Kukësi i ri po bën ndryshime, rinovime dhe projekt rikthimi me në krye trajnerin Kadiu. Ja lojtarët “e blinduar”
Kukësi siguroi mbijetesën në Kategorinë e Parë, pasi mposhti me rezultatin 2-0 Butrintin në ndeshjen vendimtare të “play out”-it, duke shmangur një tjetër goditje të rëndë në historinë e klubit. Pas një sezoni të mbushur me probleme, luhatje dhe momente të vështira, verilindorët arritën objektivin minimal dhe tani kanë kthyer menjëherë vëmendjen nga e ardhmja.

Drejtuesit e klubit kanë nisur punën për ndërtimin e projektit të sezonit 2026-2027, me synimin e qartë për të rikthyer Kukësin në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Hapi i parë ka qenë ruajtja e vazhdimësisë në drejtim, duke rinovuar kontratën e drejtorit të përgjithshëm, Fundim Dollaku. Vetë klubi e bëri publik lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale: “FK Kukësi ka kënaqësinë të njoftojë se ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës me Drejtorin e Përgjithshëm, Fundim Dollaku, për dy sezone të tjera. Ky rinovim konfirmon besimin e klubit në punën, vizionin dhe përkushtimin e treguar nga z. Dollaku gjatë periudhës së tij në drejtimin e klubit, periudhë në të cilën u arrit edhe objektivi minimal i sezonit që sapo përfundoi. Vazhdimësia e bashkëpunimit përbën një hap të rëndësishëm në projektin afatgjatë të Kukësit. Objektivi i klubit mbetet i qartë, rikthimi i FK Kukësit aty ku e ka vendin, në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Rinovimi me z. Fundim Dollaku është vetëm hapi i parë drejt ndërtimit të një sezoni me objektiva ambicioze dhe sfida të reja. Së bashku, me punë, përkushtim dhe besim, do të vazhdojmë rrugën drejt rikthimit të madh. Forca Kukësi!”
Radha e Kadiut dhe e lojtarëve kyç
Megjithatë, rinovimi me Dollakun duket se është vetëm fillimi i një serie lëvizjesh që priten në kampin verilindor. Drejtuesit synojnë të ruajnë bërthamën e skuadrës që siguroi mbijetesën dhe më pas të ndërhyjnë në merkato për të ndërtuar një ekip konkurrues për sezonin e ri. Një nga prioritetet kryesore mbetet trajneri Bledi Kadiu. Tekniku rezultoi zgjedhja e duhur në momentin më kritik të sezonit. Kukësi kaloi një periudhë tepër të vështirë në pankinë, duke e nisur kampionatin me Sedat Pajazitin, më pas me një eksperiencë të shkurtër të Bledar Devollit, ndërsa për një periudhë të gjatë skuadra u drejtua nga stafi i mbetur në klub. Rezultatet e dobëta dhe mungesa e stabilitetit bënë që shumë pak njerëz të besonin se Kukësi mund t’ia dilte të mbijetonte. Por ardhja e Kadiut, e kombinuar me ndërhyrjet e goditura në merkaton e janarit, ndryshoi rrjedhën e sezonit.
Skuadra fitoi ekuilibër, grumbulloi pikët e nevojshme dhe në fund siguroi qëndrimin në kategori. Sipas informacioneve të siguruara nga “Panorama Sport”, drejtuesit janë të vendosur t’i besojnë edhe sezonin e ardhshëm Bledi Kadiut, duke e konsideruar atë një nga shtyllat e projektit të ri. Paralelisht me trajnerin, klubi po punon edhe për rinovimin e kontratave të disa prej futbollistëve që lanë gjurmë në pjesën e dytë të sezonit. Në listën e prioriteteve janë afrimet e merkatos së janarit, si Moskuera, Alison, Paulinjo dhe Shepanski, futbollistë që dhanë kontribut të rëndësishëm në momentet vendimtare të kampionatit. Gjithashtu, Kukësi synon të mbajë edhe disa nga lojtarët që ishin pjesë e skuadrës që nga fillimi i sezonit dhe që treguan vlera gjatë rrugëtimit të vështirë drejt mbijetesës. Pas shpëtimit në frymën e fundit, Kukësi nuk dëshiron të kalojë një tjetër sezon me objektiv mbijetesën. Sinjalet e para tregojnë se në verilindje po mendohet për një projekt më ambicioz, me synimin që emri i Kukësit të rikthehet sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar.
PANORAMASPORT.AL













