Nga Xhaçka te Bajko e Kushta, kush ishin sulmuesit e krahut që çmendnin tribunat me tifozë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2015 | 11:37

Nga Xhaçka te Bajko e Kushta, kush ishin sulmuesit e krahut që çmendnin tribunat me tifozë

pernaska 1

Nga UVIL ZAJMI

Në stadium të gjithë sytë përqendrohen dhe vësh trojnë ata. Luajnë shumë afër tifozërisë dhe u duhet të demonstrojnë aftësi të rralla e individualitet joshës. Sulmuesit e djathtë kanë qenë futbollistët që i jepnin një impuls skuadrës kur ajo sulmonte, driblonin një kundërshtar, harkonin, por edhe të shënonin. Merrnin goditje të rënda dhe shumë provokime. Ishin të admiruar, por edhe të kritikuar nga e gjithë ajo pjesë e tribunës që thërrisnin në kor emrin e tij, ose frazën tipike shoqëruese “ec, ec, ec…!”. Një vrapim i gjatë e i lodhshëm, gjithmonë pranë vijës së preferuar anë- sore, që ishte edhe vendi i tyre… Shumë djersë e vështirësi për të gjetur pak hapësirë, për të dhënë një asist për shokët. Të paktë janë ata që kanë simbolizuar në mënyrë ideale atë: braziliani Garinça është më autentiku. Ndërkohë, futbolli modern pas viteve 2000 solli të tjera ndryshime taktike të lojës. Nuk ka më sulmues të djathtë klasik, pasi koha i ka lënë mbrapa ato skema e variante, ku ai ishte protagonist duke e shmangur apo moderuar lojën e krahut. Prej vitesh fizionomia autentike e sulmuesit të djathtë klasik nuk është më. Edhe në futbollin kombëtar, ky rol ka pësuar transformime duke iu përshtatur më së miri atij botëror. Por, cilët kanë qenë ata më tipikët që historia nuk na lejon t’i harrojmë si klasikët e “sulmuesve të djathtë shqiptarë”?
stadiumi 1Periudha e pas luftës deri në fillim të viteve ’70 Janë disa futbollistë që kanë luajtur sulmues tipikë në krahun e djathtë në këtë periudhë kohe. I pari që na ofron historia është Qemal Teliti, futbollisti i Besës, i Ushtrisë, i Partizanit, Dinamos, Tiranës, Apolonisë. Më 7 prill 1946, në miqësoren kundër 17 Nëndorit, Partizani i sapoformuar fiton 2-0 dhe Teliti është autor i golit të dytë. Po në këtë sezon, është edhe shënuesi më i mirë i Partizanit, pjesëmarrës në kampionat. Nga 9 ndeshje dhe 26 golat e shënuar nga skuadra, 11 prej tyre kanë firmën e Telitit. Por edhe me kombëtaren paslufte është unik. Realizon dygolëshin e parë në historinë e kombëtares së rindërtuar, në miqë- soren ndaj Malit të Zi (5-0) 22.09.1946, zhvilluar në Shkodër. Por dhe shënuesi i golit të vetëm në fitoren më të rëndësishme të futbollit shqiptar, në mesditën e 13 tetorit të vitit 1946, kur në minutën e 55-të realizoi 1-0 ndaj Rumanisë në “Qemal Stafa”, një gol që na dhuroi trofeun e Ballkanit, të vetmin që kemi. Luajti deri në mesvitet ’50, por me Dinamon, ku e mbylli karrierën. 