Mjafton Oshafi, Flamurtari fiton testin ndaj Ilirisë. Garsia: Synojmë maksimumin me Tiranën! Smajli: Takim i vlefshëm për vazhdimësinë
Dy skuadra nga nivele të ndryshme, Iliria e Kategorisë së Parë dhe Flamurtari i Superiores, shfrytëzuan ndërprerjen e kampionatit për një test miqësor, që u zhvillua të shtunën pasdite në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës. Takimi u vendos nga goli i vetëm i Aldrit Oshafit në minutën e 68- të, duke i dhënë fitoren vlonjatëve. Pas një pjese të parë të ekuilibruar dhe pa gola,

Flamurtari arriti të shënonte në fraksionin e dytë, ndërsa Iliria nuk shfrytëzoi rastet e krijuara. Për të dy trajnerët ky test shërbeu për të mbajtur skuadrat në ritëm për javën e tretë të kampionatit, ku Iliria përballet me Skënderbeun, ndërsa Flamurtari me Tiranën. Te dy ekipet prioritet patën lojtarët e stolit në këtë takim. Atmosfera ishte e gjitha miqësore. Për para ndeshjes, skuadrat bënë edhe një foto të përbashkët me lojtarë të përzier.
NDESHJA- Flamurtari nisi më mirë takimin, duke ushtruar presion në gjysmëfushën vendase. Në minutën e 7-të, Trashi provoi nga distanca, ndërsa pak çaste më vonë Demiraj gjuajti diagonal, por Kaloshi ndali goditjen. Në dy goditje këndi radhazi (12′- 13′) ishte portieri Jata që shpëtoi portën. Rreziku më i madh i pjesës së parë erdhi në minutën e 37′, kur Marku gjuajti fort nga brenda zonës, por Jata reagoi mrekullisht me këmbë. Edhe Ememe u ndal në mënyrë të rregullt nga Stafa në minutën e 41′.
Pjesa e parë u mbyll 0-0. Në të dytën, Iliria u bë më agresive. Në minutën e 50′, Gresild Lika humbi një rast të artë, pasi gjuajtja e tij kaloi ngjitur me traversën. Pesë minuta më pas, Kithambo shpërtheu në të djathtë, por u ndal para portës. Në minutën e 64′, Sejdiu krosoi dhe Dieje goditi bukur me kokë, por Bejtollari bëri një pritje të jashtëzakonshme. Në minutën e 68′ erdhi goli i vlonjatëve. Aldrit Oshafi, i sapofutur në lojë në vend të Ememe, shënoi me prekjen e parë të topit. Pas një asisti të Jankut, ai kaloi mbrojtësin Krasniqi dhe përballë portierit Xhika gjuajti saktë, duke e çuar topin në rrjetë për 0-1. Deri në fund, Iliria ushtroi presion me Mazrekajn, Jakubun dhe Kolecin, por nuk arriti të barazojë. As pesë minutat shtesë nuk sollën ndryshim. Miqësorja u mbyll me fitoren minimale të Flamurtarit, falë golit të Oshafit.
Garsia: Flamurtari synon maksimumin ndaj Tiranës
Trajneri i Flamurtarit, Karlos Garsia, e konsideroi të rëndësishëm miqësoren ndaj Ilirisë, veçanërisht për lojtarët që nuk kanë pasur ende minutazh në Superiore. “Ky ishte një test i vlefshëm për të gjithë futbollistët që nuk janë aktivizuar akoma dhe që kanë nevojë për minuta. Duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i lidhur lojtarët me njëri-tjetrin, në mënyrë që ekipi të konsolidohet dhe të veprojë me saktësi, i çliruar nga emocionet që sjell një ndeshje,” u shpreh tekniku spanjoll për “Panorama Sport”. I pyetur për sfidën e radhës në kampionat, ndaj Tiranës, Garsia theksoi se bëhet fjalë për një kundërshtar ndryshe, me një nivel më të lartë. “Tirana është një skuadër ndryshe, ku çdo gjë bën diferencën. Ne do të shkojmë për të marrë gjithçka që mund të merret në një takim të tillë,” përfundoi trajneri i Flamurtarit.
Smajli: Takim i vlefshëm për vazhdimësinë
Trajneri i Ilirisë, Dritan Smajli, u shpreh pas miqësores me Flamurtarin se kjo ndeshje i shërbeu skuadrës si një test i rëndësishëm për përgatitjet para sfidës të së premtes ndaj Skënderbeut në Korçë. “Flamurtari është një skuadër në një nivel më të lartë se kundërshtarët që kemi përballuar në fillim të sezonit, ndaj ky ishte një test i vlefshëm për vazhdimësinë tonë,” theksoi Smajli për “Panorama Sport”. Më tej, trajneri shtoi se ekipi i tij ka treguar përmirësime të dukshme krahasuar me dy ndeshjet e para të kampionatit, si në interpretimin e lojës, ashtu edhe në fazën ofensive. Megjithatë, ai pranoi se skuadra ende nuk ka arritur nivelin maksimal, veçanërisht në finalizimin e aksioneve në 14-15 metrat e fundit. “Kemi bërë hapa përpara në organizim dhe kalimin e shpejtë drejt sulmit, por ende na mungon qartësia në shënimin e golave. Futbolli, në fund të fundit, luhet për të shënuar,” përfundoi trajneri i Ilirisë.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













