EKSKLUZIVE/ Mesfushori brazilian që e eliminoi nga Europa nis stërvitjen me Tiranën, gati zyrtarizimi i firmës
Klubi i Tiranës tashmë e cilëson të mbyllur edhe firmën me mesfushorin brazilian Eliton Zhunior. Ashtu siç kishte bërë të ditur “Panorama Sport”, braziliani ka gjetur akordin me bardheblutë.

Jo vetëm kaq, por tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes mes palëve, pasi braziliani ka nisur edhe stërvitjen me klubin bardheblu, siç shihet në foton e siguruar nga “Panorama Sport”.

Kujtojmë që Eliton është një futbollist i lirë pasi ka mbyllur kontratën e tij me Amazonas. 27-vjeçari ka eksperiencë edhe në futbollin europian, pasi ka qenë pjesë ndër të tjera edhe e Torpedo Kutaisi të Gjeorgjisë kur kjo e fundit eliminoi bardheblutë në turin e dytë të Ligës së Konferencës në edicionin e kaluar.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













