“Ekipi premton shumë, por asgjë nuk ka përfunduar”, Kadiu: Harmonia, çelësi i ndryshimit të Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2026 | 13:38

“Ekipi premton shumë, por asgjë nuk ka përfunduar”, Kadiu: Harmonia, çelësi i ndryshimit të Kukësit

Kukësi po jep gjithnjë e më shumë sinjale pozitive për të arritur objektivin minimal, një mision që për muaj me radhë dukej i paarritshëm. Në një moment kur verilindorët konsideroheshin si pretendentët kryesorë për rënien në Kategorinë e Dytë, panorama ka ndryshuar ndjeshëm javët e fundit. Ndërhyrjet në merkaton e dimrit rezultuan vendimtare.BLEDI KADIU

Drejtuesit afruan thuajse një formacion të ri lojtarësh, të cilët kanë bërë diferencën krahasuar me grupin e mëparshëm. Po aq i rëndësishëm ishte edhe ndryshimi në pankinë, me ardhjen e trajnerit korçar, Bledi Kadiu, që solli një frymë të re dhe stabilitet në ekip. Rezultatet flasin qartë për këtë transformim. Në gjashtë javët e fundit, Kukësi ka bërë një progres të dukshëm, duke regjistruar tre barazime dhe tre fitore radhazi. Pra, gjashtë ndeshje pa humbje, një ecuri që pak kush do ta kishte parashikuar për këtë skuadër në këtë sezon. Fitorja e fundit, 2-0 ndaj Apolonisë, kishte një peshë të veçantë. Ajo erdhi përballë një rivali direkt për mbijetesën dhe i dha mundësinë Kukësit ta parakalojë në renditje, duke fituar terren të çmuar në luftën për qëndrimin në kategori. Trajneri Bledi Kadiu është i kënaqur me ecurinë e skuadrës, por mbetet me këmbë në tokë.

Ai thekson se progresi është i dukshëm, por beteja nuk ka përfunduar ende. “Jemi shumë të kënaqur me lojën, rezultatin dhe vazhdimësinë. Kjo është ndeshja e gjashtë radhazi pa humbje dhe fitorja e tretë rresht. Ekipi po premton shumë dhe kjo më gëzon. Megjithatë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi nuk ka përfunduar asgjë. Ne po i marrim ndeshjet një nga një dhe lufta vazhdon deri në fund. Harmonia është shumë e rëndësishme në një ekip, ashtu si edhe ana psikologjike. Kur një skuadër nuk humbet, ka dëshirë dhe arrin rezultate pozitive, atëherë është e natyrshme që të ketë edhe harmoni. Kjo është një element kyç për suksesin”, u shpreh Kadiu pas fitores ndaj Apolonisë në javën e 29-të të Kategorisë së Parë. Me këtë ritëm dhe me besimin që është rikthyer në skuadër, Kukësi duket se ka lënë pas momentet më të vështira dhe tashmë e sheh mbijetesën si një objektiv të arritshëm.

PANORAMASPORT.AL