Kadiu: Të ndryshojnë objektivat, emri i Kukësit nuk është për të luftuar për mbijetesë në të Parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2026 | 14:14

Kadiu: Të ndryshojnë objektivat, emri i Kukësit nuk është për të luftuar për mbijetesë në të Parën

Trajneri Bledi Kadiu e mori thuajse të rënë Kukësin në janar, por falë punës së tij dhe ndryshimeve që ndodhën gjatë merkatos, verilindorët, mes shumë peripecish, arritën të siguronin mbijetesën. Kjo erdhi pas ndeshjes së dytë shtesë me Butrintin, pasi dihet se finalen e parë me Bylisin B e shpërdoruan, por fati ishte me ta, pasi ballshiotët u penalizuan nga rënia e ekipit të parë nga elita në Kategorinë e Parë.

bledi kadiu me kukesin

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas finales me sarandjotët, trajneri Kadiu tregoi gjithë vështirësitë e kaluara, si dhe gëzimin që solli mbijetesa e ekipit.

Kadiu, Kukësi arriti të shpëtojë sezonin pas ndeshjes së dytë shtesë ndaj Butrintit. Ju e morët ekipin në janar thuajse të rënë nga kategoria dhe sot e shpëtuat. A jeni i kënaqur me këtë arritje?

Padyshim. Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë çunat për punën dhe durimin që kanë treguar. Duke marrë parasysh situatën kur mora ekipin, sigurisht që jam i kënaqur me këtë arritje, pasi më në fund e shpëtuam Kukësin nga rënia në Kategorinë e Dytë. Por unë mendoj se ky qytet dhe ky ekip, që ka bërë emër edhe në kupat e Europës, nuk duhet të ketë si objektiv mbijetesën në Kategorinë e Parë. Ndaj duhet gjetur një zgjidhje.

Si e patë këtë ndeshje me Butrintin?

Kishim probleme në pjesën e parë, pasi edhe Lamellari ishte i dëmtuar, ndërsa Zhunior nuk ishte në pozicionin e tij natyral. Patëm edhe disa gabime dhe u futëm disi me vonesë në lojë. Pavarësisht kësaj, kishim menduar edhe për rezervat dhe planin për të dubluar rolet. E rëndësishme është që gjithçka shkoi mirë. Nuk rrezikuam shumë në vazhdimësi, morëm në dorë frenat e lojës, krijuam rastet tona dhe realizuam golat. Ndërsa pjesa e dytë ka qenë edhe më e mirë për Kukësin.

Zgjatja e afatit kohor për t’u luajtur ky takim ndaj Butrintit, ndikoi në paraqitjen e dy ekipeve?

Besoj se po, pasi edhe ne na çuditi kjo shtyrje kaq e madhe kohore. Është fundi i kampionatit dhe lojtarët janë të lodhur. Duhej t’i motivonim dhe për këtë arsye zhvilluam edhe dy ndeshje miqësore. Gjithashtu ndikoi edhe vapa e këtyre ditëve, si dhe orari i ndeshjes në 15:00, kur temperaturat ishin të larta. E rëndësishme është që e mbyllëm me sukses dhe Kukësi arriti objektivin.

Çfarë ndryshoi te Kukësi me ardhjen tuaj në pankinë? Kush ishte çelësi i shpëtimit?

Ka ndryshuar mënyra e lojës, motivimi, grupi dhe drejtimi, pasi na është afruar edhe drejtori Dollaku, të cilin e falënderoj shumë. Ndryshuam si nga ana taktike, ashtu edhe nga ana psikologjike, duke i marrë ndeshjet një e nga një. Jam shumë falënderues ndaj të gjithë lojtarëve, pasi kanë treguar personalitet, kanë luftuar me sakrificë dhe kanë dhënë maksimumin.

Kujt ia dedikoni këtë sukses ndaj Butrintit?

Rastësi e bukur, pasi sot (dje) është dita kur djali im mbush 5 vjeç dhe këtë sukses ia kushtoj atij. Gjithashtu, suksesi shkon edhe për tifozët kuksianë dhe shpresoj që ata ta mbushin stadiumin, sepse nuk ka kënaqësi pa praninë e tyre.

Momenti juaj më i vështirë, apo diçka që ju ka mbetur peng?

Nuk besoj se ka diçka që të na ketë mbetur peng, pasi të gjitha ndeshjet i kemi trajtuar si finale, brenda dhe jashtë fushës sonë. Duke i marrë me radhë dhe duke u motivuar, ekipi krijoi besim dhe në fund ia dolëm.

Çfarë pritet të ndodhë me Kukësin pas kësaj mbijetese të vështirë?

Padyshim që do të ndryshojnë objektivat te Kukësi, por gjithçka do të shihet hap pas hapi. Tani do të shijojmë këtë moment dhe më pas do të ulemi me presidentin për të folur për objektivat e ardhshëm.

FATOS LAMAJ-PANORAMASPORT.AL