Erjon Bogdani, “plakushi” i sulmit në Serinë A
Të luash në Serinë A (kampionati ital ian i futbollit) është sa privilegj, por edhe një vlerësim për çdo lojtar. Por, kur je në “të ngrysur” të karrierës futbollistike dhe vazhdon ende të militosh në një nga 20 skuadrat e këtij kampionati, madje edhe duke u aktivizuar e shënuar gola, atëherë kjo kthehet në një rekord sado të vogël, por mjaft domethënës. Këtë e bën as më shumë dhe as më pak, lojtari i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani. Ai është në prag të 35-vjetorit të lindjes (14 prill) dhe rezulton të jetë sulmuesi më i vjetër i huaj që luan në kampionatin italian të futbollit. Asnjë nga sulmuesit e huaj që militojnë në 20 ekipet e këtij kampionati nuk është më i madh në moshë sesa Bogdani. Madje, edhe italianët që ia kalojnë në këtë renditje këtij të fundit, numërohen me gishta. Kjo tregon edhe një herë se pavarësisht moshës, sulmuesi kuqezi mbetet një nga të preferuarit në Itali, kjo falë profesionalizmit dhe lojës me rendiment që ai ka shfaqur në secilën skuadër ku ka luajtur.
“Rekordi” – Momentalisht Bogdani luan te Siena, me të cilën ka shënuar edhe tre gola mjaft të rëndësishëm për mbijetesën e kësaj skuadre. Futbollisti erdhi nga Çezena në merkaton e janarit, pasi në Toskanë nuk po gjente hapësira aktivizimi. Madje, disa skuadra nuk besuan tek aftësitë e Bogdanit, më së pari nisur nga mosha e tij e madhe. Përgjithësisht, si kudo, edhe në Itali shumë klube hedhin më shumë vështrimin nga talentet e rinj, me qëllim që të mund të bëjnë një investim për të ardhmen, ndaj edhe snobohen disi futbollistët me eksperiencë, ashtu si në rastin e Bogdanit. Kuqeziu shihej si një lojtar që kishte pak për t’i dhënë Serisë A madje, në mjaft raste, emri i tij lakohej në ekipe të kategorive inferiore. Por u desh shumë pak kohë që “Bogu” të tregonte të kundërtën. Menjëherë sapo u largua nga Çezena, duke u rikthyer te Siena (ka luajtur edhe katër sezone më parë), sulmuesi gjeti jo vetëm hapësira aktivizimi, por edhe golat.
Të huajt – Aktualisht në Serinë A aktivizohen 58 sulmues të huaj. Por fakt është se pjesa më e madhe e tyre janë nën 30 vjeç dhe në komandë nga lart-poshtë, të paktën për sa i përket moshës, është pikërisht shqiptari i Sienës, Erjon Bogdani. Po te kjo skuadër luajnë edhe tre sulmues të tjerë të huaj. Ndërsa skuadrat me më shumë sulmues të huaj janë Kaljari (6 sulmues) dhe Xhenoa, Inter, Lacio, Leçe, Milan dhe Napoli me nga katër sulmues të huaj secila. Kurse, për sa u përket golave të shënuar, në krye është suedezi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç, me 22 gola. Pas tij vjen Kavani me 19 gola, Milito 17 gola, Palasio 16 gola, Denis 15 gola, Jovetiç e Klose nga 12 gola, dhe deri te Biabiani e Bogdani me nga tre gola secili.
Bomberi, gol në miqësoren e Sienës
Erjon Bogdani është paraqitur mirë në ndeshjen parapërgatitore të Sienës me një skuadër diletantësh (Valdarbia), duke shënuar edhe një gol në këtë miqësore. Këtë javë senezët do të luajnë në fushën e Atalantës, ndaj është parë e domosdoshme që të zhvillohet dhe një miqësore në mesjavë, që të vëzhgohet gjendja e lojtarëve. Siena fitoi 10 me 0 dhe, përveç Bogdanit, shënuan edhe D’Agostino dhe Grosi në pjesën e parë, si dhe Gonzalez (katër gola), Xhorxhi, Destro dhe Brienza. Sakaq, edhe pse sulmuesi shqiptar është paraqitur mjaft mirë në këtë miqësore, sipas informacioneve që vijnë nga mediat italiane, ai do ta nisë nga stoli takimin e kësaj jave. Në sulm për Sienën do të luajnë Larrondo dhe Destro, ndërsa Bogdani mund të përdoret në fraksionin e dytë të lojës, në varësi edhe të rezultatit të kësaj ndeshjeje.
“Bogu”, kundër veteranëve të Italisë
Nëse hedh vështrimin nga rivalët e Erjon Bogdanit mbetesh disi i turbulluar pasi, më të mëdhenj në moshë se ai, por që vazhdojnë ende të kontribuojnë në Serinë A, janë disa nga lojtarët më të mirë të dekadës së fundit. Më i vjetri natyrisht është Filipo Inzagi, 38 vjeç, i cili nuk pranon ende t’i varë këpucët në gozhdë. Lojtari pretendon se ka ende për t’i dhënë futbolli, ndaj me gjasa do të luajë edhe për një sezon tjetër, por ndoshta jo më te Milani. Pas tij, një tjetër emër i madh i Serisë A, Alesandro Del Piero (37 vjeç). Sulmuesi luan sezonin e fundit me Juventusin dhe me gjasa do të largohet edhe nga Italia për ta përfunduar karrierën gjetkë (opsioni më i mundshëm është Amerika). Por, ende në formë të mirë dhe që shënojnë gola janë edhe Marko Di Vaio (35 vjeç) te Bolonja, Di Mikele (36 vjeç) te Leçe, Françesko Toti (35 vjeç) te Roma, si dhe Antonio Di Natale (34 vjeç) te Udineze. Ndërkohë nga veteranët e sulmit italian, i cili nuk po arrin të gjejë shumë hapësira këtë sezon, është edhe Kristin Lukareli, që mbron ngjyrat e Napolit. 36- vjeçari ka hasur konkurrencën e fortë të Kavanit, Lavecit dhe Pandevit, ndaj më së shumti ka ngrohur stolin.
LOJTARI VJEÇ SHTETËSIA
ATALANTA
Denis 30 Argjentinas
BOLONJA
Jimenez 26 Uruguaian
Belfodil 20 Francez
KALJARI
Larrivej 27 Argjentinas
El Kabir 23 Holandez
Nene 28 Brazilian
T.Ribeiro 26 Brazilian
Ibarbo 21 Kolumbian
Pinilla 28 Kilian
KATANIA
D.Suazo 32 Honduras
Bergesio 27 Honduras
Ebagua 25 Nigerian
ÇESENA
Mutu 33 Rumun
R.Alves 24 Brazilian
Malonga 23 Francez
KIEVO
Thereau 28 Francez
Uribe 24 Kolumbian
FIORENTINA
Jovetiç 22 Malazez
R.Matos 19 Brazilian
XHENOA
Palacio 30 Argjentinas
Ze Eduardo 24 Brazilian
Birsha 25 Slloven
Jankoviç 28 Serb
INTER
Forlan 32 Uruguaian
D.Milito 32 Argjentinas
Zarate 25 Argjentinas
Kastanjos 19 Holandez
JUVENTUS
Vuçiniç 28 Malazez
LACIO
Kozak 22 Çek
Klose 33 Gjerman
Makinva 28 Nigerian
Alfaro 23 Uruguaian
LEÇE
Bozhinov 26 Bullgar
Seferoviç 20 Zviceran
Ofere 26 Nigerian
Muriel 20 Kolumbian
MILAN
A.Pato 22 Brazilian
Ibrahimoviç 30 Suedez
M.Lopez 28 Argjentinas
Robinjo 28 Brazilian
NAPOLI
Kavani 25 Uruguaian
Vargas 22 Kilian
Laveci 26 Argjentinas
Pandev 28 Maqedonas
NOVARA
Morimoto 23 Japonez
Zheda 32 Brazilian
PALERMO
Hernandez 21 Uruguaian
Budan 31 Kroat
Mehmeti 22 Suedez
PARMA
Biabiani 23 Francez
J.Valdes 31 Kilian
F.Markes 27 Spanjoll
ROMA
Bojan 21 Spanjoll
SIENA
Larrondo 23 Argjentinas
Gonzalez 26 Argjentinas
Akosta 21 Argjentinas
Bogdani 34 Shqiptar
UDINESE
Barreto 26 Brazilian
LEONARD KARAJ













