Kapiteni Kotobelli pa komplekse: Luajmë pa frikë, Teuta jep maksimumin në “Elbasan Arena”
Në prag të ndeshjes së radhës ndaj Elbasanit në transfertë, kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, flet për përgatitjet e skuadrës, pritshmëritë nga kjo sfidë e vështirë dhe objektivat e durrsakëve për të marrë një rezultat pozitiv.
Blerim, si është gjendja e skuadrës para ndeshjes me Elbasanin?
Skuadra është mirë, kemi punuar fort gjatë javës dhe jemi të fokusuar maksimalisht. E dimë që na pret një transfertë e vështirë, por jemi gati të japim më të mirën.
Çfarë ndeshjeje prisni nesër në Elbasan?
Presim një ndeshje të fortë dhe të luftuar. Elbasani është skuadër që luan mirë në fushën e vet, por ne kemi cilësinë dhe eksperiencën për të përballuar presionin.
Sa e rëndësishme është kjo sfidë për objektivat e Teutës?
Çdo ndeshje është e rëndësishme në këtë fazë të kampionatit. Pikët në transfertë kanë vlerë të madhe dhe ne do të luajmë për rezultat pozitiv.
Si kapiten, çfarë u ke kërkuar shokëve të skuadrës?
U kam kërkuar përqendrim, disiplinë dhe shpirt gare nga minuta e parë deri në fund. Vetëm si grup mund të arrijmë sukses.
A mendoni se Teuta mund të marrë maksimumin në këtë transfertë?
Po, pse jo. Do të hyjmë në fushë për fitore, duke respektuar kundërshtarin, por pa frikë.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













