Gvozdenoviç gati për Partizanin, trajneri i verdhebluve: Ne jemi Elbasani, kemi një motiv tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2025 | 9:16

Gvozdenoviç gati për Partizanin, trajneri i verdhebluve: Ne jemi Elbasani, kemi një motiv tjetër

Elbasani është gati për sfidën e sotme ndaj Partizanit, e cila do të luhet në “Elbasan Arena”, në orën 18:00. Verdheblutë vijnë pas një serie pozitive rezultatesh dhe me një ritëm në rritje, duke synuar të vazhdojnë ecurinë e mirë edhe përballë një kundërshtari me peshë si të kuqtë e kryeqytetit. Megjithatë, skuadra e Ivan Gvozdenoviç do të përballet me mungesën e sulmuesit Tsague, i pezulluar për shkak kartonësh.

gvozdenovic

Trajneri serb tregon se pavarësisht kësaj, grupi është i plotë dhe gati, ndërsa thekson se konkurrenca në fazën sulmuese mbetet e shëndetshme dhe me alternativa të mjaftueshme për të përballuar sfidën. Në fjalën e tij për mediat para ndeshjes, Gvozdenoviç shfaq qetësi dhe besim. Ai vlerëson maksimalisht Partizanin, por nënvizon se Elbasani është në rrugë të duhur dhe se objektivat nuk arrihen me fjalë, por me vazhdimësi në performancë. Sipas tij, gara është e gjatë dhe çdo javë ka peshën e vet, teksa u përpoq që të ulte me çdo kusht euforinë në skuadrën që drejton.

Si vjen skuadra para ndeshjes me Partizanin? Si gjithmonë, ne jemi gati. Situata është shumë e mirë, pavarësisht se sërish do të kemi një mungesë për arsye kartonësh, siç është Tsague. Për pjesën tjetër, i kemi të gjithë lojtarët në rregull.

Elbasani ka gjetur ritmin e golave, por ju mungon sulmuesi kryesor. Sa ju shqetëson ky fakt? Ne kemi katër sulmues në formë: Tsague, Ze Gomes, Lleshi dhe Ben Shimon. Kjo do të thotë se jemi shumë mirë në fazën ofensive. Tsague ka qenë më i aktivizuar së fundmi dhe ka treguar cilësitë e tij, duke shënuar katër gola në katër ndeshje. Por edhe nëse shënon një qendërmbrojtës, unë jam i kënaqur, sepse nuk shoh kush shënon, më intereson të fitojë skuadra. Dhe mund të them se jam shumë i kënaqur me gjithë ekipin, rrjedhimisht edhe me fazën sulmuese.

Në ndeshjen e parë e keni mundur Partizanin. Si e prisni tani këtë duel? Gjëja e parë që dua të them është se kemi shumë respekt për Partizanin si klub dhe si skuadër. Janë një ekip shumë i mirë, me shumë cilësi brenda, lojtarë të shpejtë, agresivë dhe që luajnë futboll të bukur. Ne jemi gati për ndeshjen e nesërme, një ndeshje të bukur, derbi dhe e fortë. Por ne jemi Elbasani, kemi një motiv tjetër, kemi besim dhe do të përpiqemi të luajmë futboll të bukur për të marrë rezultat pozitiv.

13 pikë në pesë ndeshje. Sa të kënaqur jeni me atë që keni treguar? Deri tani jam shumë i kënaqur dhe si staf jemi të gjithë të kënaqur. Por kampionati është i gjatë dhe shumë i fortë, por deri tani nuk kemi fituar asgjë. Thjesht jemi në rrugën e duhur, asgjë më shumë. Nuk ka arsye për të folur shumë apo për të qenë euforikë. Do të shohim javë pas jave. Tani kemi Partizanin dhe përqendrohemi vetëm tek ai.

A është ky Elbasani që prisni apo ka ende nevojë për përmirësime? Gjithmonë ka vend për t’u bërë më mirë. Llogaritë do të bëhen në fund të majit, jo tani. E rëndësishme është që jemi në rrugën e duhur dhe brenda objektivave deri në këtë moment. Çdo gjë është e hapur dhe çdo llogari do të bëhet në fund të kampionatit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL