EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Memushi tregon rrugën për “ringjalljen”: Flamurtari thyen tersin me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2025 | 10:35

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Memushi tregon rrugën për “ringjalljen”: Flamurtari thyen tersin me Teutën

Eqerem Memushi mendon se Flamurtari do të rikthehet. Për ish-trajnerin vlonjat, kuqezinjtë mund të jenë në ngërç fizik ose psikologjik, por është stafi i ri teknik që duhet të bëjë ndryshimin.

memushii

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Memushi e cilëson surprizë fitoren e Partizanit në Vlorë, ndërsa rezerva ka për eksperimentin e trajnerit Moriero me modulin e lojës. Për ndeshjen me Teutën ish tekniku ka një batutë kur thotë: Mbase e “thyen këmbën shejtani”.

Memushi, Flamurtarin me dy pikë në klasifikim, mendoni se duhet të ndryshojë objektivi?

Në këtë moment që ne jemi duhet të mendojmë për qëndrimin në Superiore që të jemi edhe sezonin tjetër në elitë.

Pas fitores në Kupën e Shqipërisë, humbën në kampionat. Duket se edhe trajneri i ri nuk e solli ndryshimin, si e komentoni?

Me fitoren në Kupën e Shqipërisë dhe me ndërrimin e trajnerit menduam se do të ndryshonte pak fryma. Për mua surprizë është fitorja e Partizanit në Vlorë.

Pse e cilëson si surprizë?

Me atë kontingjent që ka Partizani dhe me atë gjendje që na erdhi ne…Duket se po na ndjek tersi. Mbase e “thyen këmbën shejtani”, me Teutën.

Si e komentoni ndeshjen që zhvilloi Flamurtari me Partizanin?

Po të shikosh pjesën e parë në përgjithësi Flamurtari e ka kontrolluar lojën. Ka qenë shumë më afër edhe rrezikut. Në pjesën e dytë nuk e di se çfarë ndodhi. Mendoj se duhet të ishim me “këmbë në tokë”. Duhet të ishim ne në atë momentin që ishte Partizani që priti sa priti dhe na goditi. Pse mos ta godisnim ne?!

Është kjo skuadër në gjendje që të prodhojë dhe fitojë?

Në pjesën e parë më krijoi një ndjenjë besimi se skuadra ka dalë nga ngërçi dhe po shprehej më mirë. Kishte më pak gabime se në pjesën e dytë, por pastaj skuadra u shpërfytyrua. Në pjesën e parë kishim edhe momente të bukura edhe të qarkullimit të topit. Në pjesën e dytë nuk e di se çfarë ndodhi.

Çfarë mendoni, pse ky ngërç në skuadër?

Nuk di ta them me siguri, pasi ata që janë brenda dhe pranë ekipin mund ta dinë më mirë. Për mua mund të jetë edhe kondicioni fizik, apo edhe ana psikologjike. Ndoshta lojtarët mendojnë të shkojnë sa më shpejtë tek goli dhe futen në ngërç.

Mendoni se skuadra ka problematika në ndërtimin e aksioneve dhe në daljen në sulm?

Trajneri Françesko Moriero nuk kishte se çfarë të bënte me kaq pak ditë që kishte në dispozicion. Por për mua ishte shumë shpejt ndryshimi i modulit të lojës. Ai duhet të luante me skemën klasike 4- 4-2. Ishte pak e nxituar ajo që zgjodhi. Skuadra duhet të ishte më kompakte, më bllok. Duhet të ishte prezente në 35 metrat e fushës.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL