Rekord për sezonin, 4 fitore radhazi për Partizanin. Kërnaja dhe ekipi “kapin” Dinamon
Partizani fitoi me përmbysje në ndeshjen e jav ës së 25-të të Kategorisë Superiore, teksa të kuqtë triumfuan me shifrat 1-2 në transfertën e Vorës ndaj vendasve të Flamurtarit.
Golit të Erald Maksutit iu kundërpërgjigj Seku Sidibe, duke i dhuruar të kuqve një trepikësh të artë, që i ngjit ata në kuotën e 36 pikëve, po aq sa edhe Dinamo e vendit të katërt, me të besuarit e trajnerit Oltijon Kërnaja që tashmë janë plotësisht në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e tyre, që është edhe pjesëmarrja në “Final Four”.
REKORDI – Për kryeqytetasit, fitorja ndaj Flamurtarit ishte e treta radhazi në Superiore pas atyre ndaj Bylisit e Tiranës, ndërsa nëse shtojmë edhe suksesin në takimin e parë çerekfinal të Kupës së Shqipërisë ndaj Elbasanit, atëherë fitoret radhazi shkojnë në katër. Një kuotë të cilën Partizani e regjistron për herë të parë në këtë sezon të 2025-2026, teksa edhe gjatë fazës së dytë të kuqtë fituan tre ndeshje radhazi në kampionat, por më pas u ndalën.
NDESHJA E ARDHSHME – Tashmë, misioni duhet të vazhdojë, teksa fokusi do të kthehet nga takimi i javës së ardhshme, një sfidë e cila do ta gjejë Partizanin përballë kampionëve në fuqi të Egnatias. Megjithatë, të kuqtë do të kenë avantazhin e të zhvilluarit të ndeshjes në shtëpinë e tyre, ku edhe përkrahja e tifozërisë pritet të jetë e lartë pas këtij momenti pozitiv që po kalojnë 17-herë kampionët e Shqipërisë.
PËRBALLJET – Në dy përballjet e mëparshme të këtij sezoni me Egnatian, Partizani ka marrë vetëm një pikë pas barazimit pa gola në shtëpi në fazën e parë të kampionatit, ndërsa në sfidën e fazës së dytë, kryeqytetasit u mposhtën në Rrogozhinë me rezultatin 2-1.
FAZA VENDIMTARE – Sfida e radhës ndaj Egnatias pritet të jetë një test i rëndësishëm për vazhdimësinë e këtij momenti pozitiv. Trajneri Kërnaja do të duhet të menaxhojë ngarkesën fizike të lojtarëve siç bëri edhe në ndeshjen ndaj Flamurtarit duke aplikuar një mini rotacion, duke qenë se kalendari paraqitet i ngjeshur mes kampionatit dhe Kupës. Stabiliteti në repartin difensiv dhe efikasiteti në fazën sulmuese ishin elementë kyç në ndeshjet e fundit dhe mbeten pika referimi edhe për përballjet në vijim. Gjithashtu, gara për zonën “Final Four” mbetet e hapur dhe çdo pikë mund të rezultojë vendimtare në renditjen përfundimtare. Diferencat mes skuadrave janë të vogla dhe një seri rezultatesh pozitive apo negative mund të ndikojë ndjeshëm në klasifikim. Për këtë arsye, Partizani do të synojë të ruajë ritmin aktual dhe të shmangë luhatjet që e kanë shoqëruar në periudha të caktuara të sezonit. Në këtë fazë të kampionatit, përqendrimi dhe menaxhimi i detajeve bëhen faktorë përcaktues. Çdo ndeshje përbën një hap të rëndësishëm drejt objektivave sezonalë dhe performanca në javët e ardhshme do të japë një panoramë më të qartë mbi pozicionimin përfundimtar të të kuqve.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













