Marin Abazaj: Jam i bindur, Bylisi feston edhe kundër Tiranës
Bylisi ka mbyllur përgatitjet për sfidën anti-Tirana nga dje dhe vazhdon grumbullimin, teksa ka pasur edhe një analizë rutinë me ekipin.

Ky duel është vlerësuar shumë nga mallakastriotët që duan të ruajnë ritmin dhe ecurinë pozitive. Në Ballsh kanë besim se do t’i mundin kryeqytetasit, teksa kontingjenti është thuajse i plotë. Mallakastriotët janë optimistë dhe në Ballsh lojtarët duan që të marrin 3-pikët e radhës, për të lënë fundin. Në prag të duelit me skuadrën e Tiranës, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur Marin Abazaj.
Ky i fundit është një nga lojtarët më shumë të aktivizuar në Ballsh këtë sezon, por edhe në Superiore. Abazaj ka qenë edhe pjesë e Tiranës por ka besim dhe bindje, teksa sot e thotë me plotë gojën se Bylisi do ta fitojë edhe këtë ndeshje. Sipas Abazajt, skuadra e Bylisit ka formë më të mirë se Tirana, ndërsa bardheblutë nuk duhen nënvlerësuar, sepse kanë kualitet në gjirin e vet dhe nuk vlerësohen nga renditja.
“Këtë ndeshje ne do ta fitojmë dhe për këtë unë kam besim, por edhe bindje. E gjitha kjo vjen si rrjedhojë e rezultateve mjaft të mira që ne kemi arritur për disa javë me radhë, duke na dhënë besim. Por jo vetëm kaq, pasi kemi grumbulluar edhe pikë, sidomos edhe në takimet jashtë fushe. Duhet që të mobilizohemi dhe duke dhënë maksimumin tonë ta fitojmë këtë duel shtëpie. Fitorja me Tiranën vlen shumë për ne”, tha Marin Abazaj, mbrojtësi 23- vjeçar i Bylisit.
Më pas, Abazaj u ndal te gjendja e dy ekipeve.
“Po të analizosh dy ekipet, mendoj se me jemi në formë më të mirë, kemi një grup harmonik dhe që kemi bërë mirë me lojë. Tirana ka një pakicë lojtarësh që e njohin mirë Superioren, kurse te ne dominon forca e grupit. Pikërisht në këtë aspekt besoj se do t’i dominojmë miqtë nga Tirana sot në Ballsh”, tha Marin Abazaj, mbrojtësi i Bylisit që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit këtë sezon në Ballsh.
Abazaj ka tri sezone që luan me Bylisin ndaj edhe ka fituar respektin e tifozëve dhe dashamirësve vendas. Marin Abazaj u bën thirrje që të jenë të shumtë sot në stadium.
“Natyrisht që tifozët janë arma jonë e fortë sidomos kur luajmë në shtëpi. Mbaj mend që dikur Bylisi e mundte Tiranën vetëm me tifozë. Ndaj edhe ju bëj thirrje që të jenë të shumtë në stadium, për të na mbështetur”, tha në fund të prononcimit pogradecari i Bylisit, Marin Abazaj.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













