“Play out”-i ndez emocionet për mbijetesë dhe ngjitje në Kategorinë e Parë, Kukësi u bën thirrje tifozëve
Dy finalet e “play out”-it në Kategorinë e Parë do të zhvillohen më 9 maj, në orën 16:00. Dueli mes Luftëtarit dhe Sopotit do të luhet në stadiumin “Flamurtari”. Skuadra fituese do të sigurojë qëndrimin në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm, ndërsa humbësja do të zbresë në Kategorinë e Dytë.

Ndërkohë, finalja tjetër mes Kukësit dhe Bylis B do të luhet në stadiumin e Vorës. Të dyja përballjet priten shumë të luftuara dhe, nëse fituesit nuk përcaktohen në kohën e rregullt, ndeshjet do të shkojnë në shtesa ose do të vendosen me penallti.
Kukësi në alarm për mbijetesë
Verilindorët janë maksimalisht të fokusuar te shpëtimi i sezonit dhe për të dytin vit radhazi marrin pjesë në “play out”. Sezonin e kaluar arritën të mbijetonin falë një penalltie ndaj Orikut, ndërsa këtë herë duhet të kalojnë pengesën e Bylis B për të qëndruar në Kategorinë e Parë. Në prag të kësaj sfide vendimtare, klubi i Kukësit ka bërë një thirrje për tifozët përmes faqes zyrtare: “Ka ardhur momenti i fundit i këtij sezoni. Një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë mbyllet me një ndeshje vendimtare. Tani është koha të jemi të gjithë bashkë, si gjithmonë. Kukësi ka nevojë për zërin tuaj, për energjinë tuaj dhe për mbështetjen në çdo minutë. Tribuna duhet të jetë plot dhe atmosfera të ndihet që nga minuta e parë. Ejani në stadium dhe bëhuni pjesë e kësaj finaleje, sepse bashkë jemi më të fortë. Të shtunën, më 9 maj, luhet beteja e fundit kundër Bylis B në stadiumin e Vorës. Finalja e sezonit. Të jemi të shumtë. Forca Kukësi!”
KATEGORIA E PARË
“PLAY OFF”
7 maj
Nesër
POGRADECI – KASTRIOTI 16:00
ILIRIA – BESA 16:00
“PLAY OUT”
9 maj
LUFTËTARI – SOPOTI 16:00
(Në Vlorë)
KUKËSI – BYLIS B 16:00
(Në Vorë)
PANORAMASPORT.AL













