Ivani: Sezon pozitiv me Pogradecin, ndryshimet e janarit na bënë ekip pretendent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2025 | 15:18

Ivani: Sezon pozitiv me Pogradecin, ndryshimet e janarit na bënë ekip pretendent

Paolo Ivani, 28-vjeçari korçar, rezultoi në një nga pikat kryesore të Pogradecit në sezonin e fundit. Shtatlarti që këtë sezon luajti në fazën difensive, ka kontribuar në 30 ndeshje të kampionatit me Pogradecin, ku ishte vetëm një hap larg ngjitjes në Superiores, ku u ndalën nga Tirana.

ivani pogradeci

Për “Panorama Sport”, Ivani shpreh keqardhjen që liqenorët nuk arritën që t’i bashkohen skuadrave elitare.

Ivani, si e vlerësoni këtë sezon të Pogradecit?

Ka qenë një nga sezonet më pozitive, për vetë faktin që Pogradeci shkoi deri në ndeshjen finalen me Tiranën. Sigurisht, kjo nuk ishte e paktë, pasi skuadra jonë e nisi vrullin vetëm pas merkatos së janarit, ku edhe u formatua grupi që bëri mrekullinë. Deri në atë kohë, Pogradeci nuk kishte objektiva të tilla, pasi ne ishim shumë larg kreut të tabelës dhe tre ekipet e para ishin shkëputur në renditje. Në janar, na u vu si objektiv kapja e zonës së “play off”. Kjo gjë u arrit, e normalisht u përjetua më së miri edhe në ndeshjet e kësaj faze, ku arritëm të eliminonim Burrelin e Besën, por ngecëm te Tirana.

Si e përjetuat finalen me Tiranën?

Te finalja me Tiranën ne vinim pas dy fitoreve në fazën “play off”, ku kishim mundur Burrelin dhe Besën. Natyrisht, një ndeshje e tillë finale me Tiranën, patjetër që kishte veçoritë e saj. Në radhë të parë, Pogradeci ishte skuadra që do të hidhte hapin e fundit drejt elitës. Gjithashtu, kjo finale kishte edhe vlera shumë të rëndësishme e të bukura, për faktin se ne luanim kundër Tiranës, një emër i madh dhe një nga ekipet më të mira në historinë e futbollit shqiptar. Rezultatin e përjetuam keq. Na mërziti humbja, sepse kemi luajtur aq bukur në atë ndeshje, ku nuk u shfaqën aspak diferenca mes dy skuadrave tona. Ndeshjet finale të emocionojnë, vihesh nën presion, por kanë edhe bukuritë e tyre pasi luan kundër një ekipi si Tirana. Ishte me të vërtetë një ndeshje e bukur, kishim dhe mundësitë tona, por futbolli kështu është dhe duhet ta përjetojmë atë.

Cilat janë synimet e Ivanit për sezonin e ri, si dhe a keni oferta që mund t’ju joshin?

Për momentin, të ardhmen nuk e mendoj. Unë thjesht po pushoj e më vonë do të shikojmë se çdo të ndodhë me skuadrën tonë, si dhe me ofertat që mund të më vijnë.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL