Për të harruar Europën, nga Partizani kërkohet kampionat dinjitoz
Përgjegjësitë te klubi i Partizanit janë gjithmonë maksimale. Dhe situata në këtë sezon është delikate. Dështimi në Europë ishte i rëndë, ndërsa për t’u “harruar” duhet të ecë gjithçka mirë në kampionat dhe Kupë.
Të kuqtë ndodhen në edicionin ku festojnë 80-vjetorin e tyre. Dhe ky jubile mund të festohet si duhet, vetëm nëse Partizani është rival dinjitoz për trofe. Merkato ka afruar deri tani emra ndërkombëtarë dhe premton surpriza. Po ashtu spikat transferimi i Xhuliano Skukës, që ishte kryefjala e kryeqytetasve në vitin 2022. Sulmuesi i graduar kapiten ka për të detyrë që të udhëheqë “demat”.
MILINKOVIÇ- Partizani i ka besuar Milinkoviçit përgjegjësinë e madhe, që të ndërtojë një skuadër të suksesshme. Sinjalet e para do të shikohen më 24 gusht. Dhe pse Partizani akoma nuk konsiderohet plotësisht i plotë. Të kuqtë qëndrojnë aktivë në merkato ku kërkojnë të paktën edhe dy lojtarë. Një tjetër sulmues dhe një mesfushor, mendohet se do t’i jepnin shkëlqimin e duhur skuadrës.
JUBILEU- Partizani mund të kthehet te lavdia, pikërisht në 80-vjetorin e tij. Të kuqtë janë skuadra e vetme e Superiores, që tashmë gëzon koeficientin 7.5 në Europë. Dhe në rast suksesi përgjatë kampionatit dhe Kupës, gjithçka do të reflektohej në Europë. Partizani do të ishte favorit jo vetëm në turin e parë, por edhe të dytë njësoj si këtë vit. Qershia mbi tortë do të quhej pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve, që mund të arrihet vetëm në rastin e fitimit të titullit. Partizani me shumë gjasa do të shortohej te skuadrat favorite. Në këtë mënyrë, rrugëtimi drejt grupeve do të ishte për herë të parë një realitet mëse i prekshëm.
TROFETË- Partizani regjistron tashmë dy vite pa trofe dhe pa përfaqësime dinjitoze në Europë. Dhe pse në të dyja vitet si pjesëmarrës në “Final Four”, madje duke humbur një finale, pengjet janë të mëdha. Të kuqtë kanë rivalizuar me skuadrat e tjera, por jo si duhet me Egnatian. Rrogozhinasit janë kthyer në makth madje në vitin 2024 dhe 2025. Jo vetëm u kanë mohuar të kuqve mundësinë e titullit kampion, por në sezonin e kaluar i skualifikuan edhe në gjysmëfinalen e Kupës. Pas eliminimit nga Iberia në turin e dytë të vitit 2024, asgjë nuk mund të shkonte më keq se sivjet. Kalju realizoi surprizën e madhe duke u kualifikuar në turin e parë të Ligës së Konferencës.
PRESIDENTI- Gazment Demi ia dha sinjalin e tij skuadrës gjatë javës. Kërkon një ekip luftarak ku mos të ekzistojnë pakënaqësitë, që mund të lidhen me minutazhin në fushë. Demi tregoi se nuk ka të preferuar, ndërsa një i tillë për të është dikush që jep shpirtin në fushë. Mbështetja për skuadrën u shoqërua me ftesën për të besuar deri në fund. Tashmë motorët janë ndezur. Mbetet për t’u parë sa fuqi ka ky Partizan përballë rivalëve të Superiores, që të jetë në pritshmëritë e tifozëve dhe emrit që përfaqëson.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













