tabeku dhe Eliton Zhunior duken si emrat që mund të bëjnë diferencën menjëherë. Pjesa tjetër është ende në provë dhe do të gjykohet nga mënyra se si përshtaten në kampionatin shqiptar.

BLERJET E TIRANES

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL