EUROPIANI EKIPOR I ATLETIKËS/ Yipsi Moreno mahnit për Shqipërinë me 3 rekorde, shkëlqen sërish Burraj
Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Divizionin 3 të Kampionatit Europian Ekipor të atletikës, event që u zhvillua në Maribor të Sllovenisë. Kombëtarja kuqezi ka shënuar rezultate të rëndësishme individuale në këtë aktivitet, me fiksimin e disa rekordeve kombëtare.

Protagonistja e madhe e ditës së dytë ishte Yipsi Moreno, ish-kampione olimpike nga Kuba, e natyralizuar me pasaportë shqiptare rreth një vit më parë. Ndonëse tashmë në moshë 44-vjeçare, Moreno tregoi se mbetet ende në formë, duke dominuar në garën e hedhjes së çekiçit. Ajo u klasifikua e para në disiplinën e saj, duke i dhënë pikë të plota Shqipërisë, ndërsa fiksoi edhe 3 rekorde kombëtare, duke arritur përkatësisht rezultatet 66.29 metra, 66.81 metra dhe 67.96 metra.

Në ditën e dytë të garave shkëlqeu sërish edhe Franko Burraj. Pasi kishte vendosur rekord kombëtar në 400 metra, duke zënë e vendin e parë në garën e së martës, atleti shkodran shënoi edhe të mërkurën rekord kombëtar, këtë herë në 200 metra. Ai fiksoi kohën 20.97, duke u klasifikuar në vendin e dytë. Rezultate të rëndësishme arritën edhe Redia Dauti, e klasifikuar e treta në 1500 metra me kohën 4:33.52, rezultati më i mirë sezonal për të. Relaksa Dauti u rendit në vendin e tretë në garën e 800 metrave, duke e ndalur kronometrin në kohën 2:13.12. Vendi i katërt me rezultat më të mirë personal për Livia Topin në garën 400 metrave me pengesa, aty ku regjistroi kohën 1:02.60. Një tjetër vajzë e talentuar e atletikës shqiptare që la gjurmë me paraqitjen e saj ishte Iljana Beqiri, e cila u rendit në vendin e pestë në disiplinën e 400 metrave, duke shënuar rezultatin e saj më të mirë personal, 55.82.

Milen Caco e përfundoi i pesti garën e 110 metrave me pengesa me kohën 15.17, rezultat më i mirë personal për të. Kohë më të mirë personale fiksoi edhe Paola Shyle në 100 metra, duke shënuar rezultatin 12.05, për tu klasifikuar në vendin e gjashtë. Ndërsa Kolindo Kiri u klasifikua në vendin e gjashtë në garën e kërcimit 3-hapësh, duke arritur rezultatin më të mirë personal 15.25 metra.
Në këtë kompeticion Shqipëria kishte disa mungesa të rëndësishme, ku mbi të gjitha përmendim Luiza Gegën, kampionen më të madhe në historinë e këtij sporti në vendin tonë. Gega, njoftoi dy ditë para garave bojkotin për këtë aktivitet, duke mos u pajtuar me mënyrën e organizimit të federatës, pasi ekipi kuqezi udhëtoi me autobus drejt Sllovenisë. Ndërkohë, për sa i përket klasifikimit ekipor në Divizionin e tretë të Kampionatit Europian Ekipor 2025, Shqipëria u rendit në vendin e 13-të mes 15 shteteve pjesëmarrëse. Kombëtarja kuqezi la pas në klasifikim vetëm Kosovën dhe Lihtenshtajnin.
PANORAMASPORT.AL













