Ndeshjet e mbetura për një ëndërr, Egnatia e Edlir Tetovës synon “tris”-in historik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2026 | 22:10

Ndeshjet e mbetura për një ëndërr, Egnatia e Edlir Tetovës synon “tris”-in historik

Humbja ndaj Tiranës ka ndryshuar rrjedhën e garës për titull dhe ka vendosur Egnatian në një pozitë të vështirë, ndoshta më delikaten e dy sezoneve të fundit. Në të njëjtën kohë, fitoret e Vllaznisë dhe Elbasanit kanë shtuar diferencat dhe kanë rritur ndjeshëm presionin mbi kampionët në fuqi.

egnatia

Në një kampionat ku çdo pikë tashmë peshon dyfish, Egnatia e sheh veten në një situatë ku matematika nuk toleron më luhatje. Pesë ndeshjet e mbetura janë kthyer në finale të mirëfillta, ku çdo gabim mund të rezultojë fatal për objektivin madhor: mbrojtjen e titullit dhe realizimin e “tris”-it historik.

TRENI I FUNDIT – Sfida e radhës ndaj Flamurtarit merr përmasat e një finaleje të parakohshme. Për Egnatian, kjo ndeshje është shumë më tepër sesa tre pikë, është “treni i fundit” për të mbajtur gjallë shpresën për titull. Përballë do të jetë skuadra e vendit të fundit, një fakt që në letër e bën sfidën të favorshme. Por pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh: nënvlerësimi. Në këtë fazë të sezonit, nuk ka kundërshtarë të lehtë, sidomos kur një ekip lufton për mbijetesë dhe luan pa asgjë për të humbur.

Të qenit kampion në fuqi për dy sezone radhazi është një privilegj, por edhe një barrë. Egnatia nuk lufton vetëm për pikët, por edhe për të mbrojtur identitetin e saj si skuadra dominante e viteve të fundit. Presioni është i madh, sepse objektivi është i qartë: një titull i tretë radhazi që do të vuloste një epokë në historinë e klubit. Por për ta arritur këtë, skuadra duhet të tregojë karakter kampioni, atë që e ka shoqëruar në dy sezonet e fundit. Fakti që ndeshja luhet në shtëpi dhe përballë skuadrës së fundit në renditje e bën situatën edhe më të qartë: nuk ka asnjë justifikim për një tjetër hap fals.

PESË FINALE – Nga kjo pikë e deri në fund, sezoni i Egnatias përmblidhet në pesë ndeshje. Pesë finale, ku nuk ka vend për kalkulime të tepërta, por vetëm për rezultate. Nëse kampionët në fuqi arrijnë të kalojnë me sukses këtë moment kritik, atëherë rruga drejt titullit mbetet e hapur. Por nëse jo, humbja ndaj Tiranës mund të mbahet mend si pika e kthesës që i kushtoi sezonin. Egnatia është përballë një prove të madhe: të tregojë nëse është ende skuadra që di të fitojë kur presioni është maksimal.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL