Tërnoci, fshati nga Lugina e Preshevës që furnizon Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2015 | 21:40

Tërnoci, fshati nga Lugina e Preshevës që furnizon Shqipërinë

Arbnor Fejzullahu prezantohet te PartizaniArbnor Fejzullahu debutoi para dy javësh me Kombëtaren e Shqipërisë. Me Fejzullahun, Kombëtarja e Shqipërisë u zgjerua edhe në Luginën e Preshevës, vendbanim ky në territorin e Serbisë i banuar me shqiptarë, që deri më tani nuk ishte i “prekur” nga ekipi i futbollit që po vlerësohet se po i bashkon të gjithë shqiptarët.

22- vjeçari është i pari nga Lugina në Kombëtare, por atij shumë shpejt pritet t’i bashkohet edhe një lojtar me prejardhje nga ky vend, mbrojtë- si Berat Xhimshiti.

Shumë shpresojnë se Fejzullahu e Xhimshiti do të bëjnë reklamë të mirë dhe, brenda pak viteve, numri i lojtarëve nga Lugina e Preshevës në Kombëtare do të jetë më i madh. E përbashkëta e të gjithë lojtarëve nga Lugina që janë në Kombëtare, afër saj apo që mund t’i bashkohen në të ardhmen e afërt, është se janë nga i njëjti vend: nga fshati Tërnoc i Madh që është në komunën e Bujanocit dhe ka afër 10 mijë banorë. Tërnoci, ndër të tjera, është i njohur për dashurinë që ka ndaj futbollit dhe për klubin e futbollit të themeluar në vitin 1976 e që aktualisht garon në një ligë rajonale të Serbisë.

Fejzullahu

“Jam i lumtur që jam i pari nga Lugina e Preshevës në Kombëtaren e Shqipërisë. Shpresoj që, me paraqitje të mira, të hap rrugën për futbollistë të tjerë shqiptarë nga kjo pjesë. Në fakt, Tërnoci e Lugina gjithnjë kanë pasur lojtarë të mirë dhe ndoshta dikush edhe më herët është dashur të jetë në Kombëtaren shqiptare”, ka thënë Fejzullahu për “Kohën Ditore”. Ai ka nisur karrierën pikërisht në klubin Tërnoci. Më pas luajti për Besën e Kavajës dhe tani është pjesë e Partizanit të Tiranës. Për të po shfaqin interesim skuadra nga vende të ndryshme europiane. Vlerësohet si lojtar që mund të japë kontribut në prapavijën e kuqezinjve. Fejzullahu luajti pak minuta për Shqipërinë më 8 qershor në fitoren 1-0 ndaj Francës.

Xhimshiti

22-vjeçar është edhe Xhimshiti, i cili është rritur në Zvicër, por me prejardhje është nga Tërnoci i Madh. Ai ka kaluar tërë karrierën te klubi i Zyrihut. Ka luajtur pesë ndeshje për U-21 të Zvicrës, ndërsa së shpejti do t’i bashkohet Kombëtares shqiptare. Ka dorëzuar tashmë dokumentacionin për t’u pajisur me pasaportën shqiptare për të fituar kështu të drejtën të luajë me Kombëtaren.

Taipi

Mesfushori Gjelbrim Taipi, po ashtu 22-vjeçar, që ka nisur karrierën te Tërnoci, u bë i njohur te Shkëndija e Tetovës, ndërsa prej vitit 2013 luan për Vilin në kategorinë e dytë zvicerane. Ai ka veshur shumë kohë më parë fanellën e Kombëtares, por të asaj Shpresa (U-21). Ka shënuar një gol në nëntë ndeshje. Edhe Fejzullahu më herët ishte pjesë e U-21, madje edhe e U-19 të Shqipërisë. Taipi vlerësohet shumë te Vili dhe shpreson që të bëjë lëvizje në karrierë, që do t’i mundësonte ftesën në kombëtare.

