Plani i Tetovës, tani nis shkëputja në krye të renditjes
Pavarësisht rezultat eve jo të mira që Egnatia ka regjistruar në dy javët e para të fazës së tretë, skuadra nga Rrogozhina ka arritur sërish të ruajë me fanatizëm vendin e parë në renditje. Edhe pse pritshmëritë ishin për një nisje më bindëse, realiteti tregon se, në fund të fundit, ajo që ka më shumë rëndësi në këtë fazë të sezonit është pikërisht klasifikimi.

Dhe në këtë drejtim, kampionët janë ende në një situatë komode, për aq kohë sa, edhe pas kësaj jave, vazhdojnë të qëndrojnë në krye të tabelës. Synimi i Egnatias mbetet i qartë: ky pozicion duhet të mbahet sa më gjatë dhe, nëse është e mundur, deri në fund të kampionatit. Aq më tepër tani që sezoni po hyn në fazën e tij më delikate dhe vendimtare, ku çdo pikë peshon më shumë se kurrë dhe çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë.
Në Rrogozhinë janë të vetëdijshëm se loja dhe rezultatet nuk kanë qenë gjithmonë në nivelin maksimal në javët e fundit, por për momentin kjo kalon në plan të dytë. Vendin e parë nuk e zëvendëson asnjë statistikë tjetër dhe fakti që rivalët direktë nuk kanë përfituar plotësisht nga hapat fals të kampionëve, i jep Egnatias një avantazh të rëndësishëm psikologjik. Qëndrimi në krye i lejon skuadrës të menaxhojë më mirë presionin dhe të shohë me qetësi javët në vazhdim.
KALENDARI – Në këtë situatë, duke qenë se dy ndjekëset më të afërta i “hoqi qafe” që në startin e fazës së tretë, kampionët kanë çdo arsye për t’i gëzuar kalendarit. Një kalendar që, në letër, paraqitet mjaft i favorshëm për Egnatian, pasi përballë do të ketë skuadra që po luftojnë për mbijetesën dhe jo për zonën e kreut. Më konkretisht, rrogozhinasit do të përballen radhazi me katër ekipe që ndodhen në fundin e tabelës, Bylisin, Tiranën, Flamurtarin dhe Vorën. Janë kundërshtarë me objektiva të ndryshme, por që, historikisht dhe në këtë sezon, Egnatia ka ditur t’i menaxhojë mirë.
Pikërisht ndaj këtyre kundërshtarëve, Egnatia ka treguar një efikasitet të lartë gjatë këtij edicioni. Kampionët kanë zhvilluar deri tani nga dy ndeshje me secilin prej tyre dhe bilanci është mjaft domethënës: tre prej këtyre ekipeve janë mundur nga dy herë, duke marrë maksimumin e pikëve të mundshme.
Vetëm ndaj Vorës bilanci nuk është i plotë, me një fitore dhe një humbje, por edhe aty Egnatia ka treguar se di të reagojë. Ky fakt ushqen bindjen në kampin rrogozhinas se kalendari mund dhe duhet të shfrytëzohet maksimalisht, për të ndërtuar një shkëputje të ndjeshme në krye të renditjes.
OBJEKTIVI SHKËPUTJA – Në Rrogozhinë nuk e fshehin se ideja është të krijohet një diferencë sigurie me ndjekësit, në mënyrë që vendi i parë të mos vihet më në diskutim në javët e fundit. Një seri fitoresh në këtë fazë do t’i lejonte Egnatias të hynte në sprintin final me qetësi, duke pasur luksin edhe të gabimeve minimale.
Trajneri dhe stafi teknik po kërkojnë nga skuadra që të rrisë nivelin e përqendrimit dhe të mos nënvlerësojë asnjë kundërshtar, pavarësisht pozicionit që ata mbajnë në tabelë. Pikërisht ndeshjet me ekipet e fundit të renditjes shpesh janë treguar të rrezikshme, ndaj mesazhi është i qartë, maksimumi në çdo takim.
PANORAMASPORT.AL













