Gjendja e Flamurtarit, fjala e trajnerit Tetova për transfertën e Egnatias: Nuk shoh rrezik
Egnatia do të luajë nesër në transfertën e Vlorës përballë Flamurtarit. Sfida është e vlefshme për javën e pestë të Superiores dhe do të nisë në orën 19:00.

Para ndeshjes ka folur trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.
Sa e vështirë është për ju të përgatitni një ndeshje ku kundërshtari ka edhe motivimin shtesë të rikthimit në shtëpi përpara tifozëve të vet?
Mendoj që ndeshjen e ekipit tim e përgatis në baza të detyrave që unë kërkoj, pa u ndikuar nga kundërshtari.
Aktualisht Egnatia renditet në vendin e katërt. Sa i rëndësishëm është ky takim për objektivat afatshkurtër të skuadrës suaj?
Mendoj që çdo ndeshje ka rëndësinë e saj, si ky takim me Flamurtarin, dhe çdo ndeshje pas.
Flamurtari ndodhet në vendin e parafundit, por a mendoni se kjo e bën ndeshjen edhe më të rrezikshme, duke qenë se vlonjatët kanë nevojë urgjente për pikë?
Ndeshja ndeshjes nuk i ngjan për nga dinamika, por rrezik nuk shoh. Mendoj do të jetë një ndeshje me ritëm.
Çfarë keni parë nga Flamurtari në 4 javët e para? Cilat janë pikat e tij të forta dhe dobësitë ku Egnatia duhet të përqendrohet për ta goditur?
Është ekip që kërkon të administrojë lojën dhe ritmin. Do mundohemi t’ia bëjmë të vështirë.
Sa i kënaqur jeni me ecurinë e skuadrës tuaj deri tani dhe çfarë prisni të përmirësohet në këtë sfidë?
Skuadra javë pas jave mendoj do gjejë ritmin e munguar, por na duhet pak kohë akoma për ta parë këtë gjë. Shpresojmë që na duhet të fokusohemi tek mekanizmat në kohë që të arrijmë aty ku duhet.
Si është situata e grupit? A ka mungesa të rëndësishme në ekipin tuaj për këtë përballje?
Grupi është i plotë dhe mungesa nuk kemi.
Sa e rëndësishme është për ju ruajtja e vazhdimësisë dhe konsolidimi i stilit të lojës së Egnatias në një fushë që pritet të ketë atmosferë të zjarrtë?
Mënyra e lojës tonë është mbi të gjitha gjërat e tjera. Na duhet identitet dhe besim që kështu ne shkojmë te goli.
A mendoni se presioni është më shumë te Flamurtari, për shkak të situatës në renditje dhe rikthimit në stadiumin e tyre, apo edhe Egnatia duhet të ndiejë përgjegjësi për ta konfirmuar veten si skuadër pretendente?
Besoj që nuk ka presion te Flamurtari as tek ne, për faktin që është vetëm java e 5 për t’u luajtur.
Në këtë fillim kampionati, disa skuadra kanë treguar formë të luhatshme. Sa i rëndësishëm është stabiliteti që ka treguar Egnatia në këto javë të para?
Të gjitha skuadrat, edhe ne, kemi pasur luhatjet tona. Me kohën fitojmë atë që duam vërtet.
Ju keni në dispozicion një grup lojtarësh me eksperiencë dhe cilësi. Si po funksionon bashkëpunimi mes lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë?
Mendoj që gjithsecili kryen punë, dhe mbi të gjitha lojtarët me eksperiencë japin suport.
Duke parë ritmin e kampionatit deri tani, ku mendoni se mund të vendoset fati i kësaj ndeshjeje, në aspektin taktik, fizik apo psikologjik?
Mendoj për nga atmosfera do të jetë ndeshje me ritëm dhe agresive.
PANORAMASPORT.AL













