Flamurtari zyrtarisht pa trajner, pritet edhe shkarkimi i drejtorit. Sot dita e së vërtetës për kuqezinjtë
Karlos Garsia largohet zyrtarisht nga Flamurtari. Lajmi i ditëve të fundit, i zbuluar ekskluzivisht nga “Panorama Sport”, më në fund konfirmohet. Gazeta zbulon se pasditen e djeshme është zhvilluar takimi mes administratorit Sinan Idrizi dhe trajnerit Karlos Garsia.
Idrizi e ka falënderuar 41-vjeçarin për punën e deri tanishme, duke i uruar suksese. Mësohet se mes ish-trajnerit dhe klubit është arritur edhe marrëveshja e ndërprerjes me konsensus të kontratës, edhe sa i përket termave financiare. Klubi njoftoi mbylljen e bashkëpunimit me Karlos Garsia edhe nëpërmjet një deklarate në rrjetet sociale.
“Flamurtari njofton se ka përfunduar me konsensus bashkëpunimin me trajnerin Karlos Garsia. Klubi e falënderon për profesionalizmin, qytetarinë dhe vlerat që ka treguar gjatë periudhës së tij në drejtimin e skuadrës sonë. Flamurtari F.C. i uron suksese në vazhdim të karrierës dhe e falënderon për kontributin e dhënë në klubin tonë”, thuhet në deklaratën e klubit.
PRAPASKENAT Karlos Garsia qëndroi në Vlorë tri ditë pas ndeshjes të humbur me Dinamon. Shkarkimi i tij mori rrugën pas takimit në Tiranë, por u konfirmua për gazetën nga klubi edhe dy ditë më parë. Tekniku nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen dhe priti një takim me Sinan Idrizin, që u realizua vetëm pasditen e djeshme. “Panorama Sport” mëson se Garsia u komunikoi lojtarëve përpara ndeshjes me Dinamon se do të bënin tri ditë pushim, por kjo “dhuratë” nuk ka rezultuar efikase. Stafi teknik i Garsias është larguar në drejtim të Spanjës për pushime, por mesa duket për të mos ardhur më.
Javier Visea dhe Anibal Gonzales, si dhe disa nga lojtarët e huaj, janë larguar bashkë me Garsian. Gjithashtu, disa nga lojtarët e huaj kanë “fluturuar” pranë familjeve të tyre në vendlindje. Sot është parashikuar nisja e përgatitjeve, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do t’i drejtojë vlonjatët. Nën drejtimin e Karlos Garsias, Flamurtari shënoi një bilanc tejet negativ, me dy pikë të grumbulluara në gjashtë javë pa asnjë fitore. Spanjolli erdhi me bujë në Vlorë. Klubi, por edhe tifozët, prisnin shumë prej tij, por ai nuk arriti të bëjë gjëra të mëdha, përkundrazi, e “zhyti” skuadrën në fund.
RREZIKON EDHE POLLOZHANI “Koka” e merkatos së dy sezoneve të fundit në Vlorë është Artim Pollozhani. Drejtori sportiv i klubit rrezikon të shkarkohet. Administratori Sinan Idrizi i la dorë të lirë në merkaton e klubit sezonin e kaluar, kur skuadra ishte në Kategorinë e Parë, dhe për pak javë mori detyrën e trajnerit pas shkarkimit të Andrea Agostinelit. Këtë sezon, Pollozhani punoi me Garsian dhe së bashku zhvilluan merkaton. Në këto kushte, pa përgjegjësi nuk është as Pollozhani, me të cilin mund të ndahen rrugët qysh sot. Madje flitet se përveç trajnerit, Flamurtari po kërkon edhe për drejtor sportiv.
TRAJNERI I RI Sot mund të ketë zhvillime në kampin vlonjat. Skuadra mund të ketë trajnerin e ri që do të zëvendësojë Karlos Garsian. Italiani Françesko Moriero dhe gjermano-kroati Tomas Brdariç janë dy kandidatët më potencialë. Megjithatë, nuk përjashtohet as ndonjë surprizë me ndonjë emër tjetër. Andrea Agostineli prej kohësh e ka shprehur dëshirën për të drejtuar Flamurtarin edhe në Superiore, madje ai deklaroi se ka edhe kontratë me vlonjatët. Kjo bazohet te kushti qe ka pasur Agostineli, ku shkruhej nëse Flamurtari ngjitej në Superiore, kontrata e Agostinelit rinovohej automatikisht. Gjithsesi, italiani u largua 4 javë para fundit të sezonit nga Vlora.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













