Rikthimi i sulmuesit shton pikëpyetjet për Milinkoviç, sa shumë dilema për formacionin e Partizanit ndaj Tiranës
Partizani ka lënë pas humbjen me Bylisin dhe të gjithë fokusin e ka te Tirana. Derbi i kryeqytetit do të luhet të premten, prej orës 19:00 në stadiumin “Air Albania”. Ky takim është mjaft delikat për vazhdimësinë, pasi të dyja skuadrat ndodhen në zonën e ftohtë. Partizani kishte kohë që nuk e provonte vendin e shtatë në renditje. Për këtë presioni është shtuar në maksimum.

STËRVITJA- Ndryshe nga se janë mësuar zakonisht, të kuqtë e zhvilluan seancën e djeshme stërvitore në orën 10:30 të paradites. Lajmi më i mirë për Milinkoviç është se do të ketë në dispozicion edhe Xhuliano Skukën, që konsiderohet sulmuesi kryesor i skuadrës.
Doumbia, Shanaj, Martinez dhe Sembene nuk janë akoma gati për të kontribuar. Ky i fundit mund të quhet edhe mungesa më e madhe, për shkak edhe të pasigurive që prapavija po shfaq në qendër të saj përveçse në krahun e majtë. Po ashtu dy talente, Jata dhe Ogunleje, tashmë stërviten me pjesën tjetër të grupit. Pritshmëritë tek ata mbeten të mëdha, edhe pse akoma nuk e kanë treguar veten me ekipin e parë.
FORMACIONI- Te Partizani ka shumë dilema për formacionin e Milinkoviç. Tri humbje radhazi janë shumë për të, siç edhe vetë është shprehur. Deri tani vetëm Preka i ka pasur minutat e plota në pesë javët e para, ndërsa bashkë me Ismailin, Mehmetin dhe Isgandarlin e ka nisur çdo ndeshje si titullar.
Këtë herë ekziston mundësia që të ketë sërish ndryshime në çdo repart. Dilemë e madhe mbetet nëse Garsia apo Gudjufin e nis në krahun e djathtë të sulmit. Po ashtu nuk përjashtohet mundësia që të ketë një risi para tyre, pikërisht në mesfushë. I lehtë këtë herë nuk është as ndërtimi i repartit të prapavijës. Bytyçi do të rikthehet në vendin e Janjevës, ndërsa ka balotazh mes Atanaskoskit dhe Buxhelajt. Ky i fundit duket i preferuari i Milinkoviç, që e riktheu titullar pasi i la plotësisht pas shqetësimet fizike.

PANORAMASPORT.AL













