Formacion dhe identitet i ri për Tiranën e 2026-ës, Nuhiju rindërton bardheblutë. Ja risitë nga porta në sulm
Tirana po përgatitet për pjesën e dytë të sezonit me një formacion tërësisht të rinovuar, pas një merkatoje intensive dhe ndryshimeve të shumta në përbërjen e skuadrës.
Nën drejtimin e drejtorit sportiv Omer Bunjaku dhe trajnerit Ardijan Nuhiju, klubi nga kryeqyteti ka nisur një proces rindërtimi që synon të rikthejë stabilitetin, rezultatet pozitive dhe identitetin e munguar në javët e para të kampionatit. Në portë, Tafas pritet të jetë pika e referimit për repartin mbrojtës, jo vetëm për pritjet, por edhe për drejtimin e linjës së prapavijës. Përpara tij, mbrojtja me Veran, Markun ose Lleshin, Kortezin dhe Ndong synon të ofrojë më shumë siguri dhe koordinim, duke reduktuar hapësirat dhe gabimet individuale që kanë penalizuar skuadrën më herët. Mesfusha përfaqëson një nga repartet më të rëndësishme të këtij projekti të ri.
Meta, Alvarez dhe Mysloviç formojnë një treshe që kombinon forcën fizike, qarkullimin e topit dhe aftësinë për të lidhur repartet. Ky repart pritet të jetë “motori” i skuadrës, duke mbajtur ekuilibrin mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese, si dhe duke diktuar ritmin e lojës. Në sulm, Tabeku, Ernest dhe Xhixha (gjithmonë nëse vjen) ofrojnë alternativa të shumta. Me shpejtësi, lëvizje pa top dhe presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit, kjo treshe synon të rrisë ndjeshëm efikasitetin ofensiv të Tiranës. Veçanërisht, Xhixha shihet si një element kyç në finalizim, ndërsa Tabeku dhe Ernest pritet të kontribuojnë edhe në fazën e parë të presionit.
Ky formacion i ri reflekton qartë vizionin e stafit teknik për një Tiranë më agresive, më të organizuar dhe më konkurruese. Me alternativa të shtuara nga pankina dhe një konkurrencë më të fortë brenda grupit, bardheblutë shpresojnë që ky riformatim të përkthehet në rezultate konkrete në javët e ardhshme dhe në një rikthim të Tiranës aty ku pretendohet të jetë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













