Gvozdenoviç “snobon” rivalët, trajneri beson tek Elbasani: Edhe me mungesa, ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2026 | 13:55

Gvozdenoviç “snobon” rivalët, trajneri beson tek Elbasani: Edhe me mungesa, ia dalim

Elbasani po i jep dorën e fundit për gatitjeve për ndeshjen e sotme ndaj Teuta në Durrës, një sfidë që në kampin verdheblu vlerësohet maksimalisht, jo vetëm për rëndësinë e pikëve, por edhe për momentin delikat të sezonit.

gvozdenovic

Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri Ivan Gvozdenoviç foli për gjendjen e skuadrës, duke pranuar mungesat e shumta, por duke shprehur besim të plotë te lojtarët që do të zbresin në fushë. “Do të jetë një ndeshje e vështirë.

Gjithmonë kundër Teutës është një sfidë interesante dhe e fortë. Për ne është si çdo javë: jemi gati të japim maksimumin në fushën e lojës. Kemi mungesa si Janaçek dhe Lulaj të dëmtuar, ndërsa Musta, Arsen Kasa dhe Lajthia mungojnë për shkak kartonësh. Kjo është situata dhe duhet të përshtatemi. Jam i sigurt se lojtarët që do të marrin shansin do të japin maksimumin dhe do të luajnë me shpirt. Kam besim tek të gjithë ata që do të zbresin në fushë”, u shpreh fillimisht tekniku verdheblu.

Objektivi mbetet fitorja Pavarësisht se bëhet fjalë për një transfertë të vështirë dhe me pesë mungesa të rëndësishme, Gvozdenoviç theksoi se skuadra e tij nuk futet në fushë për t’u kënaqur me barazimin, por për të marrë maksimumin.

“Kam një parim që nuk flas asnjëherë para ndeshjes nëse jam i kënaqur apo jo me një rezultat. Ne kemi detyrën të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje dhe kështu do të jetë edhe ndaj Teutës. Vetëm pas ndeshjes mund të themi nëse rezultati na kënaq apo jo.

Gjithçka varet nga mënyra si shkon loja dhe situatat që krijohen. Ne futemi gjithmonë në fushë për më të mirën”, theksoi trajneri. Sytë vetëm te ndeshja e vet Sa i përket garës me rivalët dhe mundësisë që ndonjë kundërshtar të humbasë pikë, trajneri i Elbasanit u shpreh se skuadra është e fokusuar vetëm te puna e saj. “Ne shohim vetëm punën tonë, jo atë që bëjnë kundërshtarët.

Jemi në një fazë delikate të sezonit dhe kemi pesë javët e fundit përpara. Jemi totalisht të përqendruar te ajo që duhet të bëjmë vetë dhe nuk merremi me rezultatet e skuadrave të tjera”, përfundoi Gvozdenoviç. Në përballjen ndaj Teutës, Elbasani synon të ruajë vazhdimësinë pozitive në kampionat, në një moment kur sezoni po hyn në fazën vendimtare dhe objektivi i verdhebluve mbetet lufta për kreun.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL