EKSKLUZIVE/ “Më larguan pa të drejtë për Di Biaxhon”, Mehmeti i “rrëmben” Dinamos 45 mijë euro në KAS: Çështje dinjiteti, mbrojta figurën time
Dinamo ka marrë një goditje nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, i njohur ndryshe edhe si KAS-i. Klubi dinamovit ka humbur gjyqin me ish-trajnerin Dritan Mehmeti.
“Panorama Sport” njoftonte që në gushtin e vitit të shkuar se Mehmeti kishte paditur në KAS dinamon, për shkak se ishte i pakënaqur me vendimin e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve. Kështu, Dinamo duhet të paguajë shumën prej 45 mijë eurosh për ish-trajnerin, i cili u shkarkua sezonin e shkuar pas javës së dytë të kampionatit në Superiore.
Dinamo i detyrohet Mehmetit 39 mijë euro nga rrogat, ndërkohë që 6 mijë euro të tjera janë kamatëvonesat e pagave të padhëna dhe mos përmbushjes së detyrimeve në kohë. Sikur të mos mjaftonte vetëm goditja financiare që Dinamo ka marrë, edhe afati i lënë nga KAS për pagesën, është relativisht i ulët duke qenë se Dinamo duhet të mbyllë pagesat kundrejt trajnerit për vetëm 2 javë.
SI NISI HISTORIA- Dritan Mehmeti e mori drejtimin e Dinamos në Superiore menjëherë pasi ekipi u rikthye nga Kategoria e Parë. Në sezonin e parë, Dinamo u rendit në vendin e gjashtë në kampionat, ndërkohë që në verë kishte ndërhyrje në merkato dhe blutë e rinisën e kampionatin me Dritan Mehmetin në krye.
Por, vetëm 2 javë pas nisjes, Dinamo e largoi Mehmetin duke e kaluar me ekipin e moshave dhe në krye të skuadrës, u emërua trajner Ilir Daja i cili në fakt diskutohej se mund të ishte trajner që në verë. “FC Dinamo City njofton pezullimin e Dritan Mehmetit nga posti i trajnerit të ekipit të parë. Klubi dinamovit bën me dije se teknikut Mehmeti i është dhënë drejtimi i skuadrës U-21. Deri në momentin e zyrtarizimit të trajnerit të ri, 18 herë kampionët do të stërviten nga Erjon Xhafa, i cili momentalisht mban postin e drejtorit të akademisë blu”, shkruhej në njoftimin e klubit të Dinamos.
Kështu, Dritan Mehmeti vendosi të mos pranonte të ishte pjesë e moshave dhe u largua nga drejtimi i Dinamos, duke kërkuar dëmshpërblim për prishjen e kontratës dhe fillimisht iu drejtua Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF. Në tetor 2024, Komisioni i Posaçëm i Kompensimit për Trajnim pranë FSHF-së i dha të drejtë Mehmetit me vendimin nr. 23, datë 29.10.2024. Megjithatë, Dinamo nuk e ekzekutoi vendimin, duke e shtyrë konfliktin në instancat e tjera.
Më 4 gusht 2025, Komisioni i Disiplinës paralajmëroi klubin blu që të përmbushte detyrimet brenda një afati 30- ditor, sipas nenit 29/1/b të Kodit të Disiplinës. Por, Dinamo nuk e shleu dënimin e dhënë nga DHKZ dhe në këtë mënyrë, Mehmeti kaloi në instancën më të lartë. Tani, Dinamos nuk i mbetet gjë tjetër veç se të paguajë detyrimin ndaj Mehmetit, ose në të kundërt do të përballet me sanksione të tjera që nisin nga bllokimi i merkatos, e deri në heqje të pikëve.
REAGIMI I MEHMETIT- “Panorama Sport” ka kontaktuar me trajnerin Dritan Mehmeti, i cili ka folur në lidhje me gjyqin e fituar karshi ish-klubit të tij, ndërkohë që u ndal edhe te marrëdhënia që ka me klubin kryeqytetas. Ai u shpreh se kishte kërkuar marrëveshje me Dinamon, por drejtuesit e klubit nuk e kishin pranuar asnjëherë diçka të tillë.
