Kaosi me Kategorinë e Parë, Kukësi gjen precedentin e ngjashëm që i jep mundësinë të mbijetojë
Kaosi i krijuar me Bylisin pas rënies nga Superiorja të skuadrës dhe ngjitjes në të Parën të të ekipit të dytë të ballshiotëve, pritet të sqarohet në ditët në vijim nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila duhet të vendosë se cila skuadër meriton të qëndrojë në të Parën.

Ka shumë ekipe me pretendime për atë vend që mbetet bosh në Kategorinë e Parë, por Kukësi ka një precedent që e bën të shpresojë se do të jenë verilindorët ata që do të mbeten pjesë e futbollit profesionist.
Bëhet fjalë për sezonin 2017-2018, kur në fund të të cilit, ekipi i Vllaznisë ra nga Superiorja në Kategorinë e Parë. Aty pak ditë më parë kishte siguruar qëndrimin Vllaznia B, e cila mundi me penallti në play-out për rënien ekipin e Orikumit që vinte nga Kategoria e Dytë.
Por meqë dy skuadra të të njëjtit klub nuk mund të jenë paralelisht pjesë e të njëjtit kampionat, Vllaznia B u rrezua në Kategorinë e Dytë, ndërsa vendi që mbetej bosh iu dha pikërisht Orikumit, skuadrës e cila kishte humbur me të në ndeshjen play-out.
Ky është precedenti të cilin verilindorët shpresojnë të ndjekë FSHF e që i vendos ato në pozitat më të favorshme për të qenë pjesë e Kategorisë së Parë në edicionin e ardhshëm.
PANORAMASPORT.AL













