Sulejman Starova: Dinamo e Partizani në luftë, kampionat fantastik
Superiorja po i afrohet fundit dhe kanë mbetur edhe 3 javë kampionat nga sezoni i rregullt para se të hyjë zyrtarisht faza e “Final 4”. Ish-trajneri Sulejman Starova, ka vlerësuar skuadrat dhe kampionatin e këtij edicioni futbollistik. “Jam i bindur që “Final Four” do të jetë një spektakël, sepse nisem edhe nga dy ndeshjet e fundit.

Nivel i kënaqshëm me dy kryevepra: derbi, vitrina e futbollit shqiptar, ku i kishte të gjitha, spektakël i vërtetë, ambienti, atmosfera, tifozët, spektakli gjatë 90 minutave. Një ndeshje që i kishte të gjitha: gola, ritëm, luftë, duele, vendosje të mirë të skuadrave në fushë, kishte edhe përmbysje rezultati që e bëri shumë emocionale. Po kështu, ndeshja e dy skuadrave që kryesojnë, dy më të mirat, Elbasani dhe Vllaznia, ishte gjithashtu fantastike.
Me rregullin që funksionon, ku përgjysmohen pikët, sigurisht që për të dalë kampion kjo është ideja e të dy skuadrave që u ndeshën. Vazhdon gara për vendin e katërt mes Dinamos dhe Partizanit. Kur të gjitha skuadrat luftojnë deri në ditën e fundit për të plotësuar objektivat, kjo është një gjë fantastike. Faktet janë që kampionati është bërë shumë interesant.
Skuadrat elitare do të përplasen në “Final Four”. Do të jetë një spektakël dhe jam i sigurt që stadiumi, në të gjitha ndeshjet, do të jetë me numër të konsiderueshëm spektatorësh”, tha Starova.
PANORAMASPORT.AL













