EKSKLUZIVE/ “Ka rënë cilësia”, ish-trajneri Daiu analizon derbin Tirana-Partizani: Fitojnë të kuqtë 2-1, dikur luftohej më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2026 | 23:18

EKSKLUZIVE/ “Ka rënë cilësia”, ish-trajneri Daiu analizon derbin Tirana-Partizani: Fitojnë të kuqtë 2-1, dikur luftohej më shumë

Ndeshja e së shtunës në impiantin kombëtar “Air Albania” mes Tiranës dhe Partizanit ka marrë vëmendjen e të gjithë opinionit sportiv.perparim daiuKy derbi i kryeqytetit vjen në pikën më të rëndësishme dhe vendimtare të kampionatit, teksa të kuqtë synojnë vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në “Final Four”, ndërsa nga ana tjetër, bardheblutë kanë si objektiv të vetëm qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar, pasi ethet e mbijetesës janë ende prezente, pavarësisht disa rezultateve pozitive të arritura së fundmi. Në lidhje me këtë sfidë, në një intervistë për “Panorama Sport” foli Përparim Daiu.

Ish-lojtari i të kuqve u shpreh se cilado skuadër të marrë fitoren në këtë ndeshje, do të fitojë edhe një besim të jashtëzakonshëm për vazhdimësinë e kampionatit, pasi të tilla fitore ndikojnë drejtpërdrejt në aspektin psikologjik të lojtarëve. Ndër të tjera, Daiu theksoi se, në krahasim me kohën kur ai vetë ishte protagonist, kampionati shqiptar, e si rrjedhojë edhe derbi, ka humbur në cilësi. Në fund, Daiu shtoi se pret që Partizani të fitojë në këtë derbi dhe që ndeshjen ta vendosë Xhuliano Skuka.

Si ju është dukur Partizani në këto ndeshjet e fundit të kampionatit? Ku ka çaluar më shumë ekipi?

Partizani në ndeshjet e fundit ka treguar mungesë besimi, plus është duke kaluar edhe një ngërç psikologjik, sepse tani është trysnia më e madhe për të kapur vendin e katërt.

Takimi i radhës është derbi i kryeqytetit me Tiranën, çfarë prisni ndryshe në paraqitje nga skuadra në këtë ndeshje?

Derbi gjithmonë ka një specifikë të veçantë, ku fiton ekipi më pragmatist, ai ekip i cili me qetësi zbaton detyrat tekniko-taktike, natyrisht duke minimizuar edhe gabimet individuale dhe kolektive të reparteve nga porta deri te sulmi. Mendoj që si për Partizanin ashtu edhe për Tiranën është një derbi deciziv për të arritur objektivat, pavarësisht se i kanë të kundërta. Pres nga Partizani fitoren, asgjë tjetër.

Mendoni se presioni për të marrë pikë do t’i detyrojë skuadrat të luajnë për të mos e humbur ndeshjen?

Normalisht presioni i derbit është gjithmonë i pranishëm, por mendoj që presioni për objektivat është më i madh.

Partizani vjen në këtë derbi pas dy fitoreve radhazi ndaj Tiranës me rezultatin 2- 0, sa do të ndikojë ky aspekt në psikologjinë e skuadrave?

Derbi është i paparashikueshëm dhe nuk kanë rëndësi statistikat, bile as renditja. Në derbi nuk ka rëndësi kush luan bukur, por kush e fiton atë. Fitorja ndikon në vazhdimësinë e kampionatit sepse skuadra merr tjetër impuls e moral.

Partizanit në këtë ndeshje pritet t’i rikthehet një lojtar si Skuka, sa peshë do të ketë rikthimi i sulmuesit që në të kaluarën ka ditur si ta ndëshkojë Tiranën?

Në ndeshjet e fundit, përveçse Partizani nuk ka qenë në nivelin e duhur, pikërisht i ka munguar lideri në fushë, ai që udhëheq skuadrën dhe bën diferencën. Një nga këta liderë padiskutim është edhe Skuka, i cili me aftësitë që ka bën diferencën; shpresoj të jetë ai që ta “vrasë” këtë derbi

Ju duket sikur derbi e ka humbur disi shkëlqimin e para disa viteve? Nëse po, pse ka ardhur kjo?

Cilësia ka rënë në përgjithësi si kampionat, sepse janë lojtarët aktorët që japin shfaqjen e bukur, por ka qenë një shprehje e famshme që me miell misri mos prit bukë gruri. Në kohën tonë ka pasur më shumë tifozë dhe lojtarë më të mirë e më të talentuar, duke luftuar e sakrifikuar më shumë për bluzën që kishin veshur.

Çfarë këshille do të kishit për lojtarët dhe për trajnerin Kërnaja?

Këshilla ime për Kërnajën dhe futbollistët është që të mbizotërojë qetësia, sepse qetësia i bën këmbët dhe mendjen të shëndosha për të shkuar te fitorja; të tjerat janë bërë gjatë javës në përgatitjen e derbit.

Një parashikim mbi derbin, shihni Partizanin fitues?

Kush mund ta vendosë derbin? Mendimi im dhe dëshira ime është gjithmonë që Partizani të jetë fitues i derbit dhe parashikoj që Skuka do të jetë ai që do ta vendosë me golin e tij. 2-1 fiton Partizani.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL