Largohet si zhgënjim por me dy trofe nga kryeqytetasit, edhe mesfushori ndjek Brdariç në Kosovë
Fjoart Jonuzi e ka mbyllur me klubin e Dinamos dhe sot ka kaluar zyrtarisht në radhët e Drenicës në futbollin kosovar.

Mesfushori, i cili në këtë edicion ka luajtur me pikatore në radhët e bluve kryeqytetas, i injoruar edhe në momente vështirësia nga trajneri Ilir Daja, ka lënë kështu pas një vit të vështirë, por gjithsesi me dy medalje fituesi, atë të Kupës dhe të Superkupës, të fituar me blutë.
“FC Drenica ka kënaqësinë të ju njoftojë për arritjen e marrëveshjes me mesfushorin e mirënjohur, Fjoart Jonuzi! 29-vjeçari vjen nga kampionati shqiptar (Abissnet Superiore), ku së fundmi ishte pjesë e Dinamo City. Jonuzi sjell në “Bajram Aliu” një eksperiencë të jashtëzakonshme, duke pasur në CV-në e tij ekipe elitare si: KF Tirana, KF Vllaznia, FK Kukësi, SC Gjilani dhe KF Laçi. Jonuzi do të jetë një “motor” i rëndësishëm në mesfushën tonë për arritjen e objektivave të klubit. Mirë se vjen në shtëpinë e re, Fjoart! Na priftë e mbara!”, shkruhej në njoftimin e klubit kosovar.
Ai që ka insistuar për afrimin e Jonuzit te Drenica është trajneri gjerman Tomas Brdariç, i cili e njeh mjaft mirë atë nga vitet e tij në pankinën e Vllaznisë.
PANORAMASPORT.AL













