Kukësi fiton në fushë, Apolonia “hakmerret” në zyrë. Një nigerian fut në “sherr” dy klubet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2026 | 12:59

Kukësi fiton në fushë, Apolonia “hakmerret” në zyrë. Një nigerian fut në “sherr” dy klubet

Kukësi dhe Apolonia u përballën të shtunën e kaluar në “Kukës Arena”, në kuadër të javës së 29-të të Kategorisë së Parë. Në fushë buzëqeshën verilindorët, të cilët fituan 2-0 dhe, falë këtij trepikëshi, parakaluan fierakët në renditje. Kukësi u ngjit në vendin e nëntë me 27 pikë, ndërsa Apolonia zbriti në vendin e 10-të me 26 pikë, vetëm një hap larg rënies direkte nga kategoria.

kukesi apolonia

Megjithatë, përtej asaj që ndodhi në fushë, mes dy klubeve po zhvillohet prej kohësh edhe një betejë në zyrat e FSHF-së, konkretisht në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve. Këtë “ndeshje” e ka fituar Apolonia, por Kukësi ende nuk ka shlyer detyrimin financiar ndaj fierakëve. “Panorama Sport” mëson se përplasja lidhet me mesfushorin nigerian Abubakar Nasir. Lojtari, i datëlindjes 2005, u transferua te Kukësi në verën e vitit 2024 nga Apolonia U-19, ndërsa klubi fierak kërkon pagesën e taksës së formimit për futbollistin që është rritur në akademinë e tij. Kjo çështje u shqyrtua edhe nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF, i cili vendosi: “Pranimin e kërkesës së FK Apolonia. FK Kukësi, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 01, datë 13.01.2026 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin”.

Erest Lamellari

Për momentin, megjithatë, për të dy klubet prioritet mbetet mbijetesa në Kategorinë e Parë. Kukësi po kalon një moment pozitiv, me 6 ndeshje pa humbje (3 fitore dhe 3 barazime), ndërsa Apolonia nuk fiton që nga 3 dhjetori i vitit 2025. Në suksesin 2-0 të Kukësit spikati kapiteni Erest Lamellari, i cili shënoi golin e parë dhe u shpall lojtari i ndeshjes. Pas takimit, 21-vjeçari u shpreh: “Jam i lumtur për ekipin dhe për çunat, pasi këto rezultate tregojnë vazhdimësinë e Kukësit në javët e fundit. Kjo ecuri pozitive po vjen prej disa ndeshjesh dhe shpresojmë ta vazhdojmë me këtë ritëm për të arritur objektivin tonë”. Në javën e 30-të, Kukësi do të luajë në transfertë ndaj Pogradecit, ndërsa Apolonia përballet në Peshkopi me Korabin. Një tjetër hap fals mund t’i afrojë edhe më shumë fierakët me rënien në Kategorinë e Dytë.

12 pikë ka marrë Kukësi në 6 javët e fundit, ku skuadra e drejtuar nga trajneri Bledi Kadiu nuk njeh humbje. Pas tre barazimeve radhazi erdhën tre fitoret, që i ngjiten verilindorët dhe rritur shpresat për mbijetesë.

PANORAMASPORT.AL