“Europa minimumi, Dinamo e ndërtuar për…”, ish-mesfushori Bakalli: Partizanin e ka mundur 2 herë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2026 | 0:03

“Europa minimumi, Dinamo e ndërtuar për…”, ish-mesfushori Bakalli: Partizanin e ka mundur 2 herë

Dinamo e këtij sezoni ka pasur ulje ngritje të shumta, megjithatë rikthimi në “Final 4” ka sjellë disi qetësi në kampin blu. Nëse deri më tani ishte edhe Partizani skuadra që duhej të gabonte, Dinamo e ka gjithçka në dorë për pjesën e mbetur të sezonit sepse ndeshjet direkte e mbajnë para Partizanit.

bakalli

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i Dinamos, Engert Bakalli është i bindur se skuadra e drejtuar nga Daja do të arrijë të sigurojë “Final 4”. Ai pranon se lufta për titullin kampion është e vështirë, por shton se objektivat e tjerë janë të arritshëm nga kryeqytetasit.

Dinamo hyn sërish në “Final 4”. A mendon se mund ta mbajë këtë pozicion deri në fund të kampionatit?

Dinamo besoj se do ta mbajë vendin e katërt. Në fakt i takon dhe nuk duhej të kishte dalë nga katërshja e parë, por gabimet në disa ndeshje gjatë këtij viti sollën këtë situatë. Tani është përsëri në vend të katërt dhe nuk duhet ta lëshojë më.

A mendon se ka ende shanse për titull duke pare diferencën me vendet e para, apo Kupa dhe pjesëmarrja në Europë do të ishin të mjaftueshme?

Për titullin është realisht shumë e vështirë, edhe pse në futboll gjithçka mund të ndodhë. Europa është minimumi për këtë sezon, duke parë investimet e presidentit Bardhi dhe ekipin që është krijuar. Kualiteti nuk i mungon Dinamos. Nëse shkon në Europë, duke fituar Kupën, si sezonin e fundit, do të ishte mirë për klubin dhe tifozët.

Pse ka pasur Dinamo kaq shumë oshilacione këtë sezon?

Çdo skuadër ka oshilacione në një kampionat. Ndikojnë mungesat, që Dinamo i pati jo pak në fillim të 2026. Në ndonjë ndeshje janë bërë dhe gabime të evitueshme.

Çfarë pret në javët e mbetura të kampionatit nga skuadra?

Pres një skuadër më të vendosur për të marrë rezultatet e duhura. Gara është e ashpër dhe kërkohet përqendrim maksimal. Dinamo ka potencial për më shumë.

A mendon se afrimet e merkatos së janarit kanë përmbushur pritshmëritë?

Malomo është ingranuar shumë mirë në skuadër, po luan shumë mirë dhe ka shënuar gola. Mustafa ka luajtur mirë, por i ka munguar goli dhe besoj se shumë shpejt edhe ai do të zhbllokohet dhe do të kthehet në ndihmë për skuadrën në pjesën e mbetur të kampionatit.

Çfarë duhet të bëjë Dinamo më shumë në javët e mbetura të kampionatit?

Së pari duhet të jetë e përqendruar dhe e motivuar për të bërë më të mirën në çdo ndeshje të mbetur. Do doja që ekipi të sakrifikonte më shumë për të marrë pikët.

Cili është lojtari që ju ka befasuar më shumë te Dinamo?

Dinamo kur luan mirë, luan si grup. Nuk më pëlqen të veçoj emra, por mund të përmend mbrojtësin Andre Teikseira, një lojtar konstant dhe me shumë eksperiencë.

Çfarë ka Dinamo më shumë se Partizani për të mbajtur vendin e katërt?

Dinamo bëri një gjysmë kampionati shumë të mirë. Partizanin e ka mundur dy herë, por tani nuk ka rëndësi. Thjesht Dinamo duhet të bëjë punën e saj në këto ndeshje, pa parë çfarë bëjnë të tjerët. Në këtë mënyrë, jam i bindur se do të arrijë të kalojë në “Final 4”.

PANORAMASPORT.AL