Dritan, çfarë ndodhi mes jush?
Sa i përket marrëdhënies me Dinamon që pas ndeshjes së dytë të kampionatit 24/25, marr një vendim me shkrim nga drejtuesit e Dinamos për një pezullim dhe spostim të pozicionit tim nga trajneri i ekipit të parë tek trajner i skuadrës së Dinamos U21. Për mendimin tim, ky ishte një vendim i gabuar për vetë faktin që unë isha një kontratë vetëm për të trajnuar ekipin e parë dhe vendimi nuk ishte i drejtë kundrejt meje. Por pas këtij vendimi kam insistuar që të kem kontakte dhe marrëveshje me drejtuesit e Dinamos, por kanë qenë refuzuese dhe nuk më kanë dhënë asnjë alternativë për kontakte apo për marrëveshje xhentëlmenësh mes njëri-tjetrit, por kanë vazhduar me vendimin që unë të isha pjesë e U21-shit dhe i detyruar nga kjo situatë, i jam drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, ku më dha pjesërisht të drejtë. Mbas fitimit të pjesshëm të së drejtës së Gjykatës në FSHF, i jam drejtuar KAS-it. Gjatë gjithë kësaj kohe, drejtuesit e Dinamos nuk kanë dashur që të kemi një marrëveshje mes njëri-tjetrit dhe isha i detyruar për vetë faktin për mënyrën se si drejtuesit vendosën të më shkarkonin nga pozicioni si trajneri i ekipit të parë.
Tani që KAS-i të dha të drejtë, si ndihesh?
Absolutisht nuk ndihem mirë. Përveç faktit që kjo ishte jashtë dëshirës time, duke iu referuar gjithë karrierës time pasi klubi i Dinamos është një nga klubet më të mëdha shqiptare dhe është privilegj për mua që kam qenë pjesë, Unë e kam trajnuar edhe në kohë krizash si financiare por edhe kriza rezultatesh, ku kohë më përpara, e kam trajnuar për rreth tre vite pa pagesë. Këtë e kam bërë me koshiencë të plotë për vetë faktin e situatës në të cilën ndodhej Dinamo dhe e bëra për atë emër të madh dhe për atë klub që mos të denigronte më shumë. Por kishte edhe kriza rezultatesh viteve të fundit, kur në kategori të parë ja arritëm qëllimit që të shkonim në Superiore. Edhe atë periudhë, u largova pa të drejtë nga Dinamo, kur trajner u emërua Di Biaxho.
Por, për hir të klubit dhe drejtuesve, preferova të hesht dhe nuk fola, u tregova profesionist dhe respektova vendimin e klubit edhe pse në fakt nuk ishte vendim i drejtë. Edhe herën e dytë, ndodhi e njëjta situatë dhe natyrisht nuk u ndjeva aspak mirë për mënyrën se si më trajtuan dhe u bë e dyta herë që më bëhet e njëjta gjë. Por, edhe pasi e mora Dinamon në vitin 2023-2024, ku ishte e fundit pas fazës së parë, arritëm që me objektivin që më uri presidenti për të dalë nga kjo situatë, ja dolëm shumë mirë të stabilizoheshim në Superiore dhe të nisnim një projekt madhështor ashtu siç i takon Dinamos dhe nuk doja që të përfundonte në këtë mënyrë. Por kam insistuar që të kishim një marrëveshje mes njëri-tjetrit, siç i takon atij klubit madh, por edhe respektit kundrejt figurës time për aq punë sa kam bërë, edhe pse shpeshherë e kam marrë në momente të vështira. Isha i detyruar të shkoja deri në KAS dhe e them sinqerisht që jo për aspektin financiar por për mënyrën e trajtimit të figurës time dhe për të ruajtur anën time profesionale dhe dinjitetin tim, sepse gjatë gjithë kësaj kohe, isha i detyruar, sepse drejtuesit e Dinamos nuk më lanë alternativë tjetër.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













