Java e 25 e Superiores/ Notat e skuadrave, shikoni formacionin më të mirë dhe më të dobët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2025 | 10:59

Java e 25 e Superiores/ Notat e skuadrave, shikoni formacionin më të mirë dhe më të dobët

Notat e skuadrave si dhe formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së 25-të të Kategorisë Superiore sipas “Panorama Sport”:

superiore

NOTAT E SKUADRAVE

EGNATIA 9 – Nëntë, po aq sa janë edhe fitoret radhazi të skuadrës kampione në fuqi. Egnatia ndoshta nuk dhuroi spektakël ndaj Partizanit, por gjatë gjithë kohës e kishte në dorë ndeshjen, e menaxhoi mjaft mirë dhe në fund mori atë që donte.

LAÇI 8.5 – Një nga skuadrat më në formë të kampionatit. Laçi ka marrë fitoren e 3-të në 4 ndeshjet e fundit, për më tepër me një lojë bindëse ndaj Teutës, duke u ngjitur kështu në vend të 5-të. Gjithçka e merituar për kurbinasit, të cilët kanë një ritëm vërtet të lartë.

TIRANA 7 – Merr një fitore shumë të rëndësishme, që e nxjerr nga “balta” për momentin. Suksesi ndaj Skënderbeut merr vlera nga fakti se Tiranës i mungonte gati një skuadër e tërë. Me një formacion të sajuar dhe në fushë asnjanëse, 3 pikët janë të arta.

VLLAZNIA 6.5 – Komplikon një ndeshje, që shkoi në rrjedhën që Vllaznia donte. Mund të përfitonte më shumë në momentin që ishte në superioritet numerik ndaj Dinamos. Pastaj ka merita për faktin se reziston për më shumë se 30 minuta në inferioritet numerik.

ELBASANI 6 – Edhe këtë herë Elbasani nuk ia doli të fitojë dhe humbi edhe vendin e 5-të. Në Ballsh pati fatin të kalonte në avantazh dhe mund të kishte shënuar edhe një gol të dytë. Barazimi vlen shumë pak për një skuadër që po humb terren nga java në javë.

DINAMO 6 – Tjetër ndeshje e dobët për Dinamon, që nuk po arrin ta kapërcejë momentin e vështirë. Shpenzon energji për të mos pësuar në pjesën e parë dhe pastaj nuk arrin të shënojë, kur Vllaznia mbetet me një lojtar më pak. Sulmi po has vështirësi javët e fundit.

BYLIS 6 – Një lojë më e mirë se në ndeshjet e fundit nga ana e ballshiotëve. Gjejnë forca të barazojnë dhe me pak kujdes edhe mund ta përmbysnin rezultatin me rastet që krijuan. Nuk ka stabilitet në mbrojtje, ndërsa pika vlen më shumë për moralin.

SKËNDERBEU 5 – Nuk arrin të përfitojë as nga mungesat e Tiranës dhe as nga fusha asnjanëse. Lojë fragmentare dhe shumë gabime në prapavijë. Skënderbeu del pa pikë në një ndeshje kyçe për fatet e sezonit dhe tani shanset e qëndrimit në Superiore bëhen minimale.

PARTIZANI 4.5 – Thyhet lehtë nga Egnatia, më shumë për gabime të vetat se sa për meritë të kundërshtarit. Është e qartë se Partizani aktual ka një diferencë të madhe me atë të 2024-ës, pasi ka humbur jo pak si në nivelin e lojës, ashtu edhe në personalitet.

TEUTA 4 – Rënia vazhdon. Teuta ka dalë me një humbje të thellë nga Laçi dhe tashmë sheh “fantazmat” e rënies nga kategoria. Në ndeshjen e fundit durrsakët pësuan gola me shumë thjeshtësi dhe pastaj e kishin të pamundur të reagonin.23PANORAMASPORT.AL