Flamurtari zbarkon në Turqi, Idrizi takon skuadrën dhe niset me “mision” drejt Spanjës
Flamurtari u nis dje drejt Turqisë për zhvillimin e një faze përgatitore gati trejavore. Rreth orës 07:30 të mëngjesit, të gjithë futbollistët dhe stafi teknik nisën të paraqiteshin pranë stadiumit me çanta.

Nisja drejt Rinasit u bë rreth orës 08:00 me autobusin e skuadrës. Patjetër që në vend të parë u ul trajneri Karlos Garsia dhe përgatitësi atletik Anibal Gonzales. Në sediljen pas Garsias ishte i ulur kapiteni Denis Pjeshka dhe të gjithë me radhë.
Rreth orës 13:00, skuadra fluturoi drejt Stambollit me avionin e kompanisë “Air Albania”, ku është aksioner kryesor administratori i klubit, Sinan Idrizi. Ky i fundit po dje mëngjes pasi u përshëndet me skuadrën në stadium u nis me çarter drejt Spanjës për nënshkrimin e një kontrate me një delegacion prej 10 vetash.
Paraprakisht flitet për gjetjen e financuesve për stadiumin e ri, por detajet do të zbulohen në ditët në vijim.
PANORAMASPORT.AL