12 takime me kombëtaren, realizoi 6 gola (vdiq në moshë të re, 58 vjeç në vitin 1977). Vijojmë më tej me Kolec Krajën e Partizanit, interpretues absolut i këtij roli në ato vite. Inteligjent, i shkathët dhe njohës i mirë i lojës në krah. I ardhur nga Vllaznia, te Luftëtari i Ushtrisë, pastaj me Partizanin, me të cilin fitoi gjithçka, tituj kampionë e kupa, duke lënë gjurmë në aktivitetet ballkanike, europiane dhe duke qenë fitues edhe i medaljeve të argjendta në turnetë e Lajpcigut dhe Hanoit. Kraja është edhe autori i golit të parë të një skuadre shqiptare në debutimin europian në Kupat e Europës, kundër Norcepingut 1-1 në Tiranë, për Kupën e Kampioneve në vitin 1962. Por ai është edhe autori i golit të dytë europian me klube, një vit më vonë: Partizani-CSKA e Sofjes 1-0, për Kupën e Kampioneve: gol i Krajës, minuta e 9-të. Ka edhe një të veçantë: Vetëm dy ndeshje luajti me kombëtaren duke shënuar dy gola: I aktivizuar nga Boriçi në Pekin, në vitin 1957, në miqësoren ndaj RP të Kinës (3-2) dhe pas një viti, në Tiranë në barazimin 1-1 me RD Gjermanisë si autor i golit shqiptar në minutën e 6-të të ndeshjes. Ndërprerja dhe mospjesëmarrja në aktivitetet kombëtare në periudhën 1953-1957 dhe 1958-1963 për arsye absurde, shkaktuan një vakum të madh dhe u hoqën mundësinë shumë lojtarëve të luanin e të tregonin vlerat e tyre edhe në turnetë jashtë Shqipërisë. (Bëhet fjalë për ekipin kombëtar, se me klubet luhej në miqësore dhe në Kupën Ballkanike). Me Krajën, pasi la futbollin në vitin 1965, u mbyll një mbiemër, sepse nuk pati vijues në familje si futbollistë. Edhe Kolec Kraja nuk jeton më, pasi është ndarë nga jeta në mesvitet ’90. Pas viteve ’60 do të fokusojmë Lorenc Vorfin e Dinamos. Edhe ky një tjetër futbollist i shquar dhe protagonist në aplikimin e lojës së sulmuesit të djathtë. Cilë- si të larta fizike, i fuqishëm, goditës i mirë i portës dhe shënues. Me Dinamon seleksionoi tre tituj kampionë dhe një Kupë Republike. Lorenc Vorfin edhe sot e kujtojnë në Stamboll, nëse do të përmendësh emrin e tij me tre golat e shënuar kundër Fenerbahçes, në Kupën Ballkanike. Katër takime me ekipin kombëtar. Luajti deri në vitin 1971. Pas Lorencit, mbiemri Vorfi nuk figuroi më në mjediset futbollistike që vijuan ndër vite.
niko 1Niko Xhaçka Një numër 7 nga më të veçantët në historinë e futbollit kombëtar. I lindur dhe i afirmuar te 17 Nëndori i famshëm i viteve ’60-’70, “mësuesi i gjeografisë” ishte tipik dhe në sinkron të plotë me grupin magjik të asaj skuadre në atë periudhë. Me topin e lidhur me këmbën, Xhaçka kishte një karakteristikë: Pasi e merrte topin, ulte kokën dhe vrapimin e ndalonte në vijën fundore, nga ku harkonte për të gjetur kokat e shokëve të tij, Hykës apo Ali Memës. Ndonëse jo shumë i gjatë, por tipik i “alave angleze”, i shkurtër, robust, për shumë vite, ka qenë një ndër futbollistët kryesorë të skuadrës ku shpesh loja e 17 Nëndorit dhe skemat taktike të saj bazoheshin edhe në lojën në krah të Xhaçkës dhe të Ishkës. Tri ndeshje me kombëtaren. Takimi historik me Kilmarnokun, Standardin dhe Ajaksin. Autor i 53 golave me skuadrën e Tiranës, kampion dhe fitues i kupave. Asnjë trashëgimtar nuk e pasoi nga familja në këtë rol.