Ramizi

23-vjeçari Samir Ramizi nisi po te Tërnoci. Më pas ka luajtur në Kosovë për Drenicën e Dritën para se të kalonte në Zvicër në vitin 2011. Luajti për Stade Nyonnais, Servette, Etolie Carouge dhe në dy edicionet e fundit për Vohlenin në kategorinë e dytë. Sulmuesi, me përvojë edhe në Superligën zvicerane, shënoi nëntë gola në edicionin e fundit në 32 ndeshje për Vohlenin. “Si në çdo vend që ka futbollistë të talentuar, edhe në Luginën e Preshevës ka pasur dhe ka shumë të rinj të talentuar. Por vetëm talenti nuk mjafton për sukses. Është fakt se shumica e lojtarëve të njohur nga Lugina janë të Tërnocit, janë rritur në këtë fshat e tashmë luajnë jashtë. Kemi qenë së bashku shumica, pasi u rihap shkolla e futbollit në Tërnoc nga i ndjeri Rexhep Adili, si dhe nga Sadat Pajaziti. Kemi punuar së bashku afro tetë vite. Është punuar shumë nga trajneri Sadat Pajaziti që atë talent ta shfrytëzojmë si duhet”, ka treguar Samir Ramizi.

“Më kujtohet se kur kemi filluar, trajneri na tha se do ta arrinim edhe kombëtaren A. Ai ka qenë një prej qëllimeve tona kryesore. I pari e arriti Arbnori (Fejzullahu), por jemi të bindur se edhe ne të tjerët, herët a vonë, do të jemi së bashku aty me Arbnorin, si dikur në Shkollën e Futbollit të KF Tërnoci. Në Tërnoc ka ende shumë talente që jetojnë me futbollin dhe shpresojmë që edhe ata të dalin në dritë”, ka shtuar Ramizi.

Në fakt, lojtarët e Tërnocit i dallon edhe shoqëria e mirë që kanë. Shpesh pushimet i kalojnë bashkë. “Kemi shoqëri shumë të mirë me të gjithë dhe, sa herë na ofrohet mundësia, takohemi dhe e kalojmë kohën së bashku”, ka thënë Ramizi.

Rrugët e hapura nga Limani

Shumë më herët se Fejzullahu, Taipi, Ramizi e Xhimshiti, në futboll ka bërë emër Mensur Limani. Mesfushori 30- vjeçar ka luajtur për Dritën e Gjilanit, Bashkimin e Milanon në Kumanovë, Prishtinën, Drenicën, AZAL-in në Azerbajxhan, Tiranën dhe së fundi prapë për Dritën e Gjilanit. Limani ishte edhe futbollist i Kosovës. Ai ka treguar se nga Tërnoci janë edhe Sehar Fejzullahi e Bashkim Reneke (Ajdini) që luajnë në Zvicër e Gjermani.

“Në Tërnoc ka pasur lojtarë gjithmonë. Punohet shumë me gjenerata të reja, – thotë Limani. – Problemi ka qenë që duhej dikush si unë të bënte diçka që të tjerët të shohin se me të vërtetë edhe nga Tërnoci mund të arrihet gjithç- ka. Në fakt, unë e kam pasur shumë më të vështirë sepse çdo gjë kam arritur ta bëj vetë, falë trajnerit të ndjerë Rexhep Adilit dhe sponsorit tim Nuredin Limani që më ka përkrahur në çdo gjë. Me brezat e rinj është kujdesur shumë Sadat Pajaziti, i cili ka bërë punë shumë të madhe. E kanë pasur shumë më të lehtë këta të rinjtë sepse filloi interesimi nga shumë skuadra më pas, duke parë se në Tërnoc ka shumë futbollistë. Përveç këtyre, janë edhe Alban Tusuni e Almedin Murati, që luajnë po ashtu për Dritën”.

Limani thotë se i tërë Tërnoci është krenar që më në fund ka lojtarë në Kombëtare.

“Edhe Berat Xhimshiti ka kohë që i bëhet ftesë, por tani më në fund e ka pranuar atë dhe ka dorëzuar dokumentacionin. Jam shumë i sigurt se shumë shpejt edhe Gjelbrim Taipi e Samir Ramizi do të jenë pjesë e Kombëtares, pasi bëhet fjalë për lojtarë me cilësi shumë të larta”.