Intervista/ Dosti: E njoh Salzburgun, ja si ia del Partizani
Ish-sulmuesi i Partizan it, Edmond Dosti, në një intervistë për “Panorama Sport” ka treguar recetën se si të kuqtë mund ta kalojnë kampionen e Austrisë.

Edmond Dosti
Dosti, ose siç e thërrisnin asokohe “Mokja” i përket plejadës së fundit të futbollistëve të kuq që kanë dalë kampion, pikërisht në sezonin 1992-1993, ku ai u shpall edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit. Ish-sulmuesi e njeh mirë kundërshtarin e Partizanit, pasi pas përfundimit të karrierës futbollistike ka preferuar që të jetojë në Austri së bashku me familjen.
Dosti pohon se Salzburgu ka të meta në mbrojtje dhe Partizani nëse luan në sulm, mund t’i befasojë austriakët. Më pas, Dosti ka folur edhe për dënimin e Skënderbeut, çështjen e titullit kampion dhe në fund e mbyll me një urim që të kuqtë të kthehen te titulli dhe sezoni i ri të dhurojë një futboll më të pastër në Shqipëri.
Dosti, e keni ndjekur Partizanin e këtij sezoni në Europë, i cili ka nisur punën me një trajner të ri?
Po, e kam ndjekur, por për ta vlerësuar ekipin është tepër shpejt.
Si e patë Partizanin në ndeshjen e parë me Salzburgun?
Për mendimin tim në pjesën e parë skuadra nuk luajti mirë, pasi ishte e përqendruar e gjitha në mbrojtje, ndërsa, në pjesën e dytë luajti më mirë, por u ndëshkua me një gol.
Si njohës i mirë i futbollit austriak, si e shikoni ndeshjen e kthimit dhe sa shanse ka Partizani për të kaluar turin?
Salzburgu këtë vit nuk është shumë i fortë, si një vit më parë. Këtë gjë e vërteton edhe fillimi i kampionatit, janë mundur 3-1 në ndeshjen e parë dhe të shtunën kanë luajtur shumë dobët në shtëpi, ku barazuan 1-1. Po luajti Partizani si i barabartë besoj se ka një shans për kualifikim. Salzburgu është shumë i dobët në mbrojtje, gjë të cilën Partizani duhet ta dijë për ta shfrytëzuar në ndeshjen e kthimit.
Pra, ju thoni që Partizani duhet të sulmojë duke shfrytëzuar mangësitë e tyre në mbrojtje…
Sigurisht, kjo është rruga që mund t’i dërgojë drejt kualifikimit.
Po çfarë duhet të kenë më kujdes nga kundërshtari?
Partizani duhet të ketë kujdes në fazën mbrojtëse, pasi sulmuesi kryesor i Salzburgut, kapiteni Soriano, është i rrezikshëm. Mbrojta fillon nga sulmi që duhet të bëjë presing sa më lart. Partizani duhet të hidhet sa më shpejt në sulm, në mënyrë që ta zërë në befasi mbrojtjen. Gazetat austriake shkruajnë se Partizani do të rrijë në mbrojtje si në ndeshjen e parë, gjë të cilën të kuqtë nuk duhet ta bëjnë në këtë përballje kthimi.
Shikoni ndonjë dallim nga ekipi i Agostonelit me këtë të Sormanit?
E thashë edhe në fillim që është tepër shpejt për ta vlerësuar Partizanin e këtij sezoni. Gjithsesi, mesi i fushës së Partizanit po më pëlqen.
Kë vlerësoni më shumë nga ky ekip dhe te cili lojtar duhet të bazohet Partizani në transfertën e Salzburgut?
Vlerësimi im shkon për Vilën, Filin dhe Torasën. Te këta lojtarë besoj se do të bazohet edhe suksesi i të kuqve në këtë ndeshje.
Partizani do të mbështet nga ultrasit e tij edhe në Austri. Edmond Dosti ku do ta shikojë këtë takim?
Tifozët e Partizanit e kanë treguar veten gjithmonë. Besoj që edhe unë do të jem në stadium të mërkurën për ta parë ndeshjen e Partizanit.
Si e keni parë pezullimin e Skënderbeut nga UEFA, ku përfitoi Partizani, i cili kaloi në Champions, si dhe cili është mendimi juaj për fenomenin e trukimit të ndeshjeve?
Trukimi i ndeshjeve apo dyshimet që hidhen në të tilla raste është gjëja që urrej më shumë. Ky fenomen nuk i ka hije futbollit, pasi e bën të pabesueshëm.
Për këtë rast, në Shqipëri është hapur një debat për çështjen e titullit kampion. Ishtrajneri juaj, Starova, ka deklaruar se FSHF-ja duhet t’ia kalojë titullin Partizanit. Ju si e mendoni këtë, meqenëse UEFA e kaloi Partizanin në Champions?
Të them të vërtetën titulli fitohet në fushën e lojës, gjatë një gare të ndershme dhe pa tolerime dhe jo të merret si dhuratë.
Po federata jonë duhet të marrë ndonjë vendim për rastin në fjalë apo duhet të mjaftohet me atë që vendosi UEFA dhe KAS-i?
Unë kam mendimin se kampionati shqiptar është çdo vit i konstatueshëm, se nuk behet garë e ndershme. Patjetër FSHF-ja duhet të reagojë, në mënyrë që të mos përlyhen të gjitha ekipet.
Mendoni se largimi i Sukajt e ka dobësuar Partizanin në sulm?
Unë mendoj se nuk ka njeri të pazëvendësueshëm. Partizani i duhet një goleador, një sulmues mirëfilltë.
Cili është mesazhi apo urimi i Dostit për Partizanin e sezonit të ri?
Partizanit i uroj suksese këtë vit. Është koha për të dalë kampion, ku i mungon që nga viti 1993, pikërisht nga koha kur unë isha pjesë e të kuqve. Gjithashtu, uroj që në sezonin e ri të luhet futboll i pastër.
ILIR CARA