Foto Andoni Dua të ndalem pak te ky futbollist i lënë në harresë. Ka qenë një ndër shpërthimet më gjigante, më të shpejta që ka pasur historia e futbollit shqiptar, duke u cilësuar si e ardhmja e padiskutueshme e futbollit kombëtar. Futbollist i Partizanit (6 muaj luajti edhe me Vllazninë) shkëlqeu sapo doli në fushë. Një trup shumë i bukur dhe elegant, me elementë të jashtëzakonshëm teknike e fizike, u shfaq te Partizani në vitin 1960, në turneun e Hanoit ku u evidentua nga trajneri Loro Boriçi, për ta hedhur në fushë pa hezitim. I shpejtë dhe driblues, i mahniti të gjithë, çka e shtyu Boriçin ta aktivizonte edhe me kombëtaren. Çuditërisht luajti vetëm dy ndeshje: Shqipëri-Irlandë, 1-1, më 4 nëntor 1965 dhe Jugosllavi-Shqipëri, 4-0, me 12 Nëndor 1967. Ishte zbulimi i kohës edhe u mirëprit. Por, ashtu si shpërtheu edhe u mbyll karriera e tij. (Asnjë trashëgimtar sportist). Nga një yll në shkëlqim, në një harresë të plotë. U zhduk nga Partizani e kombëtarja, nga gjithçka që kishte lidhje me sportin. Dy herë kampion me Partizanin, në vitet 1963 dhe 1964, dhe fitues i medaljeve të Hanoit. Përveç futbollit, pasioni i tij i dytë ishte edhe arti skenik.
Neptun Bajko Një ndër aplikuesit më modernë dhe elegantë të “alës” së djathtë të futbollit shqiptar. Shpërtheu pikërisht në kohën kur roli i sulmuesit të djathtë kishte filluar të humbiste dhe talentet ishin gjithmonë e më pak. U evidentua te Partizani i trajnerit Refik Resmja në fundvitet ’60 për ta mbyllur karrierën me Lokomotivën e Durrësit. Talenti Bajko u shfaq krejt papritur në disa tregues: shumë i shpejtë, shumë inteligjent, driblues, tipik i lojës në vijën anësore pranë tribunës. Dëmtimet nuk e lejuan të kishte karrierë të gjatë. Mban autorësinë e golit historik të realizuar në Torino (Torino-Partizani 3-1, 1968, Kupa e Kupave). Asnjë trashëgimtar nuk e pasoi nga familja. Një kurs dyvjeçar në Koverçano (Bashkë me Agron Sulën), pasoi Birçen kur u emërua trajner i ekipit kombëtar, sfidë e filluar në Uells në shtator 1994 e mbyllur në tetor të 1996 pas takimit me Portugalinë, në total 15 ndeshje. Por është ulur edhe në disa stola të klubeve, në veçanti tek ai i Partizanit.
kocobeshi 1Lek Kocobashi Futbollist i Vllaznisë së Shkodrës në vitet ’70. I palodhur, shumë i fortë fizikisht e robust. Është stimuluar nga tifozëria shkodrane, në veçanti ajo e tribunës përballë. Pati një karrierë të gjatë dhe ka qenë lojtar stabël në formacion, ku me Zhegën, Hoxhën, Bizin, Rragamin kanë shkruar historinë e Vllaznisë së atyre viteve. Për motive politike nuk e grumbullua asnjëherë në kombëtare, edhe pse në momente të caktuara kishte formë të mirë. Asnjë trashëgimtar futbollist nuk la pas.
Vitet ’70-’80 kanë të tjerë protagonistë Vladimir Balluku. Një tjetër sulmues “i rëndë” i krahut të djathtë, pasi ishte i tillë. I fuqishëm në vrapim dhe veprime. Shpërthyes, driblues, i papërmbajtur dhe i paparashikueshëm kur ishte në formë. I pëlqyer nga trajneri Loro Boriçi, luajti për disa vite me Partizanin e viteve ’70, duke pasuar Neptun Bajkon në këtë rol. Një familje me tradita sportive, karriera e tij u kondicionua nga rrethana të tjera, që e detyruan ta mbyllte në heshtje atë. Por Lad Balluku la gjurmë si një individualitet i këtij roli. Kombinoi forcën fizike me atë teknike duke krijuar një stil të veçantë. Kampion me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë dhe kampion i Ballkanit. Nuk e pasoi asnjë trashëgimtar nga familja si futbollist. Dy ndeshje me kombëtaren: 12.06.1971, Karlsruhe, Gjermani-Shqipëri 2-0; Helsinki, 21.06.1972, Finlandë-Shqipëri 1-0.

bulku 1Agim Bulku
Një talent i vërtetë si sulmues i djathtë. Produkt i Shkollës së Mjeshtërisë Sportive, ai shpërtheu me Shkëndinë e famshme të viteve ’70. I zbuluar nga Zyber Konçi, i cili evidentoi tek ai cilësitë e një sulmuesi të shpejtë, shumë interesant dhe i veçantë për kohën. Me një sprint, gjithmonë pranë vijës anësore, “biondi” Bulku shumë shpejt mori simpatinë e tifozëve. Ishte mjaft i ngjashëm me sulmuesit tipikë të skuadrave gjermane të viteve ’70, për nga tiparet dhe mënyrën e lojës. Me shumë interes e kuriozitet pritej dalja në fushë e skuadrës, për të parë manovrimet, vrapimin, driblimin dhe harkimin nga vija fundore të Bulkut. Karakteristikë kishte startin e menjëhershëm, lëvizjet mashtruese me trup, duke rrëshqitur pa mundur të frenohet. Nuk luajti me kombëtaren, ndërsa karrierën e filluar me Shkëndinë e përfundoi me Lokomotivën e qytetit që e “prodhoi”. Bulku është një faqe e rëndë- sishme e historisë së klubit durrsak. E la futbollin në vitin 1978 për ta vazhduar si trajner i moshave. Edhe ky si të tjerët: pa trashëgimtar sportist në familje.
Ilir Përnaska Si rrallë në historinë botërore, një sulmues i djathtë të jetë një golashënues rekordmen si ai: 6 herë më i miri në listën e goleadorëve. Futbollist i Dinamos, në vitet ’70-’80 me Ballgjinin e Zërin krijuan një nga treshet më cilësore të futbollit shqiptar. Lojtar krahu, por me nuhatje të jashtëzakonshme, aftësi dhe tiparet e një sulmuesi të mirëfilltë goli, nga ata më tipikët e zonave. Manovronte në krah, aty e kërkonte dhe e merrte topin, por krejt papritur gjendej në zonë. Përdorues shumë i mirë i të dyja këmbëve dhe goditës i jashtëzakonshëm me kokë. Ishte i frikshëm në lojën në ajër, por edhe i kthesave spektakolare. I fortë si një gur i vërtetë. Fuste këmbën dhe kokën aty ku rreziku ishte më i madh. Prej kohësh futbollit kombëtar i mungon një futbollist me karakteristikat e një sulmuesi të djathtë, të aftë edhe si golashënues si Ilir Përnaska. Një karrierë e jashtëzakonshme, e filluar dhe e mbaruar vetëm me Dinamon (1966-1982). 6 herë fitues i titullit kampion dhe 4 herë i kupës. I renditur pas Nordalh (9), Pushkash (8), Myler (7) në një klasifikim i bërë me rastin e 100-vjetorit të golashënuesve më të mirë europianë. Titullar në 14 ndeshje me kombëtaren, me të cilën shënoi 5 gola, dy ndaj Turqisë në nëntorin e viti 1971 në Tiranë. Edhe Përnaska, si shumë të tjerë të talentuar, pësoi ndëshkimin dhe përjashtimin 3- vjeçar 1973-1976 dhënë nga FIFA për futbollin shqiptar nga kompeticionet euro- piane. Nuk e pasoi asnjë trashëgimtar në këtë rol.
Petrit Dibra Me profesion mjek, Petrit Dibra ka qenë dhe mbetet një ndër më klasikët në këtë rol. Ka luajtur me 17 Nëndorin e viteve ’70-’80’. Shumë i fuqishëm, me një fizik të admirueshëm, me një vrapim shumë elegant dhe hap galopant të rrallë. Një rrezik sistematik për mbrojtësit, pasi ishte i pakapshëm. Nuk kishte start të menjëhershëm, por kur niste vrapin, nuk mund ta ndalonte askush. Vrapimin potent e të vrullshëm e kombinonte me driblime, depërtime dhe gola spektakolarë. Nuk i mjaftonte vetëm mesfusha kundërshtare, por shpeshherë vrapimin me topin në këmbë e niste edhe nga mesfusha e skuadrës së tij. Vështirë ta frenoje e të merrje masa taktike kur ishte në formë. Shumë korrekt dhe model: “Një intelektual i vërtetë në fushën e lojës e jashtë saj”. I admiruar nga tifozët e tij, por edhe ata kundërshtarë e kanë vlerësuar në pafundësi. I zbuluar te të rinjtë e 17 Nëndorit, dhe duke parë aftësitë e tij, shumë shpejt dhe në moshë të re ingranohet me ekipin e parë, ku luajti titullar gjatë gjithë dekadës. Angazhimet universitare nuk e pengonin që në fushë të ishte protagonist e tjetër njeri. Në vitet e tij kulmore, edhe Dibra vuajti përjashtimin trevjeçar. Asnjë trashëgimtar nuk e pasoi si futbollist. Shënuesi më i mirë i edicionit ’78-’79 me 14 gola. Me 70 gola të shënuar në karrierë, renditet në vendin e pestë pas Fortuzit me 159 gola, Kolës, Mingës e Muçës, në ranglistën e shënuesve të klubit.
braho 1Sefedin Braho Produkt i Luftëtarit. Shërbimin ushtarak me Partizanin, futbollist i Kombëtares, kjo është CV-ja sportive e Brahos. I jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm. Sefedin Braho në këtë rol është një ikonë. Me një start të paparë, si një vetëtimë, shumë i shpejtë, i aftë të shkatërronte çdo mbrojtje, të driblonte çdo kundërshtar. I dashuruar si askush nga tifozët e tribunave në të gjithë Shqipërinë. I hollë nga fiziku, jo trupmadh, por me dhunti natyrale për të realizuar kundërsulmin vrasës së bashku me Kallucin, Bonin, Seitin te “Luftëtari” i Hito Hitajt. Vraponte, driblonte një kundërshtar, rrëzohej, ngrihej, vraponte, driblonte një tjetër, një tjetër akoma…. duke qenë edhe viktimë sistematike e ndërhyrjeve, goditjeve të rënda dhe provokuese. Por, gjithmonë ishte fitues. Goli i tij në fitoren 2-0 me Finlandën në shtatorin e vitit 1980 në Tiranë është shpërblimi që mori kur luajti me Kombëtaren (vetëm katër takime, të gjitha në vitin 1980). I mungoi fati të ishte në barkën e skuadrave elitare edhe pse iu dha mundësia kur luajti me Partizanin në fundvitet ’70. Por vetëm dy vjet, pasi nuk u ambientua plotësisht dhe pas përfundimit të shërbimit ushtarak, preferoi rikthimin në Gjirokastër pranë familjes dhe Luftëtarit me të cilin mbylli karrierën e shkëlqyer. Është i vetmi nga lista e atyre të vijës anësore që pati një trashëgimtar, njërin nga dy djemtë, por gjithsesi jo në nivelin e tij. E la futbollin në vitin 1986.
