EKSKLUZIVE/ “Zabërgja e Mandela? Sikur të heqësh Mbape dhe Vinicius nga Reali”, Peqini analizon Superioren: Dinamo rikthehet shumë shpejt (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2025 | 22:36

EKSKLUZIVE/ “Zabërgja e Mandela? Sikur të heqësh Mbape dhe Vinicius nga Reali”, Peqini analizon Superioren: Dinamo rikthehet shumë shpejt (E PLOTË)

Dinamo nuk po kalon një formë të mirë në kampionat, megjithatë në kampin blu janë të bindur se ky moment negativ do të kalojë shumë shpejt.

peqinii

Ish-mbrojtësi blu, Roland Peqini në një intervistë për “Panorama Sport”, u shpreh se skuadra e ka kapacitetin për të marrë maksimumin nga ky sezon. Peqini u ndal edhe te Superiorja, ku shprehet se Elbasani është skuadra që e ka befasuar deri më tani.

Roland, si po të duket Superiorja në këto 4 javë?

Kategoria Superiore këtë sezon ka nisur mjaft mirë, mendoj se është bërë më konkurruese dhe ekipet duken më të barabarta mes tyre. Në këto katër javë kemi parë rezultate surprizë, gjë që tregon se nuk ka më diferenca të mëdha si më parë. Ka skuadra që kanë investuar, kanë sjellë lojtarë cilësorë dhe kjo e rrit nivelin e kampionatit. Sigurisht, ka ende vend për përmirësim, sidomos në aspektin e lojës kolektive dhe ritmit të ndeshjeve, por në përgjithësi starti ka qenë pozitiv dhe premton një kampionat interesant deri në fund.

Cila skuadër ju bind, ose ju ka surprizuar deri në këtë moment?

Më ka surprizuar Elbasani, jo vetëm sepse është qyteti im i lindjes, por edhe për mënyrën si po paraqiten dhe për atmosferën që po tregojnë nëpër stadiume. Ka një energji pozitive, dëshirë dhe pasion që të bën krenar. Është kënaqësi të shohësh ishskuadrën të rikthehet me kaq personalitet, dhe kjo për mua është një surprizë e bukur që i jep më shumë emocion këtij kampionati.

Si një ish-lojtar i Dinamos, si e sheh skuadrën këtë vit?

Dinamo këtë vit është një skuadër me potencial, por që nuk e ka nisur kampionatin siç duhet. Normalisht është e vështirë, sepse u shitën dy nga lojtarët më të mirë dhe njëkohësisht golashënuesit kryesorë, Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela.

Këto janë mungesa që e ndryshojnë fytyrën e një ekipi. Megjithatë, unë kam shumë besim te Dinamo, sepse në gjirin e saj është një nga trajnerët më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, Ilir Daja. Ai di si ta rindërtojë dhe ta udhëheqë një skuadër drejt suksesit. Jam i bindur që, me kohë dhe me punën e tij dhe të stafit, Dinamo do të rikthehet aty ku i takon dhe do të jetë mes katër ekipeve më të mira të këtij sezoni

Çfarë nuk po shkon me ekipin?

Problemi kryesor i Dinamos, sipas mendimit tim, është se ende nuk po arrin të konkretizojë lojën e mirë me rezultatet që meriton. Nëse i shikon ndeshjet një nga një, Dinamo ka dominuar çdo kundërshtar dhe ka krijuar raste shumë të pastra shënimi, por nuk ka arritur të shfrytëzojë ato mundësi. Pikërisht kjo ka bërë që të mos ketë rezultatet e duhura deri tani.

E shoh si diçka normale, sepse pas largimit të dy lojtarëve më të mirë dhe golashënuesve kryesorë, Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela, është sikur t’i heqësh Realit të Madridit sot Kilian Mbape dhe Vinisius Zhunior. Është e pamundur të mos ndjesh diferencën. Megjithatë, unë jam i bindur se me punën e trajnerit Daja, Dinamo do ta gjejë shumë shpejt ekuilibrin dhe do të rikthehet aty ku e ka vendin.

Të shtunën luhet derbi. Çfarë duhet bërë ndryshe nga Dinamo?

Derbi është një ndeshje krejt ndryshe nga të tjerat, aty nuk vlejnë statistikat dhe as forma e skuadrave. Për Dinamon, ajo që duhet bërë ndryshe është konkretizimi i rasteve. Në çdo ndeshje deri tani ekipi ka dominuar dhe ka krijuar shumë mundësi, por nuk ka arritur të finalizojë.

Në një derbi nuk mund të përballosh luksin të humbësh raste të pastra, sepse mund ta pësosh menjëherë. Gjithashtu, duhet më shumë qetësi dhe përqendrim, sidomos në momentet vendimtare. me cilësinë që ka ekipi, jam i bindur se Dinamo do bëjë një paraqitje shume te mire dhe të tregojë se është një nga ekipet kryesore për të fituar këtë kampionat.

Ku e sheh në fund të sezonit?

Mendoj që në fund të sezonit Dinamo do të jetë në katër ekipet më të mira dhe do të luftojë seriozisht për të fituar kampionatin. Me futbollistët që ka aktualisht, si dhe me potencialin dhe mentalitetin e duhur, skuadra ka gjithçka për të qëndruar në garë deri në fund.

Si specialist i fushës, si e vlerëson gjendjen fizike të lojtarëve?

Gjendja fizike e lojtarëve të Dinamos duket shumë e mirë. Duke parë që në çdo ndeshje dominon lojën dhe krijon raste, shihet qartë se kanë qëndrueshmëri dhe energji për të luftuar deri në fund.

A mendon se investimi është i kënaqshëm në këtë drejtim?

Dinamo ka përfituar të ardhura të mira nga kalimi i tureve në Europë dhe nga shitja e lojtarëve kryesorë, Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela. Këto të ardhura krijojnë një bazë të fortë për të vijuar investimet dhe për të siguruar një sezon konkurrues dhe shpresëdhënës.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL