EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri i njohur i Elbasanit analizon verdheblutë: Gvozdenoviç, guri i themelit për titullin. Ja sugjerimi im (E PLOTË)
Të gjithë tani i kanë sytë tek Elbasani i sezonit të ardhshëm. Nëse vitin që lamë pas e humbi mundësinë për Europë në ndeshjen e fundit, tani duan që të mos e vënë më në diskutim atë.
Me një eksperiencë më shumë mbi supe, një grup tanimë të formuar dhe mbi të gjitha me konfirmimin e trajnerit, duket se janë të gjitha shanset që sezonin e ardhshëm Elbasani të jetë pretendent serioz. Të paktën, kështu shprehet në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” ish-portieri dhe trajneri i njohur Elbasanit, Muharrem Dosti. Gjëja e parë që prek, është rinovimi i Gvozdenoviçit.
“Dua të ndalem fillimisht te konfirmimi i trajnerit të ri. E shoh me vend që i jepet besimi Gvozdenoviçit dhe për më tepër që kjo gjë ndodh tani dhe nuk u prit gjatë. Pra, gjithnjë ‘guri’ i parë i themelit nis nga ai që do ta drejtojë skuadrën dhe ka gjithë kohën në dispozicion për të menduar për sezonin e ri. Vitin e kaluar trajneri i ri u zgjodh pak javë para kampionatit dhe skuadra vuajti jo pak për të shkuar aty ku duhet dhe mendoj që këtë sezon nuk do të ndodhë më ashtu”, u shpreh fillimisht Muharrem Dosti.
EKSPERIENCA – Edhe pse me vetëm një vit në Superiore, mjafton për të krijuar një eksperiencë për ta vënë në shërbim sezonin e ardhshëm. Për Dostin, çdo ndeshje ka qenë një eksperiencë për të gjithë në klub. “Eksperienca ndonjëherë luan një rol të rëndësishëm në një kampionat dhe tek Elbasani ka pasur rëndësinë e saj. Tani, të gjithë janë një vit më të pjekur në sensin sportiv dhe do ta vënë në shërbim të arritjes së maksimumit sezonin që vjen. Sa më shumë ndeshje të luash dhe me sa më shumë situata të përballesh në një lojë futbolli, aq më mirë është, sepse i vë në shërbimin tënd në të ardhmen. Ndaj, mendoj se eksperienca që kanë kaluar këtë sezon, do t’u shërbejë shumë vitin që vjen”, vijoi më tej ish-tekniku i verdhebluve.
MERKATO – Dosti ndalet paksa edhe te merkato, duke u përpjekur të japë edhe ndonjë sugjerim për drejtuesit. Sipas tij, duhet ndërhyrë, por asnjëherë mbi masën që të të prishë grupin. “Nuk ka ekip në botë që nuk ka nevojë për merkato sa herë mbyllet një kampionat. Duhet dhe besoj se do ta bëjë edhe Elbasani një gjë të tillë. Nuk është nevoja të them se ku duhet ndërhyrë, sepse janë punë të trajnerit me klubin, por sugjerimi i vetëm është që të mos prekin boshtin që është ndërtuar. Vërtet Elbasani nuk arriti Europën, por në ekip ka lojtarë me cilësi dhe që kanë mbajtur peshën më të madhe të këtij sezoni dhe që duhet ta bëjnë edhe në vijim”, theksoi Dosti në lidhje me merkaton që mund të bëhet në Elbasan.
OBJEKTIVI – Në fund, Muharrem Dosti foli edhe për objektivin që duhet të ketë klubi këtë sezon. Ai pranon se ata duhet të jenë maksimalë, por asnjëherë të kalojë në mënyrë indirekte në një presion. “Di që do të kenë objektiva maksimalë, sepse nuk u mungojnë as financat dhe tanimë as eksperienca. Mirëpo, duhet treguar kujdes që të mos kthehet në një presion në skuadër, edhe pse pa dashje. Shpeshherë objektivat dalin edhe rrugës, i tregon koha dhe, nëse arrin të fitosh ndeshje pas ndeshjesh, shkohet deri te maksimumi”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Muharrem Dosti.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













