Skënderbeu autogol; SUPERdhuratë Tiranës për Bajram…
Nuk ka dashur të japë sqarime për kontratën e tij dhe arsyet pse po mban pezull firmën, në një kohë që ka rreth 1 muaj e gjysmë që ka arritur parimisht akordin me drejtuesit e Tiranës. Trajneri spanjoll, Hulian Rubio, pasi ka pranuar një kontratë 2-vjeçare për 130 mijë euro në sezon, nuk ka nënshkruar për shkak të një klauzole të vendosur në lidhje me synimin e klubit për fitimin e titullit kampion. Burime të sigurta pranë drejtuesve të Tiranës treguan dje për “Panorama Sport” se, spanjollit i është vënë si kusht që në rast se skuadra nuk merr titullin, atëherë do t’i mbahet 20% e paràve nga kontrata. “Hiqni këtë klauzolë dhe unë firmos direkt. Asnjë trajner në botë nuk mund të garantojë 100% fitimin e titullit. Gjërat nuk mund të funksionojnë kështu”, – mësohet se u ka thënë Rubio drejtuesve në momentin e parë sapo ka vërejtur se atij do t’i mbahej 20% e kontratës në rast se bardheblutë nuk shpallen kampionë. Zyrtarisht, nga ana e drejtuesve është thënë se “presim trajnerin të hedhë firmën, çdo gjë është në dorën e tij”. Pak ditë më parë gazeta zbuloi se bordi drejtues i klubit i kishte vënë ultimatum trajnerit, të cilin e priste jo më shumë se 3-4 ditë. Klauzola në kontratë tashmë është kthyer në çështje dhe ndoshta pas fitimit të Superkupës gjërat mund të sheshohen, por gjithsesi nuk ka siguri. Nëse klubi nuk lëshon, gjasat janë që Rubio këto ditë t’i thotë lamtumirë Tiranës.
Rubio: Kontrata, problem i klubit
“Unë e kam dhënë fjalën, dua të vazhdoj te Tirana. Kontrata ime është problemi i klubit”. Trajneri spanjoll, Hulian Rubio, edhe pse jo me entuziazmin e tij të zakonshëm, rikonfirmoi dje pas fitimit të Superkupës së Shqipërisë se kërkon të qëndrojë në krye të pankinës bardheblu. Në një intervistë pas ndeshjes, ai foli për suksesin e skuadrës së tij dhe të ardhmen. Ndër të tjera spanjolli theksoi se java e kaluar ishte ndër më problematiket për skuadrën e tij, qëkurse ai ka marrë drejtimin.
Rubio, trofeu i tretë që fitoni me Tiranën. Si ndiheni?
Jam shumë i lumtur për këtë sukses, pasi kam punuar gjatë gjithë kësaj kohe. Detyrimet që kam si trajner mendoj se i kam shlyer, si ndaj klubit, edhe ndaj lojtarëve. Ndihem vërtet shumë i kënaqur dhe dua t’ia dedikoj këtë sukses përgatitësit atletik, Gabriel Rejes, si dhe përkthyesit tim, Erjonit, i cili është një njeri besnik. Gjithashtu, i falënderoj të gjithë lojtarët.
Pas daljes me karton të kuq të Dushkut, menduat se mund ta humbnit Superkupën?
Po, sigurisht. Rrezikuam shumë kur ishim me 10 lojtarë. Përballë kishim një skuadër mjaft të mirë si Skënderbeu dhe gjithçka ishte e mundur. Siç fituam ne, këtë mund ta bënte edhe kundërshtari. Dihej që ai që do të gabonte më pak, do të fitonte ndeshjen.
Tashmë pas këtij suksesi, a do ta zyrtarizoni rinovimin e kontratës me klubin e Tiranës?
Unë kam dhënë fjalën dhe nuk kam asnjë problem. Mendoj se ky është problemi i klubit. Pas gjithë polemikave që kemi pasur në këtë periudhë, unë gjithnjë kam treguar se jam një njeri i ndershëm. Ju konfirmoj se jam i gatshëm të vazhdoj punën.
Sa shanse ka që kjo skuadër të shpallet kampione?
Nëse na i lejojnë rrethanat, patjetër që mund të shpallemi kampionë. Sigurisht, duhet të rregullojmë disa gjëra. Kjo javë që lamë pas kishte shumë probleme. Shpresoj të mos përsëritet kurrë.
Mund të quhen tashmë të mbyllura polemikat mes jush dhe mesfushorit Klodian Duro?
Unë nuk kam probleme me Duron. Shikoni, nëse unë do ta kisha inat lojtarin, atëherë nuk do ta grumbulloja fare. Për këtë të jeni të sigurt. Ai është këtu, sepse është i domosdoshëm. Unë jam profesionist dhe bëj vlerësimet e mia si trajner.
Tirana, në sulm për 3 lojtarë të Skënderbeut
Tirana hidhet në sulm për tre lojtarë të Skënderbeut. Edhe pse ata janë nën kontratë me skuadrën kampione në fuqi, mësohet se klubi bardheblu po bën ç’është e mundur për të bindur lojtarët. Burime të sigurta pranë ekipit fitues të Superkupës treguan dje për “Panorama Sport” se mbrojtësit e majtë Renato Arapi dhe Endri Vrapi, si dhe mesfushori Dorian Kërçiku janë pikësynimi kryesor i Tiranës. Ky i fundit ka qenë në sezonin e kaluar pjesë e bardhebluve, por u largua në momentet e fundit drejt Korçës. Ndërkohë, lojtarët mëngjarash, Vrapi e Arapi, mësohet se pëlqehen shumë nga Rubio. Gjithsesi, duket e vështirë që këta të tre të prishin kontratën me Skënderbeun. Ndoshta në ditët në vijim mund të ketë diçka konkrete, ndërkohë që është i sigurt fakti se drejtuesit e Tiranës do të bëjnë maksimumin për të marrë të paktën një nga lojtarët, sidomos Arapin ose Vrapin. Osmani – Portieri durrsak, Alfred Osmani, pritet t’i bashkohet Skënderbeut. Burime pranë skuadrës kampione treguan për gazetën se Osmani është një alternativë serioze për të blinduar repartin e portës. Në këtë të fundit bën pjesë durrsaku Shehi, i cili është një titullar i padiskutueshëm. Për të kompletuar skuadrën, trajneri Josa pret edhe tri përforcime. Ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me kroatin Tomiç, ndërkohë që janë të pakta gjasat që kosovari Mentor Zhdrella të firmosë për Skënderbeun. Fantazisti nga Prishtina e ka lënë pezull klubin korçar, duke mos kthyer ende një përgjigje përfundimtare. Për momentin drejtuesit e Skënderbeut janë hedhur në sulm për të gjetur dy mesfushorë krahu.
Autogoli i Radasit në fund u jep Superkupën bardhebluve
SKENDERBEU – TIRANA 1-2
Golat: Plaku 51′ / Taku 39′, Radas 90′
SKËNDERBEU: Shehi, Fagu (Bici 58’), Radas, Gvozdenoviç, Arapi, Kuli (Kërçiku 53’), S.Lilaj (Dimo 78’), Orelesi, Çaushaj, Pejiç, Plaku. Trajner: M.Josa
TIRANA: I.Lika, Sina, Dushku, Pisha, Ahmataj, Taku, Karabeci (K.Duro 69’), Muçollari, G.Lika, Ferraj (Peposhi 10’, Kalari 85’), Çota. Trajner: Hulian Rubio
KARTONË TË VERDHË: Kuli’, Arapi, Lilaj/ G.Lika, Dushku, Taku
KARTONË TË KUQ: Dushku 82’, G.Lika 90’
Gjyqtar: Enea Jorgji (Elbasan)/ R.Çokaj (Lezhë) dhe R.Avdo (Tiranë)
Vëzhgues: Ilir Kristo (Tiranë)
Delegat: Ilir Shulku (Tiranë)MINUTAT
3’ Kroson Arapi nga e majta, Pejiç në zonë me kokë, por topi përfundon jashtë.
6’ Goditje dënimi nga jashtë zonës, gjuan Gilman Lika, grushton portieri Shehi.
12’ Kros i Plakut në zonë, del huq Dushku dhe Ilion Lika. Kuli me portën bosh nuk arrin të shënojë, duke gjuajtur mbi tra. 15’ E tmerrshme çfarë humb Pejiç: del përballë Ilion Likës dhe nuk arrin të gjejë kohën e duhur për të gjuajtur.
39’ Dushku hedh nga mesfusha një kros në zonë, ku gjen të lirë Takun, i cili gjuan duke shënuar, 0-1.
45’ Fagu, në pozicion të prirët me portën, gjuan me të majtën, por topi përplaset në rrjetën e jashtme.
51’ Gabon rëndë Ahmataj në zonë, përfiton Plaku, i cili shmang Dushkun dhe gjuan fort duke barazuar dhe 1-1.
56’ Plaku hyn bukur në zonë, gjuan me të majtën, por pret Ilion Lika.
67’ Pejiç në zonë gjuan, por topi devijohet nga një mbrojtës.
68’ Goditje këndi: topi në zonë, gjuan me kokë Orelesi, pret mrekullisht Ilion Lika.
72’ Çaushaj gjuan fort nga goditja e dënimit, grushton Ilion Lika.
73’ Gilman Lika gjuan fluturimthi në hyrje të zonës, topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.
76’ Kërçiku në hyrje të zonës gjuan, por topi përplaset në një mbrojtës dhe del jashtë.
82’ Dushku pengon Pejiçin dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe automatikisht i kuq. Tirana me 10 lojtarë.
87’ Pejiç pason bukur në zonë për Plakun, i cili përballë Likës gjuan mbi tra.
90’ Gilman Lika nga e djathta lëshon një top në zonë, i cili devijohet gabimisht në rrjetë, 1-2.
Tirana ia del edhe në një ditë jo edhe aq pozitive. Pas një jave gjithë stres prej merkatos boshe dhe “Luftës së Ftohtë” Rubiodrejtues, vjen si “qershizë mbi tortë” trofeu i parë i sezonit: Superkupa e Shqipërisë. Një gol i Takut në pjesën e parë dhe një autogol i Radasit në fund të takimit zhvlerësuan shënjestrën e Sebino Plakut, duke bërë që Tirana ta festojë për herë të 10-të këtë trofe nga 19 finale të luajtura në total që nga 1989-ta. Nga ana tjetër, Skënderbeu, edhe pse zhvilloi një ndeshje shumë herë më të mirë se bardheblutë, nuk arriti të ishte efikas para portës. Kjo, edhe për shkak të formës shumë të mirë të kapitenit të Tiranës, Ilion Lika (absolutisht më i miri në fushë).
Ndeshja – Duhet pranuar se korçarët, edhe pa kapitenin Shkëmbi në dispozicion (i dëmtuar), si dhe pa të larguarit me peshë si: Xhafaj, Bratiç dhe Muzaka, luajnë më mirë sesa Tirana. Por, si gjithnjë, bardhekuqtë shpërdorojnë shumë te porta kundërshtare. Korçarët e nisën mirë ndeshjen, duke tentuar që të vinin në punë shtatlartësinë e Pejiçit dhe lëvizshmërinë e Plakut në linjën e sulmit. Ndaj, që në minutat e para shihet që kampionët në fuqi e spostojnë lojën nga krahët, duke u munduar të hedhin sa më shumë krosime në zonë. Në një të tillë është Arapi që jep një top të bukur, por Pejiç nuk arrin dot ta shënjestrojë portën. Kundërpërgjigjet Tirana me anë të një goditjeje dënimi nga jashtë zonës me Gilman Likën, por Shehi në pozicion arrin të grushtojë. Gjithsesi, lojën e bën Skënderbeu, i cili në pak minuta ka dy raste të pastra për shënim: Kuli del përballë Ilion Likës me portën bosh, por çuditërisht nuk arrin të gjuajë në kuadrat, ndërsa bën më keq akoma Pejiç, i cili pasi futet në zonë është i vetëm përballë portierit, por nuk gjen kohën për të gjuajtur, duke bërë që mbrojtja të kthehej në pozicion. Trajneri i Tiranës sheh se skuadra e tij vuan, ndaj u thërret të tijve që ta spostojnë disi lojën në mesfushë. Kështu, pas minutës së 15-të, luhet kryesisht në zona të ngushta dhe me shumë gabime në pasime. Gjithsesi, mjafton një shpërqendrim i bardhekuqve dhe një kros pa shumë pretendime që nga mesfusha i Dushkut gjen Takun të lirë në zonë, i cili gjuan duke shënuar. Ndizet “Qemal Stafa”, i mbushur më së shumti me tifozeri bardheblu, ndërsa shokohen bardhekuqtë.
Autogoli – E megjithatë, kampionët në fuqi tentojnë të kthehen në lojë në fraksionin e dytë, kur pas vetëm pesë minutash vjen gafa e Ahmatajt. Ashtu si në ndeshjen e fazës së dytë në Korçë, edhe këtë herë, mbrojtësi tregoi limitet e tij duke gabuar një largim të topit nga zona. Aty përfiton Plaku, i cili mposht Ilion Likën. Skënderbeu merr zemër pas barazimit dhe për minuta të tëra e mbyll Tiranën në mbrojtje. Sulme të njëpasnjëshme, që kanë për autor Plakun, Pejiçin, por edhe Çaushajn, nuk sjellin veçse kartonë të shumtë, nga të cilët edhe një të kuq në minutën e 82-të për Dushkun. Bardheblutë me një lojtar më pak, kështu që korçarët bëjnë presion te porta e Tiranës, në kërkim të golit të fitores. Por ja që ndodh e pabesueshmja: minuta e fundit e ndeshjes, Klodian Duro merr një top në mesfushë, tenton i vetëm të çajë drejt portës, në fund pason djathtas për Gilman Likën, i cili pasi kroson në zonë, topi devijohet nga Radas në rrjetë. Tirana në avantazh, ndërkohë që arbitri i katërt sinjalizon për tre minuta shtesë. Nga ana tjetër, Gilman Lika nga gëzimi heq fanellën dhe ndëshkohet me të drejtë nga arbitri kryesor. Karton i dytë i verdhë për shkodranin dhe Tirana luan shtesën me 9 lojtarë në fushë. Gjithsesi, nuk ndodh asgjë dhe bardheblutë marrin trofeun e parë të sezonit: Superkupën e Shqipërisë.
MË I MIRI
Ilion Lika ka qenë lojtari më i mirë i finales së djeshme. Kapiteni dhe portieri i Tiranës bëri disa pritje spektakolare, duke i mohuar në dy-tri raste golin si Pejiçit, Plakut, por edhe Çaushajt (nga goditja e dënimit). Lojë të mirë zhvilloi edhe Gvozdenoviç te Skënderbeu, i cili markoi mjaft mirë Çotën, duke mos i dhënë mundësi këtij të fundit që të rrezikonte asnjëherë.MË PAK AKTIVI
Julian Ahmataj dhe Erjon Dushku. I pari u pa qartë që nuk ishte në një ditë të mirë, pasi gaboi jo vetëm te goli i barazimit të shënuar nga Plaku, por edhe në disa raste të tjera, duke i dhënë mundësi Skënderbeut që të sulmonte më shumë nga krahu i djathtë. Ndërsa Dushku gaboi në momentin e marrjes së kartonit të dytë të verdhë në një pozicion pa shumë rrezikshmëri, në mesfushë, duke lënë më pas Tiranën me një lojtar më pak.
Supersfida, 1 vit e 1 ditë më pas, ja ndryshimet
Ishte 18 gushti i 2011- ës. Tirana shkonte në Korçë, me “petkun” e sfidueses dhe me parashikimet që e jepnin të dorëzuar që në Qafë-Plloçë. Në fakt, përtej dyshimeve, bardheblutë të targuar “Hulian Rubio”, pas më shumë se një ore protestash e incidentesh mes tifozerive, hyri në fushë dhe arriti jo vetëm ta fitonte finalen e Superkupës, por edhe të dominonte në lojë, përkundrejt Skënderbeut asokohe i drejtuar nga Shpëtim Duro. Sot, një vit e një ditë më pas, janë sërish po këta protagonistë, por këtë herë luhet në Tiranë, në “Qemal Stafa”, ku inatet janë gjithsesi me tepri.
Bardhekuqtë donin revanshin, ndërsa bardheblutë kërkonin konfirmimin, sërish me Rubion në krye. Sakaq, Skënderbeu zbriste përsëri në fushë me “petkun” e kampionit, por me shumë ndryshime jo vetëm në formacion, por edhe në drejtim. Kështu, në krahasim me sezonin e kaluar, nga korçarët janë larguar 8 lojtarë dhe afruar 5 të tjerë. Ndërsa në drejtim është një tiranas “i thekur” si Mirel Josa, i cili jo vetëm që ka luajtur për 1 dekadë te klubi bardheblu, por edhe e ka drejtuar si trajner duke fituar tre trofe: kupë, kampionat dhe Superkupë. Megjithëse Josa do të duhet të bënte llogaritë me faktin se në kundërshti nga paraardhësi i tij, Levi, nuk do të ketë në dispozicion lojtarë si: Davor Bratiç, Igli Allmuça, Daniel Xhafaj, Gjergji Muzaka dhe Luko Biskup, teksa janë afruar Bekim Kuli, Pero Pejiç, Sabien Lilaj, Jorgo Çipi dhe Ilirjan Çaushaj. Në pamje të parë duket se, të paktën teorikisht, nga merkatoja ky Skënderbe më shumë ka humbur sesa ka fituar, ndaj jo pa qëllim edhe Josa ka pohuar dje për “Panorama Sport” se dëshiron edhe të paktën dy përforcime.
Nuk është më mirë Tirana, nga e cila është larguar golashënuesi më i mirë: Bekim Bala, i zëvendësuar nga Mirel Çota. Ndërkohë, nëse shikon me vëmendje formacionin e Tiranës së vjetshme me aktualen vëren ndryshime edhe në mesfushë, ku nuk është më dhe as keniani Xhejms Situma. Veç tyre, janë larguar nga kjo Tiranë edhe Sokol Cikalleshi, Florent Aziri dhe Arvist Gjata, teksa kanë firmosur për bardheblutë, Elton Muçollari, Arbër Abilaliaj dhe Mensur Limani. Në pamje të parë duket se bardheblutë nuk kanë humbur shumë nga merkatoja, por ajo që shqetëson është atmosfera problematike, si dhe “Lufta e Ftohtë” që ekziston prej javësh tashmë mes trajnerit Rubio dhe drejtuesve të klubit. Spanjolli nuk ka firmosur ende rinovimin, teksa nuk ka kursyer edhe kritikat për pjesën financiare dhe merkaton pa shumë cilësi. Në konkluzion, edhe pse kemi dy skuadra me mjaft ndryshime, vlen të theksohet se rivaliteti dhe spektakli pritej të mos mungonte as në këtë takim.
Skënderbeu-Tirana, një shkelm krizës
Quajeni finalja e krizës. Ndonëse tifozët më fanatikë zor se do ta besonin se skuadra e tyre e zemrës është në krizë, faktet tregojnë që te Tirana dhe Skënderbeu nuk “flenë mbi dafina”. Që të dyja këto skuadra vuajnë jo vetëm nga merkatoja, e kushtueshme në largime dhe tejet e dobët në afrime, por edhe nga atmosfera deri diku mbytëse, si rezultat i paqëndrueshmërisë financiare. Skënderbeu vinte pas eliminimit deri diku shokues në turin e dytë të Ligës së Kampioneve nga Debreceni. Pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë, u duk se korçarët do arrinin të bënin hapin e madh në Evropë. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Bardhekuqtë jo vetëm që u eliminuan nga hungarezët (humbën 3-0), por humbën edhe shumë më shumë se kaq: si në një reaksion zinxhir nisën firot, duke filluar me largimin e papritur të ish-presidentit Agim Zeqo, me mosrinovimin e kontratave me disa nga lojtarët më të mirë të sezonit të shkuar si Daniel Xhafaj, Muzaka, Bratiç etj, dhe në fund me largimin përfundimisht nga pankina të teknikut çek, Stanislav Levi. Ndonëse ky i fundit u zëvendësua menjëherë nga Mirel Josa, duhet thënë se sërish ky Skënderbe nuk është identik me atë të dy sezoneve të fundit. Mjafton të vëresh mënyrën se si janë bërë kontratat e reja (rroga më të ulëta dhe me klauzola të tipit: mbajtje 30% të parave në rast mosfitimi të titullit kampion) dhe organikën më të dobët në numër e cilësi, për të dalë në konkluzionin se edhe Korça është mbërthyer nga kriza financiare. Sakaq, kur flitet për financa, Tirana të duket si një skuadër province. Fakt është që klubi bardheblu vazhdon të vuajë rrogat e prapambetura si ndaj stafit teknik edhe ndaj lojtarëve (vetëm pak ditë më parë, më pak se gjysma e skuadrës mori rrogën e qershorit), çka ka bërë që disa nga “senatorët” të mendojnë largimin nga kjo skuadër (Aziri e Bala, të larguar tashmë, por edhe refuzimi i Gilman Likës që të rinovojë kontratën, e cila i skadon në fund të vitit). Ndërkohë, duhet pranuar se merkatoja e kësaj vere është absolutisht ndër më të dobëtat që ka bërë ky klub, të paktën në dekadën e fundit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar disa herë edhe vetë trajneri Rubio, i cili nuk ka reshtur së ankuari për mungesën e prurjeve cilësore. Gjithsesi, do të ishte luks nëse problemet te Tirana do mbaronin me kaq. Eliminimi turpërues nga Liga e Evropës (5- 0 nga Alesundi, humbja më e thellë në historinë e kësaj skuadre në Kupat e Evropës), si dhe dyshimet për trukim të ndeshjes kanë bërë që përreth klubit të mbizotërojë një atmosferë mbytëse, aq sa edhe dy ditë para ndeshjes të mos flitet për anën taktike dhe se si do organizohet ekipi dhe klubi, por për gjithçka tjetër përveçse futboll. Në këtë aspekt, finalja e sotme merrte një rëndësi shumë herë më të madhe edhe nga çfarë i ka dhënë këtij trofeu realisht Federata Shqiptare e Futbollit (i vetmi trofe pa përfitim financiar). Të paktën teorikisht (po pse jo edhe praktikisht), Tirana largon sadopak problematikën që e rrethon duke e justifikuar minimalisht këtë të fundit me nisjen mbarë të sezonit të ri futbollistik.
Superkupa, trofeu më i pavlerë i shqiptarëve
Ndonëse është trofeu që starton se zonin e ri futbollistik, ndonëse është trofeu që diskutohet nga dy skuadrat, teorikisht më të mira të sezonit paraardhës: kampiones dhe fitueses së kupës, përsëri Superkupa rezulton se është trofeu më pak i vlefshëm në kampionatin shqiptar, duke filluar që nga Superiorja e deri te moshat. Sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit (Neni 49 – Trofeu Superkupa e Shqipërisë), skuadra që fiton këtë trofe nuk merr asgjë tjetër (financiarisht), veçse medaljet e prodhuara nga FSHF-ja. Ndërkohë që nuk duhet harruar që për kampionin e Kategorisë Superiore jepen, veç medaljeve dhe trofeut, edhe 10 milionë lekë të rinj; për fitues i Kategorisë së Parë, 3 milionë lekë (të rinj); për fitues i Kategorisë së Dytë, 2 milionë lekë (të rinj); për fituesin e kampionatit për femra, 1 milion lekë (të rinj);, për fituesin e kampionatit të futsallit, 500 mijë lekë (të rinj); për ekipi fitues të Kupës së Shqipërisë, 5 milionë lekë (të rinj); për fituesin e trofeut “Fair Play”, 1.5 milionë lekë dhe për golashënuesit e Kategorisë Superiore, 200 mijë lekë (të rinj) dhe Kategoria e Parë, e Dytë dhe Femra nga 100 mijë lekë (të rinj). Kështu sot, njëra mes Tiranës dhe Skënderbeut, duhet t’i gëzohet vetëm moralisht faktit nëse fiton këtë trofe, ndërsa financiarisht pritet të mos përfitojë as nga shitja e biletave. Këto të fundit do të shkojnë në arkën e federatës, duke qenë se ky institucion “po kontribuon” në zhvillimin e këtij takimi, për më tepër me drita falë gjeneratorit. Siç dihet, CEZ nuk furnizon me energji elektrike stadiumin, për shkak se ky i fundit ka një debit prej më shumë se 7 milionë lekësh, ndaj federata duke mos dashur ta shlyejë detyrimin ka gjetur zgjidhje te gjeneratori.
Neni 49 – Trofeu Superkupa e Shqipërisë
1. Trofeu Superkupa e Shqipërisë do të përbëhet si më poshtë:
a) Kupa e fituesit të Superkupës së Shqipërisë. b) Tridhjetë medalje për ekipin fitues të Superkupës.
2. Kupa e fituesit të Superkupës modelohet dhe prodhohet në metal të çmuar, në ar dhe argjend, duke filluar me edicionin e parë të prodhimit për sezonin futbollistik 2011-2012. Medaljet e ekipit fitues shpërndahen për pjesëtarët e ekipit fitues, në përputhje me përcaktimet si më poshtë:
a) Njëzet e dy medalje shpërndahen për lojtarët më të mirë të ekipit fitues, 4 (katër) medalje shpërndahen për trajnerët dhe 4 (katër) medalje shpërndahen përkatësisht për sekretarin e klubit, oficerin e sigurisë, zëdhënësin e shtypit dhe presidentin e klubit përkatës.
b) Medaljet e fituesit të Superkupës shpërndahen gjatë ceremonisë së shpalljes së ekipit fitues, të organizuar nga FSHF-ja.
c) Medaljet e shpërndara mbeten pronë e personave, të cilët i përfitojnë këto medalje, përveç rastit të zbatimit të sanksioneve me zmbrapsje të trofeve ndaj personit përkatës, siç përcaktohet në Kodin e Disiplinës Sportive të FSHF-së.
STATISTIKA DHE KURIOZITETE
a) Katër edicionet e para të finales së Superkupës (1989 Dinamo-Tirana 2-0; 1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p); 1991 Flamurtari-Partizani 1-0; 1992 Elbasani-Vllaznia 3-2) janë zhvilluar në të njëjtën datë, 11 janar.
b) Në edicionet e tjera të finaleve “dimërore” ua zunë vendin ato “veroret”, madje duke i paraprirë startit të ri të kampionatit.
ç) Nga 19 finalet e luajtura deri tani, 13 herë janë fituar nga ekipet kryeqytetase dhe vetëm në 6 raste kanë qenë skuadrat e rretheve që kanë dalë fitimtare.
d) Në katër raste finalet kanë qenë “puro” kryeqytetase dhe vetëm në dy raste ka qëlluar që Superkupa të diskutohej mes dy ekipeve nga rrethet.
dh) Ndër tetë skuadrat që kanë humbur në finalet e Superkupave dallojnë Tirana, Dinamo dhe Teuta, secila nga 3 herë; Vllaznia 2 herë dhe nga një herë Partizani, Apolonia, Flamurtari, Elbasani, Besa dhe Skënderbeu (2 herë ).
e) Teuta nuk e ka fituar asnjëherë Superkupën, edhe pse ka dalë tri herë në finale, që të tria herët mundur nga Tirana.
ë) Vetëm një herë, në vitin 1993, finalja është mbyllur në kohën shtesë pa shkuar te penalltitë. Elbasani fitoi pas 120 minutash lojë 3-2 ndaj Vllaznisë, pasi kishte përfunduar koha e rregullt, 1-1.
f) Në tri raste fituesja e Superkupës ka dalë pas gjuajtjeve të penalltive. Konkretisht Flamurtari-Dinamo 5-4 për vlonjatët, Vllaznia-Apolonia 5-4 për shkodranët dhe Tirana- Teuta 5-4 për bardheblutë.
g) Në vetëm një rast janë luajtur brenda një viti dy finale të Superkupave, më 2001 u luajt Vllaznia-Tirana, finale që i përkiste vitit 2000 dhe tjetra Tirana-Teuta që i përkiste vitit 2001.
gj) Rezultati më i thellë në finalet e Superkupave është Tirana-Dinamo 6-0, më 11.09.2002. Një “festival golash” kanë qenë edhe përballjet Flamurtari-Dinamo (3-3) dhe Tirana-Besa (4-2).
h) Në dy raste ka ndodhur që të “përplasen” datat e finaleve të Superkupave: në edicionet e para ndeshjet luheshin në të njëjtën datë, 11 janar, s’kishte rëndësi dita, kurse më 2006, 2007 dhe 2012 data ka qenë e njëjtë për finalet, 19 gusht.
i) Ka ndodhur në tri raste, më 1994 (Partizani) dhe 1996 e 1999 (Tirana), kur finalet e Superkupave s’ka qenë nevoja të zhvilloheshin për shkak se ekipet e sipërshënuara kanë qenë fituese të dyfishta dhe të kampionatit dhe të kupës në ato vite.
FINALET
1989 Dinamo-Tirana 2-0
1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p)
1991 Flamurtari-Partizani 1-0
1992 Elbasani-Vllaznia 1-1 (3-2, pas shtesës)
1994 Tirana-Teuta 1-0
1995 Nuk u zhvillua
1996 Nuk u dha:
1997 Nuk u zhvillua
1998 Vllaznia-Apolonia 1-1 (5-4 p)
1999 Nuk u dha.
2000 Tirana-Teuta 1-0
2001 Vllaznia-Tirana 2-1
2002 Tirana-Dinamo 6-0
2003 Tirana-Dinamo 3-0
2004 Partizani-Tirana 2-0
2005 Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p)
2006 Elbasani-Tirana 0-2
2007 Tirana-Besa 4-2
2008 Dinamo-Vllaznia 2-0
2009 Tirana-Flamurtari 1-0
2010 Dinamo-Besa 1-3
2011 Skënderbeu-Tirana 0-1
2012 Skënderbeu-Tirana 1-2
REKORDET E SUPERKUPËS
Rekordmeni – 10 herë, KF Tirana (1994, 2000, 2002, 2003, 2005, 2006, 2007, 2009, 2011, 2012)
Më pjesëmarrësi – 13 herë, KF Tirana (1989, 1994, 2000, 2001, 2002, 2003, 2004, 2005, 2006, 2007, 2009, 2011, 2012)
Fitore radhazi: 3 herë, KF Tirana (2005, 2006, 2007)
Fitore radhazi: 2 herë, KF Tirana (2011, 2012)
Pjesëmarrje radhazi – 8 herë, KF Tirana (2000, 2001, 2002, 2003, 2004, 2005, 2006, 2007)
Fitorja më e thellë – Tirana-Dinamo 6-0 (2002)
GOLASHËNUESIT
3 gola: Kushta (Flamurtari), Halili, Sina (Tirana)
2 gola: Demollari, Tahiri (Dinamo), Bilali (Elbasani), Muka, Patushi (1 me Vllaznia +1 Tirana),
1 gol: Abazi, Petriçeviç, Jusufi, Bakaj (Dinamo), Daullja (Flamurtari), Jakupi (Elbasani), Sinani, Kotrri, Dedja, Miloti
(Vllaznia), Bala, Prenga (Tirana), Poçi (Apolonia), Fortuzi, Agolli, Bulku, Dede, Duro, Abazaj, Salihi, Xhafa, Tafaj, Abilaliaj (Tirana), Allmuça, Bylykbashi (Partizani), Hoxha, Veliaj, Poçi, Dhëmbi, Shtini (Besa), Taku (Tirana), Plaku (Skenderbeu)
1 autogol: Radas (Skenderbeu)
LEONARD KARAJ / ADELA MERKO













