Kreu në “ethe”, verdiktet në ajër. Njihuni me duelet që do të mbyllin javën e 28 në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2026 | 8:42

Kreu në “ethe”, verdiktet në ajër. Njihuni me duelet që do të mbyllin javën e 28 në Kategorinë e Parë

Sot mbyllet java e 28-të në Kategorinë e Parë me 5 duele që luhen në orën 15:00. 

kategoria-e-pare-1

Kastrioti – Kukësi Kastrioti, me 36 pikë dhe në vend të pestë, kërkon të konsolidojë mesin e tabelës dhe të afrohet me zonën e sipërme, ndërsa Kukësi (21) është në krizë të thellë dhe në rrezik serioz rënieje. Për kuksianët çdo ndeshje është finale. Problemi mbetet mungesa e vazhdimësisë, ndërsa Kastrioti në shtëpi di të jetë shumë i rrezikshëm, siç ndodhi edhe në mesjavë me Besën. Një tjetër hap fals mund të jetë fatal për verilindorët.

Burreli – Pogradeci Pogradeci, me 58 pikë dhe në vend të tretë, vjen me moral të lartë pas fitores ndaj Ilirisë, e gjashta radhazi. Por transfertat si ajo e Burrelit janë gjithmonë të vështira. Vendasit kanë treguar se dinë të ndalin ekipet e forta, mes tyre edhe Pogradecin në fazën e parë. Ndërkohë, liqenorët nuk kanë më luksin të gabojnë nëse duan të qëndrojnë në garën për vendet e para. Kjo është një ndeshje që mat ambiciet reale të Pogradecit.

Iliria – Laçi Laçi për të marrë kreun, Iliria për surprizën në shtëpi. Laçi, me 63 pikë, është vetëm një hap larg vendit të parë dhe çdo pikë ka peshë ari. Por përballë është Iliria me 37 pikë, një skuadër e paparashikueshme që lufton për të hyrë në zonën më të sigurt të tabelës. Kurbinasit janë favoritë në letër, por presioni është i madh dhe çdo nënvlerësim mund të kushtojë shumë në këtë fazë të sezonit.

Besa – Skënderbeu Reagimi i kryesuesve në provë. Skënderbeu kryesues, me 64 pikë, vjen pas një ndalese të papritur ndaj Korabit dhe tani kërkohet reagim i menjëhershëm. Përballë është Besa që luan në shtëpi dhe që lufton për një vend në “play off” dhe nuk ka asgjë për të humbur. Kavajasit janë të rrezikshëm në shtëpi dhe mund të hapin probleme serioze. Nëse Skënderbeu gabon sërish, mund të humbasë kreun.

Korabi – Luftëtari Dibranët për vazhdimësi, gjirokastritët për mbijetesë. Korabi mori një rezultat të madh ndaj Skënderbeut dhe kërkon të ndërtojë mbi atë paraqitje. Në anën tjetër, Luftëtari, me 22 pikë dhe në vend të 10-të, është në një situatë të vështirë dhe ka nevojë urgjente për pikë. Një duel nervash, ku çdo gabim mund të jetë vendimtar për fatin e sezonit.

NDESHJET E SOTME

KASTRIOTI-KUKËSI 15:00

BURRELI-POGRADECI 15:00

ILIRIA-LAÇI 15:00

BESA-SKËNDERBEU 15:00

KORABI-LUFTËTARI 15:00

PANORAMASPORT.AL