kushta 1Sokol Kushta Edhe ky një përfaqësues i madh i lojës së sulmuesit të djathtë. Të paktën aty e ka zanafillën. Produkt i shkollës vlonjate, pastaj me Partizanin, në Greqi me Iraklis e Apollonin në Qipro me Olimpiakosin dhe Etnikos. Por, kulmin e karrierës (1980-2000) e ka me Kombëtaren. Kishte një hap galopant pas të cilit vraponte e gjithë skuadra. Shumë i fuqishëm, me një vrapim të frikshëm, driblues, i palodhur, nuk kishte frikë nga asnjë mbrojtës. I palodhur për të vrapuar pranë vijës. Tipik i futbollistit me karakterin e veçantë vlonjat. Shumë agresiv, me temperament e ritëm të lartë sportiv luante gjatë 90 minutave, ku veçohej starti i jashtëzakonshëm. Golashënues, madje ndër më historikët. Me klubet ku luajti, por edhe me Kombëtaren, me të cilën zhvilloi 31 ndeshje dhe realizoi 10 gola regjistron kulmin e karrierës. I aktivizuar nga trajneri Rreli, debutoi në Stokholm në tetorin e largët të 1989- ës ndaj Suedisë, për ta mbyllur në Tiranë me Portugalinë më 9 tetor 1996 me trajner Bajkon. Shënues i golit më të madh, jo vetëm për nga vlerat sportive, por edhe kombëtare: e ka realizuar në Beograd, kur Flamurtari i famshëm eliminoi Partizanin e ishJugosllavisë në 87-ën. 86 gola të shënuar në aktivitetet zyrtare gjatë karrierës së jashtëzakonshme ku përfshihen edhe ndeshjet me Barcelonën dhe kualifikimet historike të Flamurtarit në Kupat e Europës. Është kampion dhe fitues i kupave me klubin vlonjat. Në vitin 1987 renditet i 30-ti në listën e “Europian Footballer of the Year”, pas Altobelit, Hodell e Rudi Fëler. Asnjë trashëgimtar nga familja nuk e pasoi karrierën e tij. Sokol Kushta mbetet një kampion i vërtetë i një kualiteti shumë të lartë. Vazhdoi qëndrimin në fushat e futbollit si trajner me Elbasanin e Flamurtarin, por pa mundur të arrijë famën si futbollist.
qender 1Nga një dekadë te tjetra, sa emra në këtë rol Si sulmues të djathtë kanë luajtur edhe mjaft futbollistë të tjerë të shquar. Kujtojmë Radën e 17 Nëndorit të viteve ’60, të “voglin” Thoma Duro të Dinamos, Bujar Himcin e Labinotit, të shpejtin Bardh Keno të Partizanit, Kashamin, “alën” tipike kavajase, Fatmir Paçramin, lindur te Shkëndia për t’u transformuar më pas në shkodranin tipik të vijës anësore me Vllazninë. Por edhe një futbollist nga Labinoti i Elbasanit në mesvitet ’70 i harruar, siç ka qenë Bashkim Tirana: shumë impresionues kur shpërtheu dhe luajti. Edhe Vladimir Skuro e ka vendin në këtë rol. Shkëlqeu dhe ishte ndër futbollistët me kontribut absolut te Naftëtari i famshëm, por edhe me Partizanin. Më pas Arben Vilën, me Dinamon, apo Roland Agalliun, një familje me traditë çiklistësh, por që shpërtheu si futbollist i vijës anësore te Partizani, Labinoti (kampion) e Dinamo. Dy fjalë i takojnë edhe vlonjatit të paharruar Pano Xhaho, i cili nuk jeton më. Një interpretues, golashënues në këtë rol ka qenë edhe Seiti, sulmuesi i shquar i Luftë- tarit. Bashkë me Brahon e Kallucin kanë gjunjëzuar shumë nga të “mëdhatë” e kohës. Edhe Durim Shtini ishte një tjetër sulmues i Besës, protagonist në këtë rol në dhjetëvjeçarin ’80-’90. Kujtojmë gjithashtu Hadon e ardhur nga Butrinti për t’u aktivizuar me Partizanin dhe sërish vitet ’90 do të na ofrojnë një kavajas, Avdyl Kuriun, një sulmues “race” i djathtë. E ka njohur shumë mirë vijën anësore në atë periudhë, ku e nisi dhe e mbylli karrierën e tij. I fortë fizikisht, robust, shpërthyes. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Luan Vukatanën e Vllaznisë. I shpejtë në lojën në krah dhe driblues i mirë. U largua nga futbolli duke lënë pas një “alo” të pazëvendësueshëm.