Pogradeci gëzon për faktorin fushë! Kukësi “hedh grepat në liqen”, Kadiu: Presioni mbi vendësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2026 | 10:00

Pogradeci gëzon për faktorin fushë! Kukësi “hedh grepat në liqen”, Kadiu: Presioni mbi vendësit

Gjashtë javët e fundit kanë ndryshuar ndjeshëm klimën në kampin e Kukësi. Me tre fitore dhe tre barazime radhazi, verilindorët kanë lënë pas vendin e fundit dhe aktualisht pozicionohen në zonën “play-out”, duke dalë përkohësisht nga rreziku më i madh i rënies. Megjithatë, situata mbetet delikate. Diferencat në fundin e tabelës në Kategoria e Parë janë minimale dhe me katër javë ende për t’u luajtur, çdo pikë ka peshë jetike për fatet e sezonit.

KUKESI-POGRADECI

Sot, Kukësi përballet me një tjetër provë të fortë, teksa udhëton drejt liqenit për t’u përballur me Pogradeci. Një transfertë e vështirë, përballë një kundërshtari që lufton për objektiva krejtësisht të kundërta: vendasit synojnë sigurimin e ngjitjes në Kategoria Superiore, ndërsa verilindorët kërkojnë pikë mbijetese. Përballja pritet të jetë e ashpër dhe pa kompromis, me intensitet të lartë dhe tension sportiv, pasi të dy skuadrat kanë shumë për të fituar… dhe për të humbur.

Megjithatë, në kampin kuksian kjo sfidë shihet me një qasje më të çliruar. Forma pozitive e javëve të fundit ka rritur besimin dhe ka ulur presionin, duke ia kaluar barrën psikologjike skuadrës vendase. Këtë e konfirmon edhe trajneri Bledi Kadiu, i cili e sheh ekipin e tij të gatshëm për të luftuar për maksimumin.

“Ne shkojmë në çdo takim për fitore dhe nuk shikojmë se kush është kundërshtari i radhës. Pogradeci është më shumë se ne në presion, pasi i duhen pikët për të siguruar ngjitjen në Superiore. Kukësi nuk ka çfarë të humbasë, kështu që do të hyjmë në fushë për të marrë tri pikët e radhës. Nuk i druhemi askujt, sepse e dimë se deri në fund na duhen fitore në çdo ndeshje. Ne mendojmë vetëm për sfidën e radhës, ashtu si kemi bërë kohët e fundit: fitojmë sot dhe nesër nisim të mendojmë për ndeshjen tjetër”. Me moral të rikthyer dhe besim në rritje, Kukësi kërkon të vazhdojë serinë pozitive edhe në një transfertë kaq delikate. Nga ana tjetër, Pogradeci është i detyruar të fitojë për të mos rrezikuar objektivin madhor. Një duel mes presionit dhe lirshmërisë, ku çdo episod mund të bëjë diferencën dhe ku 90 minutat pritet të jenë një betejë e vërtetë për mbijetesë dhe ngjitje.

Pogradeci në marshim drejt elitës, me faktorin fushë ndaj verilindorëve

Në Pogradeci e kanë të qartë rrugën drejt realizimit të objektivit madhor: ngjitjen në Kategoria Superiore. Katër ndeshje kanë mbetur deri në fund dhe katër fitore do ta bënin këtë mision plotësisht të realizueshëm. Megjithatë, në kampin liqenor mbizotëron qetësia dhe përqendrimi, pasi çdo hap duhet hedhur me kujdes. Sfida e parë e kësaj serie finale është pikërisht ajo e sotmja ndaj Kukësi, një përballje që nuk lejon asnjë gabim.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Emiljano Çela vjen në këtë takim në një formë të shkëlqyer, me tetë fitore radhazi, duke konfirmuar ambiciet serioze për rikthimin në elitë. Tashmë objektivi është i qartë: fitorja e nëntë rresht, këtë herë përballë një kundërshtari që lufton për mbijetesë dhe që pritet të jetë maksimalisht i motivuar. Në prag të kësaj ndeshjeje të rëndësishme, klubi ka reaguar edhe përmes një mesazhi në faqen zyrtare, duke theksuar rëndësinë e sfidës dhe duke bërë thirrje për mbështetje nga tifozët: “Të shtunën, më 11 prill, në Pogradec zhvillohet një përballje e rëndësishme mes dy skuadrave me histori dhe objektiva të qarta.

Pogradeci pret Kukësin në një sfidë që pritet të dhurojë emocione dhe garë të fortë sportive. Të dy ekipet zbresin në fushë me synimet e tyre dhe me respekt maksimal për kundërshtarin. Pogradeci kërkon të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve. Një takim që premton ritëm, përkushtim dhe futboll cilësor deri në minutën e fundit. Mirë se vini në stadium!” Me një seri mbresëlënëse rezultatesh dhe me përkrahjen e publikut vendas, Pogradeci synon të hedhë një tjetër hap të sigurt drejt ëndrrës së madhe, duke e ditur se çdo ndeshje tashmë vlen sa një finale.

PANORAMASPORT.AL