Miqësorja e papritur, Kukësi triumfon ndaj Tiranës. Plaku flet për të ardhmen: Nuk më takon mua zyrtarizimi
Tirana zhvilloi një ndeshje miqësore me Kukësin, e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, në një test që kishte më shumë vlerë për stafin teknik sesa për rezultatin përfundimtar.

Kryeqytetasit u mposhtën me rezultatin 3–1, por shifra në tabelë kaloi në plan të dytë për ta, pasi kjo sfidë u shfrytëzua kryesisht për të vlerësuar gjendjen fizike të lojtarëve dhe për të testuar elementët e rinj të skuadrës. Në këtë miqësore u aktivizuan futbollistë që nuk kanë pasur shumë minuta gjatë sezonit, si dhe disa lojtarë të rinj që janë ndjekur me kujdes nga stafi teknik i drejtuar nga Orges Shehi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Qëllimi kryesor ishte krijimi i një panorame më të qartë mbi gjendjen e grupit dhe mbi potencialin e futbollistëve që mund të jenë pjesë e projektit të ardhshëm të bardhebluve. Pas ndeshjes, për mediat foli zëvendëstrajneri Sebino Plaku, i cili theksoi rëndësinë e këtyre testeve dhe mënyrën se si ato ndihmojnë në vlerësimin real të lojtarëve.
“Shumë lojtarë të rinj janë stërvitur me ne gjatë tre ditëve të fundit. Ky është mesazhi më i mirë që mund të marrim nga kjo ndeshje. Futbolli është momenti ku t’i shfaq potencialin tënd dhe ndeshjet janë testi më i mirë për këtë. Tirana është prioriteti ynë. Kemi ardhur në një moment të vështirë dhe tani presim që gjërat të bëhen edhe më mirë se sezoni i kaluar. Por zyrtarizimi nuk më takon mua”, u shpreh ai.
Kola – Një moment i veçantë i kësaj miqësoreje ishte edhe rikthimi në fushë i mbrojtësit Edison Kola, i cili u aktivizua pas gati një viti mungesë. Kola kishte kaluar një dëmtim të rëndë gjatë fazës përgatitore të sezonit të kaluar dhe për këtë arsye kishte qëndruar për një periudhë të gjatë jashtë fushave të lojës. Rikthimi i tij u konsiderua një hap pozitiv si për lojtarin, ashtu edhe për stafin teknik, i cili po e vlerëson gradualisht për gjendjen e tij fizike dhe gatishmërinë për të qenë pjesë e ekipit në vazhdim.
PANORAMASPORT.AL













