EKSKLUZIVE/ Nga atletika në arbitrim, Paola Shyle sfidon limitet: Dua rekordin në 100 metra! Në futboll falë inkurajimit të Florian Latës
Historia e bukur e Paola Shyles, vajzës 26-vjeçare nga Tirana, e cila ushtron paralelisht dy disiplina sportive, atletikën dhe arbitrimin në futboll, vjen e treguar ekskluzivisht në Panorama Sport.

Rrugëtimi i saj përfshin jo vetëm sukseset në “mbretëreshën e sporteve”, ku është shpallur kampione në dy kategori moshash dhe synon thyerjen e rekordit kombëtar në garën e 100 metrave, por edhe angazhimin e saj në futboll si gjyqtare. Ky pasion është kultivuar falë dashurisë së madhe për sportin dhe dëshirës për të qenë pjesë aktive e tij në disa dimensione. Në rrëfimin e saj, Paola Shyle ndalet edhe te faktorët mbështetës, veçanërisht te familja, duke theksuar se “kufijtë ekzistojnë vetëm për t’u kaluar”, një shprehje që përmbledh filozofinë e saj të jetës dhe motivimin në fushën e sportit.
Kush është Paola Shyle dhe formimi i saj profesional?
Jam e lindur në Tiranë dhe kam formim bazë si mësuese e Edukimit Fizik në një nga shkollat e kryeqytetit. Jam shumë e lidhur dhe e apasionuar pas sportit. Aktualisht jam sportiste aktive në atletikë, si përfaqësuese e ekipit “Tirana”, dhe paralelisht ushtroj edhe detyrën e gjyqtares së futbollit në pozicionin e vijërojtëses.
Si lindi ideja dhe dëshira për t’u bërë gjyqtare futbolli?
Duke ndjekur futbollin prej vitesh, fillova të kuptoj se sa vendimtar është roli i gjyqtarit në mbarëvajtjen e lojës. Kjo më nxiti të interesohem më thellë për rregullat dhe drejtësinë sportive, duke e shndërruar me kalimin e kohës këtë interes të brendshëm në pasion dhe dëshirë për t’u bërë gjyqtare futbolli.
Si e ndani kohën mes dy sporteve?
Kohën mes atletikës dhe futbollit e ndaj përmes një planifikimi të detajuar dhe të disiplinuar. Çdo gjë është e organizuar në mënyrë të tillë që dy sportet të mos pengojnë njëri-tjetrin. Disiplina personale luan një rol shumë të rëndësishëm në realizimin e këtij balancimi.

Kush shërbeu si shtysë dhe si e priti familja këtë dëshirë?
Shtysa kryesore për ta konkretizuar këtë dëshirë ka qenë mbështetja e gjyqtarit të njohur Florian Lata, i cili më inkurajoi të ndjek këtë rrugë. Në familjen time kjo dëshirë u prit me shumë mirëkuptim dhe mbështetje, duke më motivuar edhe më tepër për të ecur përpara me vendosmëri. Ky rrugëtim nisi zyrtarisht në vitin 2021, vit që shënon edhe fillimin e progresit tim si gjyqtare futbolli.
Sa njohuri kishit më parë për futbollin dhe a keni një model në arbitrim?
Para se të mendoja për arbitrimin, kisha njohuri bazë për futbollin, të fituara duke ndjekur ndeshje në stadium dhe në televizor. Me kalimin e kohës, këto njohuri u thelluan përmes studimit të rregullave dhe përvojës praktike. Kam pasur një model të qartë në këtë fushë: gjyqtaren Emanuela Rusta, nga e cila kam marrë shumë frymëzim. Ajo është një shembull profesionalizmi si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe dëshira ime është të ec në gjurmët e saj.
Ju jeni edhe kampione në atletikë në garën e 100 metrave. Si nisi ky rrugëtim?
Me atletikën kam nisur në vitin 2009, kur isha vetëm 11 vjeçe. Falë punës dhe pasionit kam pasur një ecuri shumë të mirë, duke u shpallur kampione e vendit në moshën 18 dhe 20 vjeç. Një ndikim të madh në formimin tim profesional kanë pasur profesorja Liljana Karanxha dhe profesori Rejnaldo Gjerazi, të cilëve u jam shumë mirënjohëse. Ata më kanë mësuar se kufijtë ekzistojnë vetëm për t’u kaluar.
Si e ndani kohën mes dy sporteve?
Kohën mes atletikës dhe futbollit e ndaj përmes një planifikimi të detajuar dhe të disiplinuar. Çdo gjë është e organizuar në mënyrë të tillë që dy sportet të mos pengojnë njëri-tjetrin. Disiplina personale luan një rol shumë të rëndësishëm në realizimin e këtij balancimi.
A jeni tifoze e ndonjë skuadre?
Për shkak të profesionit tim si gjyqtare, më duhet të shmang çdo lloj tifozllëku aktiv. Megjithatë, më parë kam qenë mbështetëse e skuadrës së Tiranës, të cilën e përfaqësoj edhe në atletikë. Në futbollin ndërkombëtar, jam një mbështetëse e Milanit, për stilin e lojës dhe historinë e tij të lavdishme.
Nëse do të ishit e detyruar të zgjidhnit mes atletikës dhe arbitrimit…
Është shumë e vështirë të zgjedh mes tyre, sepse të dyja janë pjesë e pandarë e jetës sime. Kanë ndikuar njësoj në rritjen time profesionale dhe personale. Atletika dhe arbitrimi përbëjnë një binom të pandashëm, ndaj për momentin i vazhdoj të dyja paralelisht.
Cila është origjina e familjes suaj dhe ndikimi i saj në sport?
Babai im është nga Leskoviku dhe nëna nga Korça. Të dy prindërit kanë qenë adhurues të sportit dhe më kanë mbështetur që në hapat e parë në atletikë. Duke qenë se Korça ka një traditë të njohur në këtë disiplinë, orientimi drejt atletikës ishte i natyrshëm dhe besoj se e kam justifikuar plotësisht këtë besim.
Sa kohë mendoni se mund ta përballoni këtë ngarkesë fizike dhe mendore?
Stërvitja sistematike dhe përgatitja mendore janë garanci për jetëgjatësinë time sportive. Disiplina, përkushtimi dhe motivimi janë elementët kyç që më ndihmojnë të përballoj ngarkesën dhe të jem maksimalisht e angazhuar në të gjitha drejtimet.
Si ndiheni për ndryshimin e sjelljes ndaj gjyqtareve femra?
Jam shumë e kënaqur që futbollistët dhe stafet drejtuese janë gjithnjë e më të ndërgjegjësuar për respektin ndaj gjyqtareve femra. Kjo krijon një ambient më pozitiv dhe ndihmon drejtpërdrejt në një gjykim sa më profesional dhe objektiv.
Cili është objektivi juaj kryesor në atletikë?
Objektivi im kryesor është përmirësimi i vazhdueshëm i performancës dhe thyerja e rekordit kombëtar në garën e 100 metrave. Për ta arritur këtë, kërkohet përkushtim maksimal, disiplinë strikte sportive dhe menaxhim i saktë i kohës, krahas angazhimeve të mia profesionale si mësuese.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